“Shpërthen” Voltana Ademi: Ja kush e rrëzoi Vllazninë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2018 | 22:59

“Shpërthen” Voltana Ademi: Ja kush e rrëzoi Vllazninë!

Kryebashkiakja e Shkodrës, Volta na Ademi, ka folur për herë të parë dje pas rënies së Vllaznisë nga Kategoria Superiore. E ftuar në televizionin lokal “Star Plus”, Ademi ka shpërthyer ndaj drejtuesve të klubit, stafit teknik dhe futbollistëve.

Voltana Ademi

Madje, ka shkuar deri atje, duke akuzuar se angazhimi i skuadrës ka munguar në 6 javët e fundit të kampionatit. “Gjashtë javë para se të mbaronte kampionati, ekipi nuk kishte mobilizimin e duhur për të mbijetuar. E kam parandierë se mund të ndodhte rënia. Kur nuk mungojnë kushtet t’i mundesh, kur je i aftë ti mund të arrish. Kam verifikuar se kishte probleme që lidheshin me mobilizimin dhe angazhimin e gjithsecilit. Kam bërë një takim në praninë e mediave me lojtarët për atë që ka lidhje me përgjegjësinë. Jam përpjekur që të siguroj të gjitha kushtet që edhe mendja ime të mos thoshte mungon kjo gjë.

Administrata e bashkisë nuk luan futboll. Luajnë ata që kanë marrë përsipër të luajnë. Askush nuk priste dhe nuk donte që të kishte një tërheqje të stafit teknik apo edhe shumë lojtarëve që, për shkak të mosangazhimit të tyre, nuk bënin atë që duhet, edhe pse ishin krijuar të gjitha kushtet. Trajnerët dhe lojtarët që erdhën nga ekipi kampion dhe skuadra shumë të mira duhen pyetur ata për më shumë se çfarë ndodhi dhe se pse ndodhi”, deklaroi Ademi.

voltana ademi

PËRGJEGJËSITË E KRYETARES

“Unë s’jam tekniciene e futbollit sepse jam kryetare e bashkisë dhe jam përpjekur të bëj maksimumin. Jam krenare që jam kryetare e Bashkisë Shkodër, që ka 100% aksionet e klubit Vllaznia. Ka një piramidë të koklavitur që nis që nga administratori, bordi dhe stafet teknike. Jam përpjekur që të jem aktive dhe as mua s’më pëlqen rezultati. Ndoshta më herët duhej të tregohesha më radikale, por s’jam specialiste.

Nuk e di unë nëse Hasanit duhej t’i jepeshin letrat për t’u larguar apo jo. Largimi i tij aspak etik solli probleme në skuadër dhe kjo dukej qartë sepse nuk bëri gjënë e duhur. Unë nuk isha dakord për t’i dhënë letrat dhe isha më radikale se gjithë ata që morën vendimmarrjen dhe e lejuan të largohet. Klubet  private funksionojnë krejt ndryshe. I gjithë klubi Vllaznia nuk ka arritur që të ecë përpara në aspektin teknik dhe nuk mjafton sa para ke hedhur dhe se ke krijuar kushtet dhe nuk mjaftojnë shumë gjëra, përjashto akademinë që është pak më ndryshe.

voltana ademi

Klubi nuk ka mundur që të ringrihet për vite me radhë gjë që nuk ndodh me aspektin administrativ dhe procedurial me klubin. Ishte Tirana, Partizani apo Elbasani që ishin në dorën e privatit dhe u rrëzuan. Unë them se duhet bashkia dhe privati bashkë ta drejtojnë se ndryshe nuk funksionon besoj”, u shpreh numri një i Bashkisë së Shkodrës.

KOHA E MYFTAR ÇELËS DHE PRIVATIZIMI

“Mbaj mend, në kohën kur ishte Myftar Çela, edhe atëherë kam kontribuar që klubi të shkonte drejt një privatizimi dhe u arrit deri diku, por nuk u finalizua, – rrëfen kryetarja. – Edhe kësaj here më ka rënë barra dhe përgjegjësia për ta çuar drejt privatizimit, por ne duhet që të vijojmë punën sepse puna nuk pret. Vlerësimi i aseteve ka përfunduar më 9 maj. Ne kishim të pambyllur bilancin e viteve të mëparshme.

Vllaznia

Tani këto i kemi rregulluar dhe është klubi më i pastër nëse nxirret për t’u shitur në treg. S’kemi borxhe ndaj të tretëve ndërsa kemi një debat me Drejtorinë e Tatimeve, gjë që Tatimet nuk e kanë bërë me asnjë klub tjetër. Na kanë njohur të gjithë detyrimet dhe nuk marrin parasysh kontratën e shërbimit por kontratë pune gjë të cilën nuk e bëjnë me asnjë klub tjetër. Shpresojmë që ai detyrim të ulet të paktën me 60% sepse është e padrejtë dhe na kanë rënë në qafë”, përfundoi Ademi.

SENAD NIKSHIQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"