Shqipëri-Jugosllavi 50 vite më parë, kur kosovarët kërkonin edhe baltën e këpucëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2017 | 23:08

Shqipëri-Jugosllavi 50 vite më parë, kur kosovarët kërkonin edhe baltën e këpucëve

Dossier Nga UVIL ZAJMI

Uvil Zajmi

Kjo është ndeshja e tretë e skuadrës kombëtare për vitin 1967. Pas taki meve në Dortmund RF Gjermane-Shqipëri 6-0, dhe Tiranë, Shqipëri-Jugosllavi 0-2, do të luhen edhe dy takimet e fundit, JugosllaviShqipëri më 12 nëntor dhe Shqipëri-RF Gjermane, e caktuar më 17 dhjetor. Kualifikimi është ende në lojë, asgjë nuk ishte përcaktuar për dy pretendentet, RF Gjermane e Jugosllavi, pasi Shqipëria e fundit pa asnjë pikë.

Ndeshjet kanë ende interes dhe ajo e Tiranës do të tregonte se kombëtarja kuqezi do të përcaktonte finalisten e Romës, për qershorin e 1968-ës. Por, cila ishte atmosfera politike dhe ajo sportive në prag të ndeshjes së Beogradit? Ndryshimet e formacioneve dhe pse serbët vendosën dhjetë topa në portën shqiptare? Si e kujtojnë Rragami, Janku, Çeço dhe komenti kritik që trajneri Boriçi bëri ndaj skuadrës së tij? 90 minutat e paharruara të zhvilluara gjysmë shekulli më parë, pikërisht të dielën e 12 nëntorit 1967, në një stadium të mbushur me shqiptarë ku nuk mungonin thirrjet “Eho! Eho! Eho!”.

loro borici dhe lin shllaku

Pasojat pas 17 Nëntori-Partizani…

Pasojat pas ndeshjes 17 Nëntori-Partizani 2-1, në qershorin e 1967-ës që vijuan me përjashtimin e të dyja skuadrave nga kampionati. Ajo periudhë karakterizohet me kritika, autokritika, individuale dhe kolektive publike të klubeve. Sidoqoftë, kampionati përfundon me Dinamon kampione me 38 pikë, 17 Nëntori 33, Besa 26, Skënderbeu 26, Partizani 25 pikë. Flamurtari me 12 pikë, mbijetoi pas dy ndeshjeve kualifikuese me Tekstilistin, ndërsa Luftëtari me 10 pikë bie në Kategorinë II. Ndërkohë hidhet shorti i turit të parë të Kupës së Kampioneve dhe “Sporti” informon: Dinamo-Eintracht e Braunshvejgut.

Me një vendim, FSHF vendos të mos zhvillojë kampionatin kombëtar, por në shtator sajohet një aktivitet mbarëkombëtar si “Kupa e FSHF-së” me skuadrat e ndara në dy grupe: Dinamo, Partizani, Besa, Lokomotiva, Tomori, Flamurtari dhe Vllaznia, 17 Nëntori, Skënderbeu, Apolonia, Traktori, Labinoti. Pastaj luhet për “Kupën e Sportit Popullor”, që ndan skuadrat e Kat. II në katër grupe. Vijohet me “Kupa e Gazetës Luftëtari” tre grupe të Kat. III dhe Kupa e “KQ BRPSH” për të rinj. Aktivitete këto që do të përfundojnë në fund të vitit. Ndërkohë, Dinamo, e caktuar të luajë në Kupën e Kampioneve, vazhdon përgatitjet, por pak javë para takimit, vjen urdhri për mospjesëmarrje.

gazeta dello sport njofton per ndeshjen e pare me ngjyra

Ngjarjet sportive, Pronjari me rekord të ri

Marjeta Pronjari vendos rekord të ri në kërcim së larti me 1.64 m Traktorul, një skuadër volejbolli e Rumanisë vijon turneun miqësor në Shqipëri. Zhvillohen aktivitete për nder të 25-vjetorit të Shtypit Popullor, Gazetës “Zëri i Popullit” që fitohet nga 17 Nëntori. Vllaznia sapo është kthyer nga Rumania duke barazuar 1-1 me Jiul dhe humbur 5-3 me Minerul. Shkodranët kanë në përbërje: Dani, Rama, Gjinali, Gjoni, Dedja, A. Mema, N.Jareci, Gjergji Çeço, Bizi, Andoni, Puka, Qeraj. Për Kupën Ballkanike, Partizani mund në Tiranë 2-0 Fenerbahçen. Fillon kampionati i 42-të i shahut, me match-in Duraku-Konçi, që fitohet nga ky i fundit.

