Shpërthen Frashëri: Tiranës i fala rrogat, dhashë dhe 3 mijë euro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2016 | 22:00

Shpërthen Frashëri: Tiranës i fala rrogat, dhashë dhe 3 mijë euro

Nuk ka qenë një ndarje e paqtë, përkundrazi. Stivi Frashëri ka shpërthyer në një “lumë” akuzash pas “divorcit”, drejtuar kryesisht presidentit Refik Halili, si dhe “klanit të kuq” sikundër e quan ai.Flamurtari-Tirana 0-0. Portieri Frasheri grushton

Është ndier i diskriminuar dhe sulmuar, ndaj tashmë që është larguar ndihet më i çliruar. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” ai rrëfen faktin se, përveçse i fali rrogat dhe këstet Tiranës, i dha edhe 3 mijë euro.

Sipas tij, këto parà, edhe pse duhet që të shkonin në llogarinë e Bylisit për kartonin e tij, përfunduan për të paguar qiratë e banesave ku jetojnë futbollistët bardheblu. Portieri rrëfen me detaje bisedat e fundit me kreun e klubit, si dhe gjithçka ka përjetuar në këtë aventurë.

Stivi, më në fund u zyrtarizua “divorci” mes jush dhe Tiranës, si u arrit zgjidhja e kontratës? Erdhi pas një muaji orvatjeje, jo sot, jo nesër e pasnesër. Dihet që futbollistët që dalin jashtë planeve, nuk i interesojnë kujt, mund të rrinë edhe rrugëve. Unë u detyrova që t’i fal të gjitha pagat që prej kohës kur nisa kontratën, këstin prej 7 milionë lekësh, rrogat që i kam marrë me minuese, deri në 1.5 milionë lekë, e deri te bonuset, pagat e fundit që presidenti Halili pretendon se unë nuk mund t’i përfitoj pasi nuk kam qenë në shërbim të ekipit, pra kam marrë një pagë tejet minimale. Për më tepër, më kërkoi 3 mijë euro mbrapsht.

Për vlerën e kartonit ishin këto parà?

Po. Madje, unë i thashë që “nuk kam pse t’i jap, pasi po fal detyrimet e mia”. Unë mund të hapja edhe gjyq, por këtë nuk doja ta bëja. Ndaj këmbëngula që thjesht të zeroja borxhet që më kishin dhe të ndaheshim në mënyrë miqësore. Kjo, në mënyrë që edhe unë nesër të kem shansin të rikthehem te Tirana, pasi sportit nuk i dihet asnjëherë.

Pra dëshironi që të riktheheni te Tirana?

Po, por kur unë të jem në një formë më të mirë. Gjithashtu, edhe ekipin ta gjej më mirë dhe të mos ketë “thika pas shpine”, dallavere apo presidentë që u thotë 2-3 tifozëve që të shahet filan futbollist, sepse do të nxjerrim nga porta Frashërin dhe të fusim “X” person që i intereson edhe grupit. Të gjitha këto unë doja që t’i shmangia, pasi Tirana është klubi më i mirë dhe çdokush do të donte që të luante aty. Por, ai (presidenti) më tha që, në asnjë mënyrë, pasi unë kisha shkatërruar Tiranën dhe se isha fëmijë i keq e maskara dhe dilja në “party”. Gjë që unë nuk e kam bërë dhe këtë kushdo mund ta vërtetojë, pasi dihet se kush del dhe kush jo për jetë nate.

Paratë a ia dhatë si përfundim?

Po, po. I thashë që do t’ia jepja, por për efekt kohe doja që të më jepte kartonin dhe një shkresë ku më detyronte që unë t’i paguaja 3 mijë eurot brenda 6 muajve. Por më tha prerazi se pa paratë, nuk do ta merrja lejen e kalimit. Gjërat arritën deri aty, se unë i kujtova faktin që pa marrë para nga Tirana, nuk mund t’ia jepja atë shumë, pasi nuk kisha. I kërkova me shumë mirësjellje që të mos më digjte karrierën dhe mos hapte fjalë, por kjo nuk ndryshoi asgjë. Lekët unë për fat i shleva, ia mora babait tim, i cili punon e djersin dhe më nxori nga kjo situatë. Mirëpo, këto parà që duhet t’i jepeshin Bylisit për kartonin tim, në kohën kur unë u transferova, përfunduan për shlyerjen e qiramarrësve për shtëpitë ku banojnë futbollistët bardheblu.

Duket sikur keni shumë mllef?

Situata nuk më duket normale, pasi ndihem i keqtrajtuar nga presidenti.

