Shpërthen Idrizi: Gjyqtarët s’i dallojnë vijat kur na arbitrojnë ne, federatën do ta çoj në prokurori

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 14, 2017 | 17:47

Shpërthen Idrizi: Gjyqtarët s’i dallojnë vijat kur na arbitrojnë ne, federatën do ta çoj në prokurori

Histori burracakësh, e cilëson Sinan Idrizi “hakmarrjen” që mund të bëjë FSHF ndaj Flamurtarit. Në një prononcim të dhënë dje për “Panorama Sport”, administratori Idrizi tha se të gjithë duhet të durojnë deri në mars, pasi një erë e re pritet që të fryjë në futbollin shqiptar.

Sinan Idrizi

Idrizi i cilëson tendencioze vendimet dhe qëndrimet e gjyqtarëve ndaj Flamurtarit. Idrizi i referohet në këtë reagim çështjes së penalltisë në Shkodër. “Nëse kjo është hakmarrje, atëherë është një hakmarrje burracakësh. Por unë vazhdoj që t’i qëndroj asaj që është gabim njerëzor nga arbitri. Kur luhet me Flamurtarin nuk dallojnë dot qartë vijat, ngjyrat. Janë problemet e tyre, janë probleme mendore. Pastaj, nëse është hakmarrje është ordinere dhe lojë burracakësh.

Por deri në mars do presim, nuk kemi çfarë të bëjmë tani. Të jenë të durueshëm të gjithë, ekipi, tifozët, lojtarët. Këta zotërinjtë nuk kanë jetën tonë në dorën e tyre. Tigrat prej letre nuk trembin njeri te ne. Nuk kanë kë frikësojnë. Po ishte se trembin njeri të gjejnë një tjetër, por nuk besoj se trembin njeri në Vlorë.

Penalltia e Vllaznise

Kjo është histori burracakësh. Javë për javë 3-4-5 penallti kundër Flamurtarit. Unë u bëj thirrje tifozëve vlonjatë që, deri në mars, të jenë të durueshëm. Pastaj do të fryjë një erë e re në kampionatin shqiptar në muajin mars”, tha fillimisht Idrizi.

BETEJA LIGJORE – Administratori Sinan Idrizi thotë se javën që vjen do të çojë në prokurori FSHF-në. Idrizi bën me dije se për këtë çështje mbrëmë ka zhvilluar një takim edhe me ministrin e Financave, Arben Ahmetaj. “Unë me FSHF do të kem një betejë ligjore. Maksimumi javën tjetër hapet gjyqi ndaj FSHF. Sot (dje) në darkë do të takoj ministrin e Financave. Do ta informoj ministrin se Flamurtari nuk paguan më tatime.

Duka FSHF

Kjo do të jetë edhe një protestë civile ndaj atyre që mendojnë se jetën e futbollistëve vlonjatë e kanë në dorën e tyre. Rasti i fundit. Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve nuk njohu 27 mijë euro që ne i kishim detyrim për Gjokën t’i derdhnim në degën e Tatimeve, por thotë që paguheni në llogarinë e Gjokës këtë shumë.

Atëherë unë nuk paguaj më. Unë do t’i denoncoj në prokurori të gjithë, nga zotëria në fjalë që ka iniciuar procesin e deri te grupi i Rozafës dhe sekserët ordinerë. Këtë çështje duhet ta zgjidhë shteti shqiptar. Nuk mund të bësh luftë kundër informalitetit, kundër kioskave të Shqipërisë dhe, nga ana tjetër, FSHF të jetë nxitësja dhe përkrahësja më e madhe e informalitetit në futboll. Unë nuk e paguaj shumën e Gjokës.

idrizi

Nëse shteti shqiptar nuk na bashkohet në luftën kundër informalitetit, atëherë nuk kemi çfarë të themi më. Nuk ka shanse që të ketë Gjoka 50 mijë euro kontratë me mua bruto, të ketë marrë 30 mijë euro, të kem paguar 27 mijë euro unë tatime dhe ti të gjesh një batakçi sekser ordiner që fshihet pas kamerave televizive dhe komenton Flamurtarin, atëherë nuk kemi më çfarë të bëjmë. Këtij grupi ordinerësh duhet t’i japim fund. Pasi nëse vijojmë prapë në Vlorë me histeri skafistësh, atëherë nuk kemi më gjë në vijë”, tha administratori.

VLERËSIMI- Sinan Idrizi vlerëson paraqitjen e ekipit në këto ndeshje të para të kampionatit. “Ekipi po reagon shkëlqyer, po luan mirë në fushë. Mua kjo më pëlqen, të tjerat janë histori më vete.

Flamurtari

Futbollistët po respektojnë fanellën dhe mua kjo më intereson. Siç e kam thënë, respektimi i fanellës është një ndër objektivat kryesorë për mua. Këtë gjë deri më tani lojtarët po e bëjnë dhe po tregohen profesionistë”, përfundoi Idrizi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"