Shqipëri-Jugosllavi 50 vite më parë, duel nën tingujt e këngëve revolucionare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2017 | 21:29

Shqipëri-Jugosllavi 50 vite më parë, duel nën tingujt e këngëve revolucionare

Në vijim të udhëtimit tonë me ekipin kombëtar të futbollit për Eliminatoret “Euro ’68” dhe drejt sfidës historike të 17 dhjetorit ’67 ndaj Gjermanisë në Tiranë, ndalesa e radhës është përballja Shqipëri-Jugosllavi më 14 maj të atij viti, një sfidë krejt ndryshe me atë të Dortmundit, luajtur një muaj më parë:

Tejet delikate, impenjative jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe shumë në atë politik, një ndeshje që nuk duhej humbur dhe ky kusht kërkohej medoemos. Për këtë ishin angazhuar të gjithë, nga stafet teknike, futbollistë, deri te drejtuesit e lartë të shtetit, madje edhe publiku i pranishëm në stadium.

Por, si u zhvillua ajo, cila ishte prag sfida, si e kujtojnë atë protagonistët që zbritën në “Qemal Stafa” të dielën e asaj dite maji të një gjysmë shekulli më parë? Si e rikthen Niko Xhaçka atë 90-minutësh, nisja nga Durrësi direkt për në ndeshje dhe orientimi për të mos i dhënë dorën kundërshtarit? Apo dueli Frashëri-Xhaiç, i paharruar për kohën, dhe këngët revolucionare që u kënduan në stadium?

ndeshja 2

HISTORIA E SHKURTËR E PËRBALLJES

Ky ishte takimi i parë midis dy përfaqësueseve në një eveniment kaq madhor europian pas ndeshjes së zhvilluar në Tiranë për Ballkaniadë, Shqipëri-Jugosllavi 2-3, asaj pas një viti po në Tiranë ShqipëriJugosllavi 2-4 dhe ShqipëriJugosllavi, 0-0, në Beograd më 27.6.1948 për Kampionati e Europës Qendrore.

Pas njëzet vitesh, një përballje e tillë e sërish në “Qemal Stafa” dhe nga ’46-ta ishte prezent vetëm Loro Boriçi, kapiten i kombëtares kampione të Ballkanit, tani trajner i përfaqësueses, si dhe Ratko Mitiç, futbollist i njohur, titullar në dy takimet e tjera ndaj Shqipërisë, edhe ky trajner i kombëtares jugosllave në këtë ndeshje.

Madje, midis tyre kishte edhe miqësi. Ajo, që e kishte paraprirë këtë përballje mbetej vetëm Ballkaniada në basketboll zhvilluar në Tiranë në dhjetorin e ’65-ës, në veçanti sfida përcaktuese për trofeun, Shqipëri-Jugosllavi që u zhvillua me një rivalitet, e fituar me katër pikë nga jugosllavët në sekondat e fundit.

PRAG-SFIDA, SITUATË E TENSIONUAR

Pragsfida ka si start festën e 1 Majit. Manifestimin e Madh Fiskulturalo-Sportiv të Rinisë së Kryeqytetit që zhvillohet në stadiumin “Dinamo” më 9 maj, ku ishte i pranishëm edhe Enver Hoxha. Pastaj përgatitjet për Kongresin e BPSH-së. Natyrisht, situata politikisht është e nderë, ndonëse marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve të ndërprera në ’48-tën janë rivendosur në ’55-ën, por në vite situata nuk ka ndryshuar, madje momente tensioni tentojnë të shfaqen edhe në këtë takim.

Ishte koha kur në Shqipëri kishte filluar një “revolucion” i ngjashëm me atë kinez, i shoqëruar me ashpërsimin e luftës se klasave, vendimin për ndalimin e besimeve fetare, luftën kundër burokracisë, qarkullin e kuadrit etj. Stadiumi është i mbushur disa orë para takimit dhe Tirana, e gjithë Shqipëria sportive, e prisnin me kuriozitet e padurim të madh këtë takim me shpresën për një rezultat pozitiv.

Kjo vinte edhe nga motivimi i lojtarëve, fusha dhe spektatori si element mbështetës, por edhe nga barazimi 1-1 me Irlandën e Bestit në nëntorin e ’65-ës në “Qemal Stafa”. Në aspektin statistikor, kjo ishte ndeshja e dhjetë që zhvillonte skuadra kombëtare në një kompeticion zyrtar europian.

