“Shpresoj të mos dëmtohemi nga faktor të jashtëm”, flet Meksi: Luajmë sezonin në pesë javë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2021 | 15:06

“Shpresoj të mos dëmtohemi nga faktor të jashtëm”, flet Meksi: Luajmë sezonin në pesë javë

Skënderbeu po kërkon maksimumin në javët e mbetura dhe gjithçka do të nisë me një transfertë të vështirë përballë Kukësit. Një ndeshje në të cilën korçarët nuk duan të dalin pa pikë dhe aq më pak të shohin teksa rivalët për mbijetesë largohen më shumë. Në të tilla kushte fitorja e fundit në transfertë ndaj Apolonisë nuk do të vlente aspak nëse nuk do të vijohej me rezultate pozitive. Këtë mendim ka kapiteni i Skënderbeut, Jorgo Meksi, i cili në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, ka folur për dëshirën dhe mundësitë që ka Skënderbeu të kapë zonën e qetë me qëllim që të mbetet mes më të mirëve në këtë sezon të vështirë.

jorgo meksi

Për Meksin, jo vetëm takimi ndaj Kukësit, por të gjitha ndeshjet e mbetura, sidomos pesë javët e ardhshme, kanë një rëndësi të veçantë dhe janë javë përcaktuese ku do të vendoset shumëçka për sa i përket mbijetesës. “Ne vijmë në këtë moment pas një fitoreje me shumë vlera pasi kemi bërë një hap të madh drejt objektivit tonë sezonal. Fitorja me Apoloninë në transfertë ishte thelbësore për vijimin e ndjekjes së këtij objektivi, por mund të mos ketë vlera nëse ne nuk bëjmë mirë në ndeshjet e mbetura.

Janë edhe 11 javë për t’u luajtur dhe gjithçka është ende e hapur. Pavarësisht distancave, çdo gjë mund të ndryshojë dhe për këtë ne jemi koshientë dhe po punojmë çdo ditë. Për mendimin tim, tani është më e nevojshme se kurrë që ne si ekip të kemi vijimësi. Do të ishte vërtet e domosdoshme në këtë moment që ne të vijonim me rezultatet e mira, edhe ndaj Kukësit që është takimi ynë i radhës. Pavarësisht se është një ndeshje delikate dhe kjo dihet për shkak të cilësive që Kukësi ka, ne do të mundohemi të japim më të mirën tonë. Edhe një pikë këtu për ne do të ishte rezultat pozitiv. Por, e thashë edhe më herët, nuk mund të mendojmë për një takim të vetëm dhe kemi arritur gjithçka. Pesë javët e ardhshme janë decizive për ne”, theksoi fillimisht Meksi.

RIVALËT – Më tej, kapiteni i korçarëve u ndal edhe te rivalët e Skënderbeut për mbijetesë. Mbrojtësi vlerësoi faktin që Apolonia tashmë është lënë pas, por vijoi më tej duke thënë se gjithçka është në dorë të Skënderbeut dhe nuk duhet të kthejnë kokën te ndeshjet e tjera për të mos e humbur përqendrimin. “Në kushtet kur kemi edhe 11 takime për të luajtur, jam i bindur që çdo gjë është në dorën tonë dhe kjo s’ka asnjë dyshim. Ne duhet të bëjmë mirë ndeshjet që kemi për të luajtur dhe pasi të kemi mbyllur takimet tona atëherë që po mund të interesohemi për kundërshtarët. Normalisht nëse ata gabojnë do të jetë një plus për ne, por gjithmonë e kemi përsëritur edhe mes nesh që nuk duhet të na influencojnë ndeshjet e rivalëve, pasi nuk duhet të humbim përqendrimin. Ne besojmë te forca jonë dhe në këto kushte mund t’ia dalim mbanë. Ajo që duam është që të luajmë takimet që kemi me përgjegjshmëri nga ana jonë, por edhe mos të dëmtohemi nga faktorë të jashtëm”, mbylli prononcimin e tij Jorgo Meksi.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"