“Shpresoj që kjo të jetë ndeshja e kthesës”, flet Shkëmbi: Ja pse Teuta ime është më e fortë se Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 1, 2019 | 15:46

“Shpresoj që kjo të jetë ndeshja e kthesës”, flet Shkëmbi: Ja pse Teuta ime është më e fortë se Tirana

Teuta do të presë në stadiumin “Niko Dovana” Tiranën ditën e nesërme, në ndeshjen që konsiderohet edhe si kryesorja e kësaj jave.bledi shkembi

Një ndeshje e veçantë kjo për teknikun e ekipit durrsak Bledi Shkëmbi, i cili përballë do të ketë dy nga miqtë e tij, siç janë Tefik Osmani dhe Kristi Vangjeli.

Shkëmbi ka dalë në konferencë për shtyp ditën e sotme, ku ka folur për ndeshjen ndaj bardhebluve, duke u shprehur se ekipi i tij mund ta fitojë këtë ndeshje.

“Do doja më shumë që ekipi në tërësi të ishte më mirë në fazën sulmuese dhe sulmuesit të ishin më afër portës dhe të shënonin rastet e paraqitura. Shpresoj që kjo të jetë ndeshja e kthesës. Së pari shpresoj që tifozët të na mbështesin në çdo ndeshje dhe jo vetëm kur të luajmë me Tiranën. Sa i takon “ish”-ëve, mendoj se nuk do të thotë asgjë. Çdo lojtar jep maksimumin me skuadrën që luan.

Gjendja është e mirë, të gjithë janë të gatshëm. Të shohim se kë do të aktivizojmë nesër. Ekipi është stërvitur mirë, edhe pse unë nuk kam qenë. Përballja me Ahmatajn? Nuk e shoh si përballje individësh, është sfidë mes skuadrave. E kam thënë edhe vjet, nuk kemi garë mes njëri-tjetrit dhe as duhet të kemi. Gara është mes skuadrave. Çdo trajner bën maksimumin, të bëjë atë që duhet për të fituar. Mendoj se Teuta është më e fortë se Tirana, pasi kam lojtarët e duhur për t’i mundur ata.Shkembi

Nuk më pëlqen të kthehem pas, por të shoh përpara dhe të përmirësohemi. Nuk merrem fare me atë pjesën që çfarë kemi merituar apo jo. Analizat i bëjmë brenda ekipit. Unë dhe ekipi im nuk merremi me çfarë ka ikur. Presim të përmirësojmë momentet jo të mira që patëm me Bylisin. Patëm edhe momente të mira. Kryesorja janë rastet para portës. Duhet të jemi më të qetë për t’i finalizuar.

Te Tirana kam dy miq të mirë, si Kristi Vangjeli dhe Tefik Osmani. Pa diskutim që do të doja ta fitoja unë këtë ndeshje. Do jetë ndeshje e bukur, e luajtur mirë dhe për arsyen që fusha do jetë në një nivel më të mirë se sa ka qenë. Kjo do të jetë një shkak që të jetë një ndeshje e bukur.”, përfundoi tekniku korçar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"