Shpërthimi i Elbasanit, “sekreti” vjen nga stoli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2020 | 17:23

Shpërthimi i Elbasanit, “sekreti” vjen nga stoli

Kthesa e Elbasanit nisi 8 takime më parë, me fitoren ndaj Ilirisë në transfertë, 0-1. Pas asaj ndeshjeje verdheblutë kanë koleksionuar 6 fitore dhe 2 humbje, duke grumbulluar 18 pikë. Nuk është rastësi, sepse Elbasani i kësaj periudhe ka dominuar ndaj kundërshtarëve dhe i ka merituar pikët, duke u rifutur në “vallen” e mbijetesës.
Elbasani-Shenkolli
I gjithë ky ndryshim ka ardhur nga një lëvizje e zgjuar e presidencës në staf, teksa ndihmës të Shkëlqim Lleshanakut ka emëruar Mikel Cenajn, i cili është njëkohësisht edhe zv.trajner te të rinjtë. Prej disa muajsh ekipi nuk kishte numër 2 në stol, duke e privuar trajnerin Lleshanaku qoftë edhe për një këshillë. Një zgjidhje emergjente, por që ka rezultuar goditje, të paktën deri në këto momente. Një “hero i heshtur”, nga ata që nuk dalin shpesh në skenë, por kontributin e kanë jo të vogël.
CENAJ
CENAJ – Në një prononcim për “Panorama Sport”, zv/ trajneri Mikel Cenaj nuk preferon të marrë merita, duke ia deleguar ato skuadrës dhe trajnerit të parë, edhe pse e pranon se në disa raste këshillat e tij kanë rezultuar efikase. “Sa i përket ecurisë, që kur jam ulur në stolin elbasanas, vërtet ka qenë e mirë, por në çdo rast kam bërë detyrën time, duke ndihmuar trajnerin e parë. Falënderoj presidentin që më besoi dhe jam munduar të jap sadopak kontributin tim. Në shumë raste trajneri i parë rrëmbehet nga loja dhe ka nevojë për një mendim ndryshe, ndaj jam munduar ta këshilloj dhe gjithçka për fatin tonë të mirë ka rezultuar efikase. Megjithatë, merita është e lojtarëve që po luajnë me shpirt për këtë fanellë dhe e trajnerit Lleshanaku, i cili edhe në këto kushte ka ditur të kompozojë një grup me djem të rinj. Besoj se të gjithë bashkë do t’ia dalim ta mbajmë skuadrën në kategori, deri në fund na kanë mbetur edhe 4 finale”, u shpreh numri 2 i stolit elbasanas, Cenaj.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"