Në këtë turne marrin pjesë jashtë gare edhe dy shahistë rumunë, Partosh dhe Ungureanu. Në Turqi, Partizani luan ndeshjen e dytë kundër Fenerbahçes, që fitohet 3-2 nga vendësit. Në RP të Kinës nisen volejbollistët dhe qitësit. Më 3 tetor, në Bukuresht, Ismail Rama realizon 593 pikë në garën 1×10 me precizion. Starton “Rrethi Çiklistik” dhe Sali Hima është fitues. Organizohet Spartakiada e Kooperativave Bujqësore dhe qendrave të punës. Nis në Stamboll Kampionati i Shtatë Europain i Volejbollit për meshkuj dhe Shqipëria është në grup me Poloninë, Rumaninë, Bullgarinë dhe RF Gjermane.

gazeta sporti shqiptar flet per shqiperine

Atmosfera politike shqiptare dhe në botë

Në muajin shtator, Enver Hoxha viziton Shkodrën, ndërsa një delegacion qeveritar i kryesuar nga Mehmet Shehu shkon në Pakistan. Në Tiranë zhvillohen dy kongrese: Ai i Frontit Demokratik dhe Kongresi i 6-të B.G. i Shqipërisë. Më 8 tetor, bota tronditet nga lajmi se Che Guevara është kapur dhe presidenti i Bolivisë, Rene Barrientos, sapo mori vesh lajmin për kapjen e tij dha urdhër që të pushkatohet. Ai u ekzekutua në orën 13:10 të 9 tetorit 1967. Më pas, trupi i tij u vendos në një helikopter dhe u dërgua në Vallegrande, ku edhe iu tregua shtypit.

Marrëdhëniet shqiptaro-serbe

Me Jugosllavinë, të paktën marrëdhëniet sportive ishin normale, kjo u reflektua para, gjatë dhe pas ndeshjes në “Qemal Stafa” që u fitua 2- 0 nga serbët. Në Kupën Ballkanike për klube në futboll nuk kemi asnjë përballje (e para SlobodaPartizani 1-1 dhe 1-2 në vitin 1970) dhe ajo e Beogradit midis përfaqësueseve pritej me interesim, pasi edhe atmosfera ishte pak më ndryshe se ajo e Tiranës, pak muaj më parë. Ka tension, së pari sportiv, sepse vendësve u kërkohet jo vetëm fitorja, por të shënojnë sa më shumë gola. Ndërkaq ka edhe presion politik, pasi mjaft shqiptarë, që jetojnë në trevat e ish-Jugosllavisë, do të vërshonin për të ndjekur takimin.

Grupi i futbollistëve anti-Jugosllavi

Deri para kësaj ndeshjeje, Kombëtarja shqiptare nuk zhvillon asnjë miqësore, ndërkohë luhet për Kupat e FSHF-së. Vetëm disa javë para përballjes, “Sporti Popullor” jep njoftimin: “Filluan përgatitjet e skuadrës sonë kombëtare të futbollit për ndeshjen e 12 nëntorit në Beograd. Trajneri L. Boriçi ka grumbulluar: Rama, Janku, Jozja (portierë); Jorgaqi, Vaso, Dembo, G.Xhafa, Stringa (mbrojtës); Mema, Rragami, Shllaku, Kazanxhi (gjysmëmbrojtës); Andoni, Pano, Çeco, Zhega, Bizi, Hyka sulmues. Parashikohen edhe tri ndeshje miqësore”.

futbollistet jugosllave

Një natë në Maqedoni

Grumbullimi u organizua në Tiranë. Pastaj, një natë qëndrimi dhe stërvitje në Pogradec dhe sërish me autobus drejt Serbisë. Një natë në Shkup, ku ora e madhe e qytetit kishte ngelur 6 pa pesë minuta, pikërisht në çastin kur ishte regjistruar tërmeti i rëndë, ndërkohë që përgjatë rrugës, futbollistët vështrojnë çadra të ngritura ku ishin vendosur familjet e dëmtuara.