Keni thënë që te Tirana ka klane. I qëndroni kësaj deklarate?

Po, i qëndroj. Te Tirana të gjithë e dinë që ka shumë lojtarë cilësorë, që mund të bëjnë diferencën. Por kur nuk ka grup, çalon situata. Unë shihja punën time, ndonëse shpeshherë më është rënë në qafë, me urdhër të presidentit, tifozëve apo klaneve që janë brenda ekipit, siç ishte ai i të ardhurve nga Partizani.

Kush bën pjesë në këtë klan?

Të gjithë e dinë, por nuk dua që të përmend emra. Janë punët e tyre, por mjafton që ta dinë. Unë jam munduar që të tregohem sa më korrekt, mirëpo prej kohësh nuk kisha më dëshirë që të isha pjesë e Tiranës.

Pse s’u larguat më herët nga Tirana, duke qenë se nuk kishit më dëshirë të qëndronit?

I kam kërkuar, në fakt, që në verë që të largohesha. Madje, kishte ardhur një ofertë prej 80 mijë eurosh, por klubi nuk pranoi, pasi donte 250 mijë euro.

Nga erdhi kjo ofertë?

Nuk ishte ekip, por një agjenci menaxhimi gjermane. Agjencia, duke më ndjekur dhe ditur potencialin tim, ishte gati të jepte një shumë prej 80 mijë eurosh, që të më merrte në menaxhim. Gjithashtu ishin gati që t’i jepnin Tiranës edhe 30% të vlerës së shitjes sime, por nuk u bë. Më mbajti me “dhunë” dhe ne zhvilluam një takim me presidentin, bashkë me prindërit e mi. Ata i shpjeguan z.Halili që të më linin të largohesha, pasi sezoni i ri, pra ky aktuali, mund të ishte “thikë me dy presa” për mua. Familjarët e mi i thanë që do të risulmohesha dhe më shumë madje, por ai tha që nuk do të ndodhte asgjë e tillë dhe se do të më dinte në krah. Më vonë ishte pikërisht ai që më sulmoi mua më shumë se çdokush tjetër.

Pse gjithë ky “shpërthim” dhe në këto çaste?

Ndihem i keqtrajtuar, ndaj. Unë erdha në formën time më të mirë, në fakt, te Tirana. Në fazën e parë dhe të dytë unë jam vlerësuar, më evidentonin nëpër intervista faktin që nuk kisha pësuar apo paraqitjet e mira. Kishte disa ankesa nga ana ime për stërvitshmërinë, doja që të stërvitesha më shumë. Asokohe, në fakt, patët akuza të rënda në “Facebook”… Gjithçka u keqkuptua asokohe edhe nga tifozët. Por që, pas atij momenti, sulmet nuk u ndalën. Askush nuk më mbështeste dhe shumë ma kishin me të keq. Erdhi debati me tifozët, stoli. Dhe dihet që një portier kur ulet në stol ka kriza psikologjike, në anën sportive. Dhe rezultati ishte i thjeshtë, unë isha larg atij Stivit që shkoi në fillim te Tirana.

Kaq “zi” ka qenë për ju aventura bardheblu?

Thjesht doja që të bëja një sqarim, pasi shumë njerëz mendojnë se ky shet apo blen, se futbolli kështu ka përfunduar këtu. Prandaj dhe e ritheksoj që pjesën dërrmuese të tifozëve i respektoj, pasi janë specialë. Gjithashtu, dua të theksoj, se unë nuk merrem me minorancën, me njerëz që nuk dinë se çfarë bëjnë dhe nervat që kanë në jetën e përditshme i shfryjnë në stadiume. Nuk kam punë me ata. Unë vetëm falënderoj ata që më kanë mbështetur dhe kuptuar, si kapiteni Bulku, Muzaka, Gërçaliu, nga 2-3 të tjerë. Pasi shumica mua më kanë trajtuar si të huaj, si grek, nuk jam trajtuar si pretendent i Kombëtares.

Kush do të jetë e ardhmja e Frashërit?

Mua po më ndihmon shumë Lirim Zalla, të cilin e falënderoj. Gjithashtu edhe profesor Jani Kaçi, që po më stërvite aktualisht. Kam në krah miqtë e mi dhe mbi të gjitha familjen, që më mundë- suan financiarisht edhe udhëtimin drejt Finlandës, ku dhe do të provohem. Konkretisht te Kups, ekip finlandez. Të shohim se çfarë do jem në gjendje të bëj. Shpresoj shumë që të më ndihmojë Zoti, pasi unë kam një muaj që nuk stërvitem me ekipin.

Intervista: ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"