PAS GJERMANISË, NDRYSHON FORMACIONI

Pas ndeshjes dhe humbjes në Dortmund, me rikthimin e skuadrës në Shqipëri, vijohet me ndeshjet e Kupës së 500-vjetorit të “Skënderbeut”. Në takimin me Jugosllavinë, trajnerët Boriçi e Alla ruajnë bazën, me Partizan-17 Nëntorin, me të cilët janë edhe Dinella i Dinamos, Rragami i Vllaznisë, Vaso i Skënderbeut, Jorgaqi i Labinotit.

Skuadra është grumbulluar në Durrës, në Konvaleshencën, në plazh ku përgatitet për ndeshjen. Por formacion antijugosllav ka disa ndryshime: nuk aktivizohen Hyka, Ishka të 17 Nëntorit e Bizi i Vllaznisë, në gjendje shëndetësore jo të mirë, dhe në skuadër rikthehen kapiteni Shllaku, Medin Zhega, ndërsa surprizë është riaktivizimi i Lorenc Vorfit, sulmuesi i djathtë i Dinamos, protagonist në takimet e Kupës Ballkanike, një lojtar robust, i fortë. Bashkë me të edhe Niko Xhaçka rikthehet në formacion, një sulmues krahu edhe ky i 17 Nëntorit, që shquhet për formë të mirë, me detyrë të ndalojë daljet në sulm të Fazllagiçit.

Atë javë nuk luhet Kupa e 500-Vjetorit dhe në faqet sportive nuk ka publicitet të veçantë për këtë takim. Në prag të takimit, gjendja në grupin e 4-t, i vetmi me tri skuadra nga tetë grupet e tjera është: RF Gjermane dhe Jugosllavia me 2 pikë, Shqipëria 0 pikë.

JUGOSLLAVIA, SKUADËR E FORTË

Skuadra jugosllave erdhi në Shqipëri pasi kishte triumfuar 1-0 një javë më parë ndaj RF Gjermane, një ndeshje e zhvilluar në Beograd ku me një gol të Josif Skoblar kishte mundur 1-0 Gjermaninë. Me këtë formacion: Panteliç, Fazlagiç, Jusufi, Brnçiç, Rasoviç, Holcer, Meliç, Becejak, Hasanagiç, Skoblar, Xhaiç. Ndërsa për takimin ndaj Shqipërisë, trajneri Rajko Mitiç kishte marrë të tjerë lojtarë, duke ndryshuar thuajse gjysmën e skuadrës:

Nuk vijnë portieri Pantelic i Vojvodinës, Fahrudin Jusufi i Eintraht, Mustafa Hasanagiç i Partizanit dhe Josip Eskobar i Olimpik Marsejës. Për Tiranën, ai merr portierin e Radnickit Knezeviç, që vetëm në atë takim luan me kombëtaren, Becejak, Petar Nodovezën e Hajdukut, Stefan Lamza të Dinamos së Zagrebit dhe Zlaven Zambata, sulmuesin e Dinamos së Zagrebit, fitues i Kupës së Panaireve me këtë klub.

Skuadra jugosllave ishte nënkampione e Europës në edicionin e parë, atë të vitit 1960: Pasi kishte eliminuar Francën në gjysmëfinale 5-4 (konsiderohet ndeshja më e bukur e historisë së futbollit jugosllav), humbi 2-1 finalen me Bashkimin Sovjetik. Në edicionin e Botërorit 1962, shkon deri në gjysmëfinale, ndërsa në eliminatoret e “Euro 1964” nuk arriti të kualifikohet. Skuadra ka në përbërje sulmuesin e majtë, Dragan Xhaiç të Cervena Zvezdës, që në fazën finaleve “Itali ’68” do të ishte shënuesi më i mirë duke qenë i treti i “Topit të Artë” në atë sezon, pas Best e B. Çarlton.

NDESHJA, NJË I NXEHTË TROPIKAL

Takimi u zhvillua në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, të tejmbushur, në mesditën e nxehtë të së dielës së 14 majit 1967, (e diel si dhe ajo e këtij maji). Në stadium ishte vendosur një baner ku shkruhej: “Të gjitha votat për kandidatët e frontit” që do të bëhen në ditët e para të qershorit. Para fillimit, gjatë kohës që skuadrat janë duke bërë nxehmjen, në tribunën anësore nga kodrat e liqenit, në një podium të improvizuar, këngëtarë të njohur të muzikës shqiptare këndojnë këngë revolucionare për të elektrizuar atmosferën.