Për në Jugosllavi udhëtuan lojtarët e formacionit, trajnerët, një portier dhe tre futbollistë rezervë (ende nuk lejoheshin zëvendësimet gjatë ndeshjes), mjeku Ismail Feta dhe kryetar delegacioni Pandi Allabashi, kryetar i Fizkulturës së Korçës. Mbërritja në Beograd të premten, më 10 nëntor, dhe sistemimi në hotelin “Pallas”, para të cilit qëndronin qindra shqiptarë që i prisnin. Ndeshja do të luhej ditën e diel, në mesditë.

Renditja në grup para takimit

Para ndeshjes, situata në grup ishte: RF Gjermane 4 pikë në 3 ndeshje (2 fitore, 1 humbje me golavarazh 6-1); Jugosllavia me 4 pikë në 2 ndeshje (2 fitore, 1 humbje me golavarazh 4- 3). Takimet e zhvilluara kishin përfunduar: RF Gjermane-Shqipëri 6-0; Shqipëri-Jugosllavi 0-2; Jugosllavi-RF Gjermane 1-0 dhe e fundit ishte ajo e luajtur midis RF Gjermane dhe Jugosllavisë përfunduar 3-1.

Për herë të parë me ngjyra

Ajo që përbën kuriozitet si një eveniment i madh për kohën ka qenë se pikërisht ndeshja e grupit të katërt, sfida midis RF GjermaneJugosllavi 3-1, e luajtur në Hamburg më 7 tetor të 1967-ës, e drejtuar nga italiani i famshëm Concetto LoBello, regjistron ndeshjen e parë futbolli të transmetuar me ngjyra në televizion. Por, sipas shtypit të huaj, në pjesën e dytë, për shkak të keqësimit të kushteve atmosferike, shiut të madh, transmetimi ka vijuar bardhezi.

Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0, kur Loher realizoi nga një distancë e largët, ndërsa në fillim të pjesës së dytë Zambata barazoi. Në të 70′, RFGJ kthehet në avantazh me një gol shënuar me kokë nga Myler dhe, në 86′, sërish me kokë Zeler trefishon shifrat.

Boriçi ndryshoi formacionin

Nga ndeshja me RF Gjermane në Dortmund, pastaj në Tiranë me Jugosllavinë, Boriçi bën disa ndryshime. Në portë, në Beograd, portier i parë do të jetë Jani Rama, titullar i Dinamos, shtatlartë, elegant, që luan mirë në ajër. Ky mund të jetë edhe motivi i aktivizimit të tij, pasi Boriçi e dinte se loja e vendësve do të përqendrohej në dyluftimet ajrore.

Për Ramën, kjo ishte e para si titullar me përfaqësuesen, ndërsa Janku qëndron rezervë, madje ndeshja me Jugosllavinë në Tiranë do të rezultojë e fundit për të me përfaqë- suesen. Nëse në Beograd luan Rama, në përballjen me RF Gjermane pas një muaji, tjetër portier do të shohim në portë. Rama do të rikthehet edhe në dy takime të tjera, në vitin 1973, në Magdeburg, RD Gjermane-Shqipëri 2-0 dhe në “Qemal Stafa”, një muaj më vonë kundër Rumanisë 1-4.

Në Beograd nuk luajnë Frashëri e Kazanxhi, po kështu edhe Xhaçka e Vorfi që ndahen përfundimisht me kombëtaren. Bashkë Ramën, debuton G. Xhafa dhe mbrojtësi biond Jorgaqi i Labinotit. Rikthehet Sabah Bizi dhe pas Irlandës 1-1, sërish në formacion është edhe Foto Andoni i Partizanit i konsideruar një ndër talentet e mëdha të kohës (edhe për të do të jetë ndeshja e fundit).

