Shqipëri – Itali 0-1/ Ja notat e ndeshjes sipas “Panorama Sport”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2017 | 22:03

Shqipëri – Itali 0-1/ Ja notat e ndeshjes sipas “Panorama Sport”

“Panorama Sport” ju sjell vlerësimet dhe notat e protagonistëve të ndeshjes Shqipëri 0-1 Itali, të luajtur në “Loro Boriçi”. Më i miri për kuqezinjtë ishte Grezda, ndërsa në kampin italian “shkëlqen” mbrojtja.

kandreva gol shqiperi itali

Shqipëria

Berisha 6 – Mbyll mjaft mirë rastin e vetëm të rrezikshëm që ka Italia në pjesën e parë duke ndalur Imobilen. Është gjithmonë i vëmendshëm në të gjitha sulmet e Italisë dhe gjithmonë një pikë pasimi për shokët e skuadrës.

Hysaj 6– Nuk i la hapësira shokut të tij të skuadrës Insinje, por ndonjë gabim të vogël e bën. Prej tij shqiptarët presin perfeksionin, për më tepër kur luan në një ekip si Napoli që pikën më të fortë ka pasimin.

Veseli 5,5– Rrezikon shumë kur prek topin me dorë në pjesën e parë, por gjyqtari nuk e pa. Megjithatë, bën një ndeshje të mirë, edhe pse ndonjëherë gjendet i papërgatitur dhe i pavendosur në momentin e golit të Italisë.

Mavraj 6,5– Lexon një kohë më përpara të gjitha pasimet e Italisë dhe e bën lëvizjen i pari duke fituar thuajse të gjitha duelet me Imobilen dhe Ederin. Rezulton një nga më të mirët në mbrojtjen e Shqipërisë.

Agolli 5.5– Mëkat për mosmarrëveshjen që ka me shokët e skuadrës në golin e kundërshtarëve dhe paguan “faturën” e gabimeve që bënë të gjithë në atë aksion. Në pjesën tjetër lufton për çdo top dhe duket në një mbrëmje vërtet pozitive.

Basha 6,5– Për aq kohë sa është në fushë është më i miri i ndeshjes. Shqipëria humbet busullën kur ai largohet. I ndihmon shumë shokët e skuadrës që gjejnë tek ai lojtarin e vetëm të lirë për të pasuar.

(Nga 70′, Lila 5 – Kush mund të merrte karton të verdhë i pari në një ndeshje të tillë. Ka shumë grintë dhe këtë e demonstron sapo futet…)

Kaçe 6– Çfarë mund të thuash. Ka shumë dëshirë t’i mbyllë të gjitha aksionet e Italisë dhe shpeshherë ia del, por është i pasaktë ndonjëherë kur duhet të nisë aksionin. Vuan lodhjen e ndeshjes me Spanjën).

Memushaj 5– Bën presing të mirë dhe efikas në momentin që topin e kanë “regjisorët” e Italisë. Krijon volum vetëm në kilometra dhe jo në pasime. Por, prej tij, Shqipëria kërkon këto të fundit…

(Nga 77′ Latifi 6– Shumë pak minuta, por mjaftojnë kaq për të përhapur panik në zonën e Italisë me një krosim të hidhur).

Roshi 5– “Motori” i ekipit nuk u ndez kurrë, edhe pse përballë kishte një nga mbrojtësit më të talentuar të Italisë si Spinacola. Shokët e skuadrës e kërkojnë shpesh dhe ai kërcënon Bufonin në fillimin e pjesës së dytë, pastaj asgjë tjetër.

(Nga 90′, Ahmedi – Pa notë)

Sadiku 5,5– Përpiqet të kalojë në hapësira të ndryshme të sulmit të Italisë për të mos i dhënë pikë referimi mbrojtjes, por Kielini dhe Bonuçi janë ekspertë dhe nuk e lejojnë të jetë i rrezikshëm.

