Shqetëson vetëm Hidi, Dede: Fitojmë me shpirt e sakrificë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2021 | 22:35

Shqetëson vetëm Hidi, Dede: Fitojmë me shpirt e sakrificë

Në “Tofik Jashari” pritet një finale e parakohshme. Nëse kreun e ka zaptuar Bylisi, lufta po bëhet për vendin e dytë. Këtë pozicion e ka Erzeni, e megjithatë e lakmon edhe kundërshtari i tyre i radhës. Përballet me Korabin, që është vetëm 1 pikë larg.

NEVIL DEDE

Shijakasit i kanë marrë që të gjitha masat dhe në shtëpi nuk kanë në plan që të flasin pikë. Nuk mund t’ia lejojnë vetes që të dorëzojnë pozicionin që kanë në klasifikim, për të mos kompromentuar misionin final. Një fitore e mundshme do të ishte super, pasi do t’u jepte mundësi që të shkëputen disi nga dibranët. Isli Hidi ka shfaqur disa probleme, por ekziston mundësia që të rikuperohet deri të dielën.

Nevil Dede beson se skuadra do t’ia dalë, ndonëse është në hall për portën. Trajneri, për “Panorama Sport”, thotë: “Për skuadrën tonë, çdo ndeshje është e rëndësishme. Ne do të japim maksimumin në fushë, sikurse kemi bërë gjatë procesit stërvitor. E respektojmë kundërshtarin, sepse ka ndërtuar një ekip që meriton të vlerësohet. Kam bindjen se të dielën, Erzeni do të bëjë më të mirën e mundshme duke luajtur me shpirt dhe duke sakrifikuar.

Entuziazmi i futbollistëve është i rëndësishëm për mua, ashtu si dhe për stafin tonë. Ndjehemi të sigurt, sepse grupi paraqitet mjaft mirë fizikisht. Më shqetëson vetëm portieri Hidi, që besoj se deri ditën e diel do të rikuperohet. Luajmë në shtëpi, ndaj duhet t’i kënaqim tifozët”, përfundon tekniku i shijakasve.

FIQIRI SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"