Edhe jugosllavët me të tjerë lojtarë

Ndryshmi te skuadra jugosllave është kolosal. Nga ndeshja në “Qemal Stafa”, luajnë vetëm tre lojtarë: Fazllagiç, Holcer dhe Xhaiç. Po kështu edhe ndaj Gjermanisë dhe para takimit me Shqipërinë ai ka ndryshime thelbësore: Nga ndeshja me RF Gjermane luajnë vetëm Fazllagiç, Holcer, Osim e Xhaiç, dhe jo Zambata, autori i golave antishqiptarë dhe i të vetmit në Hamburg, as Skoblar. Ndaj shqiptarëve trajneri Mitic aktivizon gjashtë futbollistë të tjerë: Vukçeviç, Damjanoviç, Djordeviç, Paunoviç, Lazareviç e Spreko.

Capture

“Kërcënimi” me dhjetë topa në rrjetë

Në prag të takimit, që siç thamë, është e fundit për Jugosllavinë duke parë golavarazhin, media dhe i gjithë opinioni në Jugosllavi kishin përgatitur një terren agresiv ndaj Kombëtares Shqiptare, me pretendimin se do të shënonin mbi dhjetë gola. Me një atmosferë të rëndë psikologjike janë përballur stafi shqiptar sapo ka mbërritur në Beograd, madje në seancën stërvitore, një ditë para takimit, jo pa qëllim, në njërën portë kanë gjetur dhjetë topa, që vendasit i kishin vendosur për të treguar supremacinë dhe sasinë e golave që do të shënonin. “Ishte Zhega që shkoi te porta dhe i nxori topat”, kujton Iljaz Çeço.

Himni, tjetër moment delikat

Ky ishte një tjetër moment i vështirë që i parapriu sfidës. Pas himnit të ekzekutuar në “Qemal Stafa” (pa asnjë tifoz të ardhur që shoqëronte skuadrën kundërshtare), ai në Beograd ishte ndryshe: Për herë të parë pas gati 20 vitesh, në një stadium jugosllav të mbushur me shqiptarë nga e gjithë Jugosllavia që kishin ardhur për të ndjekur takimin, do të ekzekutohej himni i Shqipërisë. Dhe ai u shoqërua nga zërat e dhjetë mijë kosovarëve të pranishëm aty që e këndonin me zë të lartë atë.

12.11.1967, Beograd

Stadiumi “Armatës”, ora 16:00

JUGOSLLAVI-SHQIPËRI 4-0 (1-0)

JUGOSLLAVIA: Vukcevic, Fazllagiç, Pavloviç,Damianoviç, Holcer, Georgevic, Spreca, Rora, Lazarevic, Osim, Xhaic. Trajner: R.Mitiç.

SHQIPËRIA: Rama, Xhafa, Jorgaqi Vaso, A. Mema,Rragami, Bizi, Shllkaku (Kap), Andoni, Pano, Zhega. Trajner: L.Boriçi

GOLAT: Screcko 40′, Osim 48, 71, Lazareviç 56′.

ARBITËR: Radulescu (Rumani)

SPEKTATORË: 40.000

NGJYRAT E UNIFORMAVE: Jugosllavia bardheblu; Shqipëria kuqezi.

 

Kronika e ndeshjes, golat erdhën nga… ajri

Ajo që na mundëson disa momente filmike nga ky takim është “YuoTube”. Golin e parë Jugosllavia e realizon me Screckon në minutën e 40-të: Harkim pa asnjë pretendim nga e majta, topi në shtyllë, aty ku bashkohen ajo vertikale me horizontalen lart, në të majtë të Ramës, përplaset në tokë. Ka protesta gol jo gol, por topi sipas arbitrave e ka kaluar vijën e portës. Goli vijues realizohet sapo ka filluar pjesa e dytë.

