“Shpresojmë të luajmë disa ndeshje me tifozë”, Duka: Reja trajner i madh, mund të përsërisim sukseset e De Biasit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2020 | 11:30

“Shpresojmë të luajmë disa ndeshje me tifozë”, Duka: Reja trajner i madh, mund të përsërisim sukseset e De Biasit

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka shpreson që të paktën disa ndeshje të kampionatit shqiptar të luhen me tifozë, pasi sipas tij futbolli pa ta në shkallët e stadiumit nuk është i bukur.Armand-Duka

Në një intervistë të dhënë për median italiane “TuttoMercatoWeb”, gjithashtu presidenti i Federatës, ka folur edhe për Marash Kumbullën, për të cilin thotë se është e ardhmja e Kombëtares, por shton se nuk e di nëse do të ishte titullar në një klub të madh, duke parë interesimet në drejtim të tij. Për trajnerin Reja, Duka tha se është një trajner i madh, me të cilin Shqipëria mund të arrijë suksese të mëdha njëjtë si me De Biasin.

– President, si po shkojnë gjërat në Shqipëri?
– Kemi rinisur kampionatet, por me dyer të mbyllura. Futbolli pa spektatorë nuk është i bukur, por e bëjmë për të mirën e futbollistëve. Po e mbyllim kampionatin me shpresën, që të bëjmë edhe disa ndeshje me tifozë në stadiume. Megjithatë, tani që ka disa raste të reja me Covid-19, per momentin synojmë të mbyllim sezonin. I kemi rihapur të gjitha kategoritë.
– Çfarë mund të thoni për Kumbullën?
– Një mbrojtës i mirë, luan në kombëtare dhe përfaqëson të ardhmen tonë.
– Flitet se mund të shkojë tek Interi. Sipas jush, a është djaloshi gati për këtë hap të madh?
– Është akoma i ri, vetëm 20 vjeç, nuk e di nëse në një skuadër të madhe do të ishte menjëherë titullar, por me siguri mund të rritet edhe më shumë. Këtë vit te Verona ka treguar një personalitet të madh dhe të bën të mendosh që mund të shndërrohet në një “top-player”. Di që interesohet dhe Juventus, ka qenë dhe Napoli në janar… Për ne është e rëndësishme, që ai të luajë gjithmonë për 90 minuta, kudo ku ai zgjedh të luajë, kështu mund të jetë edhe në formë edhe për Kombëtaren.
– Tani është një sfidë direkte mes Juves dhe Lacios. Ju shqiptarët, gjithashtu keni përfaqësues edhe në Romë…
– Drejtori është i yni. Edhe portieri, Strakosha. Prej disa vitesh Lacio po luan mjaft mirë dhe në këtë kampionat po bën diçka të mrekullueshme: mund të luajë shanset e veta deri në fund. Nuk e di se në çfarë forme do të jenë pas ndërprerjes, por para fillimit të pandemisë ishin vërtetë në formë të shkëlqyer. Shpresojmë të jenë mirë dhe Strakosha të mos pësojë asnjë gol.presidenti-duka-per-wake-up
– Çfarë mendoni për Igli Taren?
– Mendoj se ai është i aftë të arrijë suksesin si në Itali, ashtu edhe në Evropë: ka gjetur lojtarë të mirë, duke ndërtuar një skuadër të aftë për të marrë rezultate të mira. Madje, edhe ekonomikisht ka bërë punë shumë të mirë: është e gjitha meritë e tij.
– Ju e doni Italinë. Çfarë mund të na thoni për trajnerin Reja?
– Edi është një trajner i madh, ka eksperiencë dhe shumë ndeshje në karrierë. Kemi shumë shpresa, që me të në stol të kualifikohemi në një turne madhor, duke përsëritur atë çfarë ka bërë heroi ynë Xhani De Biazi, të cilin e do i gjithë populli shqiptar.
– Si ndryshon kalendari i Kombëtares shqiptare?
– Mbetet thuajse i njëjti, në shtator do të kemi dy sfida të Nations League dhe pastaj tre në tetor, dy të Nations League dhe një miqësore për ne që nuk jemi në “play-off”. Të organizosh miqësore para kësaj date është e pamundur, pasi nuk gjen data.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"