“Shpresoj ta dërgoj Dinamon në nivelet e larta”, Shkëmbi flet si dinamovit: Nuk janë prezantuar, por me ne kanë firmosur…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2021 | 11:41

“Shpresoj ta dërgoj Dinamon në nivelet e larta”, Shkëmbi flet si dinamovit: Nuk janë prezantuar, por me ne kanë firmosur…

Bledi Shkëmbi është prezantuar ditën e sotme si trajneri më i ri i Dinamos. Në fjalët e para si dinamovit, trajneri korçarë është shfaqur shumë i lumtur, teksa ka falënderuar presidencën për mundësinë e dhënë.

prezantimi shkembi

“Falënderoj presidentin Bardhi pasi ishte ai kryesori duke mos harruar bashkëpunëtorët e tij që më dhanë mundësi të jem trajneri i Dinamos. Për një trajner të ri si mua është e pamundur t’i thuash jo një skuadre të tillë. Shpresoj të kem fatin që ta kthej këtë skuadër në ato nivele që ka qenë më parë duke fituar tituj dhe duke arritur në Europë. Presidenca ka objektiv që të fitojmë, por në këto momente do të shikojmë se çfarë lojtarësh do të afrojmë, por objektivat do të jenë madhorë.

Është e vështirë të rifillosh nga 0 për të luftuar për vendet e sipërme të klasifikimit, por gjëja e mirë është se emri i Dinamos ka një impakt te lojtarët dhe shumë prej tyre janë gati të bashkohen me ne. Kemi disa emra dhe disa prej tyre kanë firmosur edhe pse nuk janë prezantuar. Jemi në bisedime edhe me disa prej tyre. Shumë emra që dalin në media nuk janë të vërtetë pasi ne kontaktojmë vetëm me ata lojtarë që janë pa kontratë pasi duam të jemi korrekt me klubet e tjera.

Presidenca ka krijuar një buxhet dhe na është komunikuar. Ne punojmë së bashku duke vendosur emrat dhe kushtet financiare që kemi në dispozicion. Nuk kërkojmë lojtarë të mbivlerësuar, por lojtarët më të mirë që ne mendojmë se meritojnë ato kushte financiare. Po mundohemi të krijojmë një bosht me lojtarë të kampionatit shqiptar e më pas do të shikojmë. Që në momentin e parë presidenti ka dashur që të zgjedhë kompleksin, hotelin ku do të qëndrojnë lojtarët e kjo për mua e lojtarët është një gjë shumë pozitive.  Ne si staf mendojmë se lojtarët shqiptarë janë më të rëndësishme. Nuk duhet të largohemi shumë nga Ballkani për të gjetur lojtarë e mendoj se lojtarët nga Maqedonia, Kroacia e Serbia janë lojtarët që na përshtaten më shumë”, tha Shkëmbi në fjalët e tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"