“Shpresoj të ngjiten edhe Skënderbeu e Dinamo”, ish-kapiteni Veliu sulmon Troisin: Nuk kishim nevojë për skenarist filmash brazilianë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2023 | 21:58

“Shpresoj të ngjiten edhe Skënderbeu e Dinamo”, ish-kapiteni Veliu sulmon Troisin: Nuk kishim nevojë për skenarist filmash brazilianë

Franc Veliu nuk e vë aspak në diskutim ngjitjen e Flamurtarit, por dëshiron që kuqezinjve në elitë t’u bashkohen edhe Skënderbeu e Dinamo. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ish-kapiteni komenton luhatjet e ekipit në këto 20 javë, por edhe ndryshimin në stol.

veliu

E sheh shumë herë më serioze zgjedhjen e Diego Longos, ndërsa Marcelo Troisin mendon se nuk duhet ta kishin marrë kurrë. Kur pyetet për rikthimin në fushë pas një pauze të gjatë, mbrojtësi lëshon edhe një “kunj”…

Franc, si e keni parë ecurinë e Flamurtarit deri në këtë fazë të kampionatit?
Flamurtarin e kam parë si një ekip me luhatje në këto 20 javë të luajtura deri më tani. Është një grup që ka vërtetë cilësi, përpiqet të luajë mirë, por mund ta themi, ende nuk është bërë i frikshëm. Ka mundësi të jetë lider i padiskutueshëm i kësaj kategorie.

Iku Troisi dhe u emërua Longo në krye të stolit kuqezi. Si e vlerësoni këtë lëvizje?
Unë jam i parimit, pse ta shkarkosh kur shumë mirë mund të mos e merrje… Flamurtari kishte nevojë për trajner jo për skenarist filmash brazilianë. Mendoj se me trajnerin Longo situata do të jetë me serioze. Gjithashtu kam dëgjuar fjalë të mira lidhur me stërvitshmërinë dhe formimin e tij. Shpresojmë të ndihet dora e tij, që në ndeshjen e radhës.

Sa i ka shanset Flamurtari të rikthehet si lider?
Unë kam besim absolut që me cilësinë që ka në organikë dhe ndryshimin në pankinë, Flamurtari do t’ia dalë të udhëheqë Kategorinë e Parë si lider i saj.

Ju po thoni që skuadra nuk e vë në diskutim ngjitjen në Superiore?
Nuk e diskutoj që Flamurtari ngjitet në elitë. Flamurtari e ka vendin në Superiore, ndaj jam i bindur se do të rikthehet këtë sezon, madje edhe më fuqishëm.

Cilat skuadra ngjiten sipas jush?
Unë shpresoj që bashkë me Flamurtarin të ngjiten në Superiore edhe Skënderbeu, po ashtu Dinamo. Janë skuadra me histori, që e meritojnë të jenë në elitën e futbollit shqiptar.

Të dielën luhet Oriku-Flamurtari. Keni një koment për derbin?
Sido që të jetë derbi është emocionues dhe i vështirë. Mendoj se Flamurtari ka më shumë cilësi në ekip, ky është fakt dhe si rrjedhojë ka më shumë shanse ta fitojë ndeshjen. Do të jetë një ndeshje e luftuat dhe me emocion.

Keni qëndruar larg fushave këtë periudhë. Do të riktheheni sërish?
Për arsye familjare më duhet të bëja një pauzë dhe këto kohë kam qenë midis Italisë dhe Vlorës. Pres të më dalë një pasaportë braziliane dhe mbase rikthehem shpejt në fushën e blertë. (Qesh). Përtej shakasë unë kam filluar të stërvitem individualisht për të qenë gati sezonin e ardhshëm.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"