“Shqelm” halleve, Pepa: Do ta mundim Flamurtarin! Nuk kemi asnjë alternativë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2022 | 23:45

“Shqelm” halleve, Pepa: Do ta mundim Flamurtarin! Nuk kemi asnjë alternativë…

Renditen të parafundit, kanë dy javë pa fitore dhe presin Flamurtarin me mungesa. Parë në këtë këndvështrim, situata nuk premton para kësaj supersfide. E megjithatë, te Lushnja janë gati që t’i japin “shqelmin” problemeve. Këtë e thotë edhe Brunild Pepa, gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”.

Pepa Lushnja

Numri 9 i verdhejeshilëve është gati që të “sfidojë” edhe dëmtimin që ka pësuar, vetëm e vetëm që të jetë në fushë. “Kam një kontraktim te kofsha e djathtë. Është serioz, por deri ditën e ndeshjes do të jem në gjendje të mirë. Po bëj stërvitje, edhe pse kam pak shqetësim. Besoj se ditën e shtunë do të jem 100% gati.

Është një ndeshje e vështirë kjo me Flamurtarin. Ka një histori dhe një fanellë në kampionatin shqiptar, por ne jemi Lushnja dhe do të bëjmë lojën tonë. Sfidën e kemi përgatitur, të përqendruar maksimalisht. Besoj se çdo gjë do të shkojë mirë këtë fundjavë. Na duhet një rezultat i mirë për të kënaqur, veç të tjerave, edhe tifozët tanë. Kemi dy ndeshje që nuk kemi arritur te fitorja. Besoj se do t’ua dhurojmë këtë në fundjavë”, deklaroi autori i golave për lushnjarët.

MUNGESAT – Canka dhe Ruço e humbin këtë duel, por misioni i skuadrës mbetet i njëjtë: “Janë dy lojtarë shumë të rëndësishëm për ekipin tonë. Do të ishte mirë t’i kishim në fushë ndaj Flamurtarit, por kemi dhe të tjerë futbollistë në ekip. Ata mezi presin të japin më të mirën e tyre në fushë. Besoj se kushdo që do të futet në lojë do të japë maksimumin përballë Flamurtarit. Kjo kërkohet nga të gjithë, sepse vetëm kështu mund të arrijmë te fitorja. Canka, kapiteni i ekipit, është shumë i rëndësishëm si për ekipin, ashtu edhe për mua në fushë. Formojmë një dyshe të mirë”.

Brunild Pepa

E SHKUARA – 32-vjeçari i njeh mirë vlonjatët, pasi ka luajtur me ta në Superiore. “Për mua ka qenë një eksperiencë e mirë periudha që kam luajtur te Flamurtari. Kam shumë respekt për klubin vlonjat. Për ndeshjen, dua të luhet mirë nga të dyja ekipet. Të fitojë ai ekip që do të djersijë më shumë”, u shprehë sulmuesi.

GOLI – Lushnja ka vetëm një fitore, atë të javës së tretë, kur Pepa i shënoi një dopietë Besëlidhjes. “Çdo sulmues ka dëshirë të realizojë gol, por e rëndësishme është të fitojë ekipi. Nëse ia dalim, kaq mjafton”, evidentoi lushnjari.

TIFOZËT – Në fund vjen edhe mesazhi për tifozët. “Ne kemi tifozërinë më të mirë në Shqipëri. Ata janë të mërzitur me rezultatet tona. Besoj se do të vijnë dhe do të na mbështesin me Flamurtarin. Jam i bindur se do t’u dhurojmë një fundjavë të bukur atyre. Ata e presin me padurim ndeshjen tonë. Ekipi është i motivuar për të fituar, si e vetmja alternativë për ta kthyer situatën në favorin tonë. Këtë të shtunë kemi nevojë për mbështetjen e tifozëve”, përfundoi Pepa.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"