Shpërthen presidenti i Luftëtarit: Masakër, s’mund të na rrëzojnë arbitrat. Këta duan të hapim portën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 10, 2020 | 9:03

Shpërthen presidenti i Luftëtarit: Masakër, s’mund të na rrëzojnë arbitrat. Këta duan të hapim portën

Luftëtari mori një pikë në frymën e fundit në Durrës ndaj Teutës, që nuk është se vlen shumë për klasifikimin, por drejtuesit e klubit gjirokastrit janë të indinjuar sërish me gjykimin. Fakti që anësori Grabova lejoji një gol në pozicion të parregullt, ka bërë që presidenti i Luftëtarit, Bekim Halilaj, të shpërthejë në një bisedë për “Panorama Sport”. Ai i bën thirrje FSHF-së të vendosë drejtësi, në të kundërt do të prishë garën me rezultate në “tavolinë”.

bekim halilaj

DEKLARATA

“Me gjithë vështirësitë që kemi pasur si klub, po e respektojmë kampionatin dhe pastërtinë e garës. E treguam edhe në Durrës, por meqë sektori i arbitrimit paska në dorë fatin e ekipeve, duke bërë gjyqtarët çfarë të duan me ne, atëherë edhe ne si klub kemi në dorë prishjen e garës. Duke parë këtë situatë, duhet të hapim portën dhe t’i bëjmë rezultatet nga 5-0 dhe 10-0. Këta po na detyrojnë të prishim garën me vendimet që po marrin çdo javë. Janë për t’u luajtur edhe 15 ndeshje dhe vazhdojnë të na masakrojnë”.

“I sfidoj të gjithë në sektorin e gjykimit. Të mblidhet komisioni i arbitrave dhe të shikojë pamjet filmike të të gjitha rasteve flagrante në ndeshjet e Luftëtarit, nga java e parë dhe deri më tani. Të shikojnë se sa pikë kemi humbur falë gabimeve të arbitrave dhe të kuptohet se çfarë po ndodh. Nuk mund të rrëzohet Luftëtari nga kategoria se duan arbitrat, ky është skandal. Të humbësh një, dy apo tri ndeshje nuk është problem, por ama jo të bëhet modë vetëm me vendime kundër nesh. Shikoni çfarë na ndodhi në ndeshjen e fundit. Pësuam një gol totalisht jashtë loje. Ne jemi një ekip me lojtarë të rinj dhe kur ndëshkohemi në këtë mënyrë, të kthesh rezultatin, është shumë e vështirë. Përfaqësojmë një qytet me histori të madhe si Gjirokastra dhe nuk mund të nëpërkëmbemi në këtë mënyrë. Kemi djem të rinj në skuadër, por që dinë të luajnë futboll dhe do të ishte e ndershme që të binim sportivisht, jo të na rrëzojnë arbitrat. Kemi lojtarë që janë kontingjent i ekipeve kombëtare. Pse ua prishin ëndrrën që ata kanë…? Të biem nga Superiorja se nuk kemi mundësi, jam plotësisht dakord, por jo të na hedhin arbitrat. Këta po na detyrojnë të hapim portën për ekipe që na intereson dhe ta mbyllim atje ku duam ne. Po pse futboll është ky?! Nëse sektori i gjykimit në FSHF bën një analizë se çfarë ka ndodhur me Luftëtarin, atëherë do të kuptojë se çfarë dëmi na ka bërë. Ç’më duhet mua se e dënon ‘X’ arbitër me dy-tri javë dhe pastaj ma kthen prapë…”, deklaroi kreu i klubit gjirokastrit.

bekim halilaj

Në fund, ai i bëri një apel FSHF-së. “Askush nuk na i kthen pikët që kemi humbur prej gabimeve të arbitrave. FSHF-ja duhet të marrë masa në mënyrën më urgjente, nëse nuk duan që të prishet gara. Kampionatin e kam unë në dorë për ta prishur, jo arbitrat që duan të tallen me ne për të na rrëzuar nga kategoria. Nuk shkon më kështu kjo punë. S’kam asgjë me rivalët në kampionat, por si mund të bëhen gabime vazhdimisht vetëm kundër nesh?! Kjo më bën të mendoj se gabimet kanë qenë me dashje”, përfundoi presidenti i Luftëtarit, Halilaj.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"