Altoparlanti buçet me tingujt e “Në njërën dorë kazmën atdheun ndërtojmë, në dorën tjetër pushkën fitoret i mbrojmë”, por që kjo formë u kritikua nga tribuna qendrore. Në 16:00, skuadrat dolën në fushë me këto formacione:

SHQIPËRIA: Janku (Par), Frashëri (17 Nën), Vaso (Skë), Kazanxhi (17 Nën), Mema (17 Nën), Rragami (Vllaz), Shllaku (Par), Vorfi (Din), Pano (Par), Zhega (Din), Xhaçka (17 Nën). Trajner: L. Borici.

JUGOSLLAVIA: M. Knezeviç (Radnicki), M. Fazlagiç (FC Sarajevo), M. Brnçiç (Dinamo Z), V. Becejaç (Partizan), B. Rasoviç (Partizan), D.Holcer (Hajduk), V. Meliç (Sosho), P. Nadoveza), Z. Zambata (Dinamo Z), S. Lamza (Dinamo Z), D. Xhaiç (C. Zvedza). Trajner: R. Mitiç.

ARBITËR: C.Xanthoulis (Qipro), S. Mavrojenis, A. Kuniaides.

GOLAT: Zambata 22′, 54′

Kronikë: Ndonëse pritej që Xhaiç, ndër lojtarët më në formë, në vitet e shpërthimit të ishte protagonist, ndëshkimi erdhi nga një lojtar i panjohur si Zlaven Zambata, sulmues i Dinamos së Zagrebit, i aktivizuar në këtë ndeshje nga trajneri Mitiç, i cili realizoi dy herë me kokë nga afër pas dy harkimeve nga krahët, në minutat 22 e 54.

Ndërkohë, gazeta “Sporti” e të martës vijuese (jo si ndaj Gjermanisë kur kujtohet të shkruajë pas dy javësh!), pa autor, por me “Korresp”, publikon artikullin me titull “Lojë e dobët e ekipit tonë përfaqësues”, i cili është shumë kritik ndaj lojës, paraqitjes së lojtarëve të kombëtares, që kanë zhgënjyer interesimin e publikut. Vetëm në një rast në fundlojë, minuta 86, Zhega ka depërtuar në zonë, topi është ndaluar me dorë nga mbrojtësi Brnçiç, por arbitri ka dhënë goditje dënimi jashtë zone.

shkrimi ne gazeten sporti

Ndërkohë, ndeshja u transmetua si zakonisht nga Radio-Tirana dhe u komentua nga Anton Mazreku e Ismet Bellova, ndërsa është dhënë edhe nga Qendra Eksperimentore e Televizionit nën komentin e Alfons Gurashit, pasi Skifter Këlliçi në atë periudhë ishte transferuar me punë në Berat. Pas dy ndeshjeve, renditja ishte: Jugosllavia 4 pikë; RF Gjermane 2 pikë dhe Shqipëria 0 pikë.

Takimet e radhës ishin: 7 tetor RF Gjermane-Jugosllavi; 12 nëntor Jugosllavi-Shqipëri dhe 17 dhjetor Shqipëri-RF Gjermane. Në Shqipëri, aktiviteti futbollistik rifillon me fazën e dytë të kampionatit që ka si epilog përjashtimin e 17 Nëntorit e Partizanit me Dinamon kampione në tavolinë. Por, edhe me Kinën që ka lëshuar në hapësirë bombën me hidrogjen, një sukses i madh ky edhe për Shqipërinë mike!

Niko Xhaçka: Byroja na tha të mos jepnim as dorën

I diplomuar, lojtar tipik i shpejtë krahu, driblues, titullar e protagonist me numrin 7 te 17 Nëntori, i rikthehet sfidës me Jugosllavinë në të cilën ka luajtur me numrin 11. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ish-futbollisti i shquar tregon disa nga detajet pikante të asaj ndeshjeje të një tensioni të madh.

Niko, pse do ta fillosh nga Roma?

Pasi ka një detaj historik: Nga Gjermania mbërritëm në Romë dhe skuadra u sistemua në hotel “Siracusa”, afër stacionit Termini. Të nesërmen në mëngjes trajneri Alla dhe përgjegjësi i ekipit, Besim Fagu kërkuan të takohen me Naim Kryeziun. Pas pak ata u takuan në hollin e hotelit ku isha i pranishëm edhe unë, pasi Lymi më mori si lojtar krahu, ashtu siç luante edhe Kryeziu te Roma.

