Shqipëri, ndero himnin dhe stadiumin e ri me “Gjelat”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2019 | 15:00

Shqipëri, ndero himnin dhe stadiumin e ri me “Gjelat”

Stadiumi i ri është një motivim ekstra, por sot kuqezinjtë duhet ta nderojnë himnin dhe të kujtojnë atë që ndodhi më 7 shtator. Kanë kaluar vetëm dy muaj kur Franca, si organizatore e ndeshjes, shkaktoi një skandal me himnin shqiptar në impiantin mitik “Stade de France” në Paris. Për ata që ndoshta e kanë fshirë nga kujtesa, u ekzekutua himni i Andorrës në vend të Shqipërisë dhe gafa vazhdoi më tej nga fonia e stadiumit legjendar, ku i kërkohej falje… Armenisë.

75339386_2439749509457597_7630111724644859904_n

Lojtarët dhe stafi i Kombëtares me të drejtë nuk pranuan që të niste ndeshja pa u ekzekutuar himni shqiptar. Një ndjenjë krenarie dhe mbi të gjitha dinjitet për të respektuar simbolet kombëtare. Natyrisht, këtë herë “hakmarrja” mbetet sportive dhe fusha nuk mund të përzihet me çështjet politike, që jo pak kanë ngacmuar dy vendet në muajt e fundit, sidomos pas “jo”-së që erdhi nga Franca për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

kombetarja shqiperia

Sot Kombëtarja e Edi Rejas ka për detyrë t’u tregojë tifozëve dhe kampionëve të botës se nuk është aspak ai ekip që u ndal turpshëm katër ditë më parë nga Andorra. Të ringrihesh pas një goditjeje është shumë e rëndësishme dhe shpesh Shqipëria ka gjetur forca për t’i surprizuar të mëdhenjtë. Nuk jemi në momentin tonë më të mirë dhe për më tepër diferencat me “Gjelat” janë të mëdha në cilësi, por Deshamp & Co e dinë mirë se sa kanë vuajtur në këto katër vitet e fundit ndaj kuqezinjve.

maxresdefault

Një supergol i Ergys Kaçes na ka dhënë një fitore historike në “Elbasan Arena” në qershor të vitit 2015, edhe pse ishte thjesht një miqësore. Por, gjithsesi ajo ndeshje shërbeu si një ogur i mirë për t’i hapur rrugë kualifikimit në Europian. Sot më shumë se kurrë kjo skuadër duhet të vendosë dinjitetin në vend, jo thjesht për të harruar atë barazim ndaj modestëve të Andorrës, por për të treguar ndaj një kombëtareje, si Franca, se vërtet mund të japë shpresë për vazhdimësinë. Pra, një rezultat pozitiv sot ndaj yjeve të futbollit mund të jetë si një pikënisje për të besuar më pas tek ëndrra me Botërorin.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"