Osim pak diagonal, godet fuqishëm dhe gol në krahun e majtë lart Ramës. I treti, sërish harkim nga e majta dhe Lazareviç te zona e 5-metrëshit, i pambuluar devijon me kokë saktë nga e djathta e Ramës. Dhe i fundit, po nga e majta, një harkim dhe Osim ndonëse në dyluftim, godet me kokë një top pa pretendime, por Rama reagon me vonesë dhe ngjitur me shtyllën në të djathtë të tij, topi ndalon në rrjetë. Para shënimit të golit të katërt, Shqipëria ka një rast: Pano i jep një pasim inteligjent Bizit, që i vetëm pak diagonal, godet, por pret portieri vendës. Pjesa e dytë zhvillohet në një presion të madh të vendësve. Ai që pritej të shënonte, Xhaiç, nuk mundi të realizonte asnjë një gol. Ndërkohë, edhe rezultati pritej më i thellë. Pas këtij takimi renditja është:

Jugosllavia 6 RF

Gjermane 4

Shqipëria 0

Për RFGj-në fitorja është vendimtare për kualifikim, pasi edhe golavarazhin e ka në favor. Në të kundërtën, edhe një barazim do i ndëshkonte rëndë….

Enigma e një transmetimi

Ndeshja është transmetuar në televizionin vendës, por në Shqipëri është ndjekur dhe parë në pjesën veriore të vendit nga ata pak televizorë që mund të kishin familjet e qyteteve, kryesisht Shkodra që e merrte sinjalin direkt nga kanalet jugosllave për afërsinë me transmetuesit të vendosur në Malin e Zi. Në Shqipëri janë vitet e Televizionit Eksperimental dhe ende nuk funksionon ajo lidhje apo transmetim direkt, ndërsa në Radio sipas Bellovës, një koment ka bërë Pandi Allabashi, Përgjegjësi i Kombëtares. Ndryshe në Mal të Zi, Maqedoni dhe Kosovë, kjo ndeshje është parë në televizion dhe është transmetuar në radio.

Analiza te “Sporti”: Boriçi kritikon skuadrën e tij

Kuptohet që në Beograd nuk ka pasur gazetar sportiv të shoqërojë skuadrën. Me kthimin në Shqipëri, në numrin e “Sportit” të datës 21 nëntor, nga Loro Boriçi, trajner i përfaqësues, krahas kronologjisë së 90-të minutave, lexojmë një koment kritik të tij ndaj skuadrës Kombëtare, të cilën e drejton ai vetë.

Midis të tjerave ai thekson se: “Ekipi ynë nuk ishte i përgatitur në mënyrë të gjithanshme për të përballuar ndeshjen. Atij i mungonte përgatitja e duhur fizike, e cila e ka shkakun në punën e dobët dhe jo serioze që bëhet në skuadrat e rretheve dhe të klubeve”. Nuk ishte hera e parë sepse edhe pas kthimit nga RF Gjermane dhe humbjes së thellë 6-0, ishte vetë Boriçi, trajneri skuadrës që analizonte disfatën. Një koment të tillë ai do ta bënte edhe pas kthimit të Partizanit nga Torino. Mungesa e një gazetari sportiv ndoshta e provokonte Boriçin e madh të bënte edhe punën e analistit, kritikut. Kështu funksiononte në ato vite, kur në raste të veçanta trajneri i bënte analizën publike skuadrës së tij.

Ditët beogradase të shqiptarëve

Ka qenë e jashtëzakonshme pritja, dëshira dhe malli pa kufi i shqiptarëve që jetonin atje. Për sa ditë Kombëtarja qëndroi në Beograd ka qenë e rrethuar në çdo moment nga bashkëkombësit e ardhur nga të gjitha trojet shqiptare. Por, si i kujtojnë ato çaste disa nga protagonistët? Loro Boriçi në gazetën “Sporti” shkruante: “Nuk mund të harrohen çastet më prekëse të atyre takimeve. Midis tyre kishte edhe pleq edhe të rritur, të rinj e të reja. Ata dëshironin një kujtim nga Shqipëria. Nxorëm paketat dhe u dhamë nga një cigare Shqipërie. Madje edhe disa fëmijë e morën cigaren… ‘do ia çojmë babait si kujtim, pasi nuk mundi me ardh’, na thoshin.

Edhe kutinë bosh e kërkuan kur ajo mbaroi. Një tjetri i dhamë një gazetë ‘Zëri i Popullit’. Edhe në largim, na përcollën me këngë të kompozuara prej tyre. Dëshira për të bërë një foto reflektohej qartë tek ata, madje kërkuan ta bëjnë një të tillë para autobusit duke pasur kujdes që të dukej qartë targa me inicialet TR”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"