Shpërthen Cungu: Kemi 3 muaj pa u paguar, jemi i vetmi ekip që nuk po bën fazë përgatitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2017 | 11:48

Shpërthen Cungu: Kemi 3 muaj pa u paguar, jemi i vetmi ekip që nuk po bën fazë përgatitore

Shpërthen Armando Cungu. Trajneri i Vllaznisë e pranon publikisht se stafi teknik dhe lojtarët kanë tre muaj pa u paguar. Në një kohë që është i drejtpërdrejtë në shigjetimin e anëtarëve të Këshillit Bashkiak, të cilët disa ditë më parë kërkuan që skuadra e sezonit të ri të renditet në vendet e para.

Cungu konference Vllaznia

“Pyesni drejtuesit dhe ata që vendosin objektivat”, ishte fjalia që përsëriti Cungu disa herë në konferencën e djeshme për shtyp duke ironizuar drejtuesit. Më tej, ai shtonte se gjithçka nuk shkon me ekipin, që nga pagat e pamarra, faktin që Vllaznia rrezikon të mbetet pa fazë përgatitore, ndërsa bën thirrje për investime dhe afrime të rëndësishme në skuadër.

“Nëse dikush e çon Vllazninë në vendet e para në këtë situatë në të cilën ndodhet, jam gati që të largohem”, lëshoi sfidën e radhës Cungu gjatë konferencës së djeshme. “Mos më pyesni mua, sepse tre muaj pa paga është shqetësim i madh për të gjithë, për sportistët dhe për ne si staf. Ashtu siç është shqetësim dhe problem edhe për lojtarët që vijnë për t’u provuar te Vllaznia, sepse unë personalisht i kam bërë të ditur çdo lojtari që vjen se pagat janë të sigurta.

Jam i bindur se janë të sigurta, janë çështje vonesash, problematikash apo bllokime të llogarive bankare. Por, nga ana tjetër, futbolli, Vllaznia, sportistët apo tifozët nuk duan t’ia dinë se kur zhbllokohen llogaritë bankare, fondet apo se çfarë ndodh”, tha ndër të tjera Cungu në daljen e tij përpara mediave. Aktualisht, skuadra po stërvitet në Shkodër, ndërsa po sfidon edhe temperaturat shumë të larta të këtyre ditëve të fundit.

Profesor, drejtuesit në Këshillin Bashkiak kanë dërguar projektin ku thuhet se Vllaznia sezonin e ardhshëm synon vendet e para. Për ju, a mund ta realizojë kjo skuadër këtë objektiv?

Gjithmonë m’i bëni këto pyetje. Kësaj pyetje i kam kthyer përgjigje këtu e para disa vitesh. Kush është i zoti që e çon Vllazninë në vendet e para, mundet që ta marrë që tani ekipin pa asnjë lloj problemi. Këta drejtues bëjnë mirë të vendosin emër dhe mbiemër. Ua kam thënë në sy edhe në mbledhjen me bordin në praninë e kryetares së Bashkisë se nuk mund të arrihen mbi shpatullat e kësaj Vllaznie objektiva krejt të palogjikshme.

Kjo është gjendja e ekipit dhe nuk duhet të gëzohemi me një ndeshje të fituar kundër Kastriotit. Skuadra ka nevojë për investime apo për përforcime lojtarësh. A e dinë ata zotërinjtë që thonë se Vllaznia do synojë vendet e para se nuk ka shkuar ende ekipi në fazë përgatitore dhe jemi e vetmja skuadër në Shqipëri që nuk kemi shkuar në fazë. Pyesni pak dhe pastaj të vijnë dhe të flasin cilët janë këta persona që kërkojnë këto objektiva.

Është vendosur përfundimisht që skuadra nuk do të shkojë në fazë përgatitore?

Nuk e di. Nuk duhet të më bëhet mua kjo pyetje. Unë përgjigjem për terrenin sportiv, që do të thotë për stërvitjen. Kjo është pjesa ime teknike që mbuloj dhe nuk merrem me të tjerat. Ajo që unë di të them, është e paimagjinueshme dhe e papranueshme që një ekip futbolli në Superiore dhe një emër i madh si Vllaznia rropatet dhe diskutohet nëse do të shkojë apo jo në fazë përgatitore. Këtë pyetje drejtojeni te persona të tjerë.

Një Vllazni pa fazë përgatitore çfarë mund të arrijë?

Nuk e di. Duhet të pyesni ata që vendosin objektivat. Shumë e thjeshtë për ta kuptuar.

Ju si staf dhe lojtarët keni tre muaj pa u paguar. Sa të shqetësuar jeni për këtë çështje dhe si ndikon në skuadër?

Edhe për këtë duhet të pyesni ata që vendosin objektivat. Mos më pyesni mua, sepse tre muaj pa paga është shqetësim i madh për të gjithë, për sportistët dhe për ne si staf. Ashtu siç është shqetësim dhe problem edhe për lojtarët që vijnë për t’u provuar te Vllaznia, sepse unë personalisht i kam bërë të ditur çdo lojtari që vjen se pagat janë të sigurta.

Jam i bindur se janë të sigurta, janë çështje vonesash, problematikash apo bllokime të llogarive bankare. Por, nga ana tjetër, futbolli, Vllaznia, sportistët apo tifozët nuk duan t’ia dinë se kur zhbllokohen llogaritë bankare, fondet apo se çfarë ndodh. Realisht nuk është gