Vangjeli: E meritoj Kombëtaren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2014 | 11:00

Vangjeli: E meritoj Kombëtaren

VangjeliKristi Vangjeli shpërthen kundër trajnerit të Kombëtares, Xhani De Biazi. Mbrojtësi, i cili është aktivizuar 33 herë me fanellën kuqezi, kontaktoi dje “Panorama Sport” duke dhënë një intervistë në lidhje me mosgrumbullimin e tij prej dy vitesh. Ai ka theksuar, ndër të tjera, se trajneri kuqezi ka bërë një listë qokash për ndeshjen ndaj Danimarkës dhe Serbisë. Korçari që luan për Skënderbeun mendon se e meriton të jetë pjesë e përfaqësueses.
Kristi, u rikthyet në kampionatin shqiptar dhe rifituat formën, por nuk jeni në listën e trajnerit De Biazi. Çfarë do të thotë kjo për ju?
Shumë njerëz që mund të lexojnë këtë intervistë, do të mendojnë se Vangjeli po qahet. Megjithatë, po ju them se nuk është në karakterin tim t’i përgjërohem apo t’i bëj lajka dikujt. Por, meqë ju po më pyesni, jam i detyruar të përgjigjem. Nuk e kuptoj dot mungesën time në Kombëtare, në një kohë që kam qenë lojtar stabël i saj prej disa vitesh. Kam dhënë gjithnjë maksimumin tim në fushë, duke derdhur djersë dhe gjak për fanellën e shenjtë kuqezi. Këto nuk i them për të bërë heroin, por njerëzit kanë sy dhe arrijnë të gjykojnë shumë mirë.
Çfarë doni të thoni me këtë?
Pavarësisht faktit se trajneri nuk më ka grumbulluar për një periudhë të gjatë, për mua rëndësi ka mendimi i opinionit sportiv në Shqipëri. Të gjithë më kanë shprehur në një mënyrë apo tjetrën, se unë duhet të jem pjesë e Kombëtares. Nuk dua të bëj analizën e listës së të grumbulluarve, pasi ato janë zgjedhjet e trajnerit, edhe pse brenda listës ka shumë qoka.
Po atakoni direkt përzgjedhjen e trajnerit, më konkretisht na thoni pse mendoni kështu?
Të thashë që nuk dua të analizoj listën, sepse i kam të gjithë kolegë dhe shokë, por në atë listë ka qoka të ndryshme, të cilat opinioni sportiv në Shqipëri i di mjaft mirë. Të më falë i gjithë ambienti rreth Kombëtares, mbase nuk është ky momenti i duhur për të folur me këto terma, por më ka arritur mërzia aty ku nuk mban më. Kur bëhet fjalë për veten, të gjithë duhet të reagojmë për ta mbrojtur atë. Nëse nuk flas unë për veten time, cili do ta bëjë diçka të tillë?!
OK, por çfarë ju ka zhgënjyer më shumë në këtë lënie jashtë?
Ajo që më mbetet peng është fakti se zemra ime qan për të luajtur përpara tifozëve kuqezi. Kombëtarja ishte bërë si pjesë e jetës time, e pandarë. Unë sërish e ndjek atë si tifozi numër një, por e vuaj shumë faktin që nuk jam, pasi në brendësinë e shpirtit tim e ndiej se mund të jap ende për atë fanellë. Ndoshta De Biazi ka diçka personale me mua, por di të them se unë s’kam asgjë me të. E respektoj për pozicionin që ka, por më shumë respektoj veten dhe emrin tim. Dakord kur isha i dëmtuar, por tani që jam në formë dhe kam filluar të aktivizohem, ku qëndron problemi? Mos vallë niveli i kampionatit tonë? Atëherë lind pyetja përse në këtë listë ka lojtarë të tjerë nga ky kampionat apo kalon Vangjeli një formë të dobët? Këtë po ua lë në dorë ta gjykoni vetë…
Kur ka qenë kontakti juaj i fundit me trajnerin De Biazi?
Që nga ndeshja miqësore ndaj Kamerunit dy vite më parë, kur u grumbullova për herë të fundit. Pasi u aktivizova për 15 minuta si mesfushor i majtë, pozicion që s’më takon mua, nuk kam pasur më asnjë kontakt. Si mundet të shuhet gjithçka me buton. Gjithnjë rri dhe mendohem çfarë kam bërë që paskam gabuar kaq shumë që të mos jem më pjesë e listës.
E keni ndërgjegjen të pastër që nuk ka pasur për asnjë moment thyerje disiplinore nga ana juaj gjatë grumbullimeve?
Sigurisht që e kam ndërgjegjen të pastër. Nëse ka diçka që nuk shkon dhe unë nuk e di, atëherë trajneri të dalë e të ma thotë haptazi. Jam profesionist dhe pranoj gjithçka, por në këtë mënyrë enigmatike që rrjedhin gjërat, karakteri dhe personaliteti im përbalten turpshëm. Gjithsesi, nuk do lejoj askënd të nëpërkëmbë emrin tim, pasi kam luajtur me krenari dhe dashuri për Shqipërinë.
Ju kanë dhënë ndonjë arsye pjesëtarë të tjerë të stafit kuqezi apo vetë trajneri përmes palëve të treta?
Jo, arsyeja që kam marrë, ka qenë heshtja. Por dihet se heshtja nuk është gjithnjë flori. Le të vihen në pozitat e mia që të gjithë shokët që janë aktualisht pjesë e Kombëtares dhe do të më kuptojnë sesi ndihem në këto momente. Një SMS në telefon, që të jetë falas me ofertë edhe e meritoja, pasi nuk dua që askush të shpenzohet për mua.
A keni një mesazh për De Biazin?
Si mundet që këta njerëz ta hedhin poshtë kontributin tim me mbi 30 ndeshje që nga viti 2007? De Biazi duhet të marrë parasysh këtë fakt, pasi të mos përmendë emrin tim apo të mos japë shpjegime, është njësoj sikur ai ta dërgojë Kombëtaren në Europian dhe të vijë një tjetër trajner për ta drejtuar në Francë e të mos ia përmendë emrin dhe mos t’ia njohë meritat paraardhësit të tij. Besoj se trajneri i di mjaft mirë rregullat e pashkruara të botës së futbollit, që me eksperiencën e tij duhet t’i respektoj.
Pse mendoni se meritoni një ftesë nga përfaqësuesja?
Për të shkuarën dhe të tashmen. Ju e dini mjaft mirë që kam eksperiencën e duhur, por edhe cilësitë e nevojshme, në një kohë që tani po kaloj një moment mjaft të mirë. Nuk e di cilat duhet të jenë kriteret për të qenë pjesë e Kombëtares. Nëse ato arrihen me “norma” jashtë fushës, në këtë hapësirë jam i paaftë. Aftësitë e mia janë brenda kuadratit jeshil. Aty di të shprehem e të flas në gjuhën e futbollit. Gjuhët e tjera as i kam mësuar dhe as kam për t’i folur ndonjëherë.
JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"