“Shpresa vdes e fundit”, flet Torisi: Objektivi im të kalojmë Luftëtarin, i kënaqur me një pikë ndaj Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2020 | 8:31

“Shpresa vdes e fundit”, flet Torisi: Objektivi im të kalojmë Luftëtarin, i kënaqur me një pikë ndaj Tiranës

Flamurtari do të tentojë fitoren në ndeshjen e sotme me Tiranën. Kështu është shprehur gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, në prag të kësaj sfide, trajneri Marcelo Troisi. Braziliani i pankinës vlonjate është i sinqertë, teksa thotë se Tirana është më e favorizuara në këtë takim, por as Flamurtari i tij nuk ka se çfarë të humbasë.troisi

Plani i Troisit është të grumbullojë sa më shumë pikë për të lënë pas Luftëtarin. I pyetur për Sukajn, braziliani thotë se ka probleme me gjurin, por në një kohë që nuk është stërvitur rregullisht nuk mund të mbështetet te disponibiliteti i shkodranit. Sa i përket mbijetesës, Troisi e thotë shqip: “Shpresa vdes e fundit”.

Troisi, çfarë prisni nga ndeshja me Tiranën, mendoni se mund ta ndalni kundërshtarin që gjendet në vendin e parë?

Për ne të gjitha ndeshjet janë të vështira. E dimë se ekipi i Tiranës është skuadër e madhe, jo më kot ndodhet në kryesimin e tabelës së klasifikimit. Do të japim maksimumin tonë, të bëjmë një ndeshje të bukur. Nuk jemi këtu për të ndalur askënd, por jemi këtu që të bëjmë ndeshje të mira si ekip.

Por më shumë se sa ndeshje të bukura, ju nevojiten pikët. Do të ishit i kënaqur edhe me një barazim në ndeshjen me Tiranën?

Është e vërtetë që kemi nevojë për pikë. Kam folur me ekipin dhe u kam bërë të ditur që të grumbullojmë sa më shumë pikë të jetë e mundur deri në fund. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme për ne. Ne e dimë që këtë javë luajmë kundër një ekipi shumë të fortë. Në fushë do të japim maksimumin që do të shënojnë fitoren, por e dimë që favorit është Tirana. Kështu që edhe një barazim, nuk do të ishte keq.

Mendoni se gjatë këtij kampionati po ju dëmtojnë gjyqtarët?

Preferoj të mos komentoj asgjë rreth arbitrimit, pasi nuk është puna ime. Me siguri ka gabime si çdokush që mund të gabojë. Por jam i gëzuar me ekipin tim, pasi po përgjigjet shumë mirë gjatë punës që po bëjmë. Tani pas dy muajve punë, jam i sigurt në atë që mund të them që më në fund kam një ekip, që mund të bëjë më të mirën dhe mund të mbledhë sa më shumë pikë deri në fund të kampionatit.

Do të kemi mungesa në këtë ndeshje, duke qenë se asnjëherë nuk e keni pasur ekipin të plotë siç jeni shprehur?

Mungesë do të jetë braziliani Ramos që u dëmtua në ndeshjen me Bylisin. Ka edhe disa lojtarë që nuk janë 100% në kondicionin e tyre. Për këtë, ne kemi edhe një shprehje në Brazil që “do të bëjmë edhe një stërvitje natën që të vendosim se me kë do të luajmë ditën”.troisiii

Sukaj nuk po paraqitet së fundmi në stërvitje. Cila është situata me sulmuesin shkodran?

Ndoshta Sukaj ka një problem shumë serioz në gjurin e tij. Kam pothuajse dy muaj këtu dhe kam parë që stërvitet shumë pak. Unë nuk mund të mbështetem mbi disponibilitetin e tij. Nëse do të ishte në kushtet e tij më të mira, do ta ndihmonte mjaftueshëm ekipin. Tani Sukaj ndodhet në departamentin mjekësor, kështu që nuk mund të komentoj më shumë.

Mbijetesa po bëhet e vështirë, por duke parë rezultatet e ndeshjeve të fundit, shpresoni se Flamurtari mund të qëndrojë në Superiore?

Shpresa është e fundit që vdes. Jemi tri pikë larg Luftëtarit që është i parafundit. Mendojmë tani që të kalojmë të paktën ekipin e Luftëtarit dhe më pas të shikojmë ndeshje pas ndeshjeje.

Nesër (sot) luhet në Vlorë me Tiranën. Keni një mesazh për tifozët?

U bëj thirrje që të vijnë në stadium, sepse e dimë që jemi në një situatë të keqe. Por edhe tifozët duhet ta kuptojnë se ky është një ekip i ri. Kështu që me përkrahjen dhe mbështetjen e tyre do të kërkojnë që të marrim, pse jo fitoren në këtë ndeshje.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"