Grezda 6,5– Surpriza e bukur e mbrëmjes. E bën Darmianin me dhimbje koke sa herë ka topin dhe, për më tepër, surprizon Bufonin me një të djathtë të hidhur. Topi i goditur prej tij merr një trajektore të çuditshme, por në rastin e golit të Italisë mund të bënte më mirë.

Trajneri Panuçi 6– Ndryshe nga ndeshjet e mëparshme këtë herë duket se zbriti ekipin e duhur në fushën e lojës. Skuadra krijoi raste, por edhe i la terren kundërshtarit. Por nuk mund të presim mrekulli nga ai në ndeshjen e katërt me kuqezinjtë.

Hysaj dhe Insinje

Italia

Bufon 6,5– Bën ndërhyrjen e mbrëmjes, pasi Grezda godet me zgjuarsi me të djathtën. I vëmendshëm edhe në momente të tjera për të mos u gjendur i papërgatitur nga aksionet e Shqipërisë.

Darmian 5,5– Është mirë në fazën mbrojtëse dhe nuk lë shumë hapësira për kuqezinjtë, por nuk e ndihmon sa duhet Kandrevën në sulm.

(Nga 71′ Zapakosta 5,5– Si për çudi, Shqipëria provon nga krahu i tij të arrijë barazimin, por për fatin e tij nuk ia del).

Bonuçi 5,5– Jo aq skandaloz sa në ndeshjen me Maqedoninë, por ende nuk është në nivelin e tij. Vuan shumë kur kundërshtarët vendosin ta driblojnë dhe në fund humbet një top që mund të shndërrohej në gol. Megjithatë me një pasim të zgjuar nxjerr Imobilen të lirë përpara portës.

Kielini 6,5– Tjetër ndeshje e mirë, pavarësisht kartonit të verdhë. Më i miri i mbrojtjes së Italisë. Gjithmonë i vëmendshëm dhe asnjëherë në panik. Është vendimtar në ndërhyrjen pas krosimit të Latifit.

Spinacola 6– Shkon ai më shumë herë në fundore sesa Insinje, por pa vazhdimësi dhe nuk bën ndeshjen perfekte. Por jep asistin e golit që vlen shumë për Italinë.

Parolo 5,5– Dukshëm në vështirësi. Shumë larg pritshmërive, pa arritur asnjëherë të ofrojë kontribut në lojën e Italisë. Mesfusha e Shqipërisë e izolon mirë.

Galjardini 6– Më mirë sesa me Maqedoninë, por bën me nerva Venturën me pasimet horizontale. Ka grintë dhe shpeshherë ia del me muskuj të spostojë Kaçen.

Kandreva 6– Gabon thuajse gjithçka që kërkon të bëjë, si krosimet në zonë, ashtu edhe pasimet për shokët e tij. Si për ironi të fatit vjen goditja fatale për Shqipërinë në minutën e 73-të, e cila transformon ndeshjen e tij.

Eder 5,5– E ka të vështirë të gjejë gjuhën e përbashkët me Imobilen. Mund të ishte “vrasës” me kundërsulm, por nuk është i kthjellët në momentin e fundit.

(Nga min 89′ Gabiadini– Pa notë).

Imobile 5,5– Për të katërtën herë ka mundësinë që të kalojë në avantazh Italinë, por sërish nuk e shfrytëzon siç duhet. Është si një “luan” i tërbuar, por gjen shumë pak hapësira në mbrojtje.

Insinje 5,5– Asgjë për të thënë. Penalizohet shumë nga moduli që përdor Ventura dhe nuk arrin të jetë protagonist. Më mirë në pjesën e dytë, por nuk hyn asnjëherë në fushë. Edhe për faktin se Hysaj e njeh mirë

(Nga 91′ El Sharaui- Pa notë).

Trajneri Ventura 5,5– Në krahasim në ndeshjen me Maqedoninë, më mirë është vetëm rezultati, por jo loja. Moduli 4-4-2, i maskuar si një 4-2-4 nuk është i duhuri për të larguar kritikat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"