Qëndruan aty, pastaj u larguan së bashku, ndërsa ne futbollistët kujtoj se dikush pa derbin Lacio-Roma, të tjerë shkuan në kinema. Kur u kthyem në Tiranë, takimi me Kryeziun u bë problem, pasi drejtuesve të shtetit nuk u kishte pëlqyer ky takim që siç flitej kishte të bënte me mosardhjen e Kryeziut e Lushtës në Ballkaniadën e 46- ës.

Ishte Boriçi që të riktheu në skuadër?

Pas humbjes me Zvicrën u dha një orientim për të marrë në skuadër lojtarë të fortë fizikisht, më me eksperiencë, ndaj e pësuam ne që konsideroheshim të rinj, kjo vetëm për dy takimet në Zvicër dhe Irlandë. Më larguan mua, Vorfin dhe Kasmin, por me marrjen e kombëtares, Boriçi na riktheu në formacion duke më aktivizuar në dy sfidat e radhës në Dortmund e Tiranë. Nuk e di edhe sot se si Boriçi më afroi mua, sepse dihej mentaliteti i Boriçit për futbollistët shtatshkurtër… Kryesisht preferonte lojtarët me fizik të gjatë e të fortë.

Pas Gjermanisë, tjetër humbje…

Po të shohësh takimin, në Dortmund nga ana cilësore kemi luajtur mirë dhe nuk ishte një lojë mbrojtëse. Kam mendimin se aty u gabua në disa vendosje taktike. Edhe për një fakt: Gjatë qëndrimit në Dortmund, na vinin telegrame të panumërta, të cilat na i lexonin, ku të gjithë shprehin dëshirën dhe shpresën për një rezultat pozitiv duke krijuar një situatë psikologjike jo normale. Ndërsa ndeshja me Jugosllavinë u humb për mungesë eksperience, pa shumë takime ndërkombëtare, edhe për situatën, një takim i cili u trajtua pak më shumë në aspektin politik se sportiv.

ndeshja 1

Çfarë u fol për taktikën?

Jugosllavia ishte skuadër shumë e fortë dhe kishte diferencë me ne që ishim të ngurtësuar, madje nuk erdhëm një ditë më parë te “Donika”, siç ishte tradita, pasi skuadra e mbajt larg kryeqytetit. Edhe gjatë analizës, pas Boriçit foli Zyber Konçi për mënyrën si luante kundërshtari, pasi si punonjës i FSHF-së kishte ndjekur takimin Jugosllavi-Gjermani 1-0.

Për në stadium jemi nisur direkt nga Durrësi. Unë kam luajtur kundër kapitenit Fazllagiç, lojtar i shpejtë, i fortë fizikisht, aktiv sidomos me daljet në sulm. Nga ajo ndeshje kujtoj përballjen Frashëri-Xhaiç, e paharruar, sidomos loja e këtij të fundit, një futbollist fama e të cilit sapo kishte shpërthyer dhe e kërkonin klubet prestigjioze në Europë.

Cila ishte atmosfera në prag të asaj ndeshjeje?

Kujtoj se në Konvaleshencën e Ushtrisë kanë ardhur për të na takuar sistematikisht drejtues të lartë të shtetit deri anëtarët e Byrosë, si Ramiz Alia. Interesimi ishte i jashtëzakonshëm edhe për vetë marrëdhëniet politike që ishin në ato vite. Nuk harroj kur na këshilluan: Nuk duhet të keni asnjë kontakt me ta, mos pranoni dhënien e dorës në fund të ndeshjes.

Por kur ajo mbaroi, Fazllagiç erdhi drejt meje dhe më zgjati dorën. Hezitova për një çast, hodha vështrimin nga tribuna dhe kur pashë që njerëzit po largoheshin, u përshëndeta duke i dhënë dorën, por me frikë. Në atë takim, në tribunën qendrore ishin thuajse të gjithë drejtuesit e shtetit, me përjashtim të Enver Hoxhës e Mehmet Shehut.

Niko, kjo ishte e fundit për ju?

Po, pasi në shtator më mobilizuan në zborin 6-mujor pasuniversitar në Burrel. Vetëm një muaj kam luajtur në Kategorinë e Dytë. Kjo më dëmtoi në karrierën time, si me 17 Nëntorin edhe me kombëtaren, pasi isha në formë dhe qëndrimi pa luajtur, por duke shërbyer si efektiv i Repartit të Këmbësorisë ndryshoi të ardhmen time si futbollist. M’u desh një kohë e gjatë të rifitoja atë që kisha humbur gjatë një gjysmëviti pa aktivitet.

Nga UVIL ZAJMI 

* Artikull i shkruar për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi në print ose online.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"