“Shpëtojmë po të dënohet… Skënderbeu”, Ardit Hoxhaj nuk e pranon rënien

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2020 | 21:24

“Shpëtojmë po të dënohet… Skënderbeu”, Ardit Hoxhaj nuk e pranon rënien

Ardit Hoxhaj pret mrekullinë. Ai shpreson që Skënderbeu të dënohet dhe Flamurtari të qëndrojë në Kategorinë Superiore. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, autori i 3 golave të shënuar përballë Luftëtarit mendon “skenarin” e çmendur për mbijetesën.

Hoxhaj

Vlonjati shpreson që edhe Gjykata Federale në Zvicër të lërë në fuqi vendimin e dhënë nga UEFA. “Ishte një fitore që na jep moral në mbyllje të këtij kampionati. Pavarësisht se kemi bërë mirë gjatë këtij sezoni, tani mendoj se kjo fitore do të na shërbejë që ta mbyllim sa më mirë dhe në mënyrë dinjitoze. Kemi dëgjuar zëra që Skënderbeu ka një çështje në gjyq. Nuk e di çfarë vendimi do të merret, por kemi dëgjuar që edhe mund të dënohet.

E pse të mos përfitojmë ne nga kjo situatë. Ne kemi që në ndeshjen me Partizanin që jemi shprehur mirë në fushën e lojës. Me pak fat mund të merrnim një rezultat pozitiv ndaj të kuqve. Kemi bërë ndeshje pozitive në këto takimet e fundit”, tha fillimisht Hoxhaj, i cili ka edhe dedikime për tripletën:

HOXHAJ

“Golat ua dedikoj tifozëve dhe familjes. Pavarësisht se ky ka qenë një vit jo i mirë për ne, kemi bërë maksimumin. Gjërat nuk kanë shkuar siç duhet, nuk kemi çfarë të bëjmë, duhet të shikojmë përpara”. Sulmuesi pret vazhdimësinë edhe në ndeshjen e radhës. Ai beson se skuadra mund të japë maksimumin në 5 javët e mbetura, duke filluar me Laçin. “Përballjen e radhës me Laçin kemi kohë që ta përgatisim.

Besoj se do të bëjmë sa më mirë dhe do të marrim një rezultat pozitiv në këtë takim. Ne do të bëjmë lojën tonë dhe do të japim maksimumin në çdo takim që ka mbetur. Nuk do t’i hapim rrugë asnjë ekipi. Duhet që të marrim më të mirën”, tha mes të tjerash 25-vjeçari, që me atë tregolësh shkoi në kuotën e 5 golave në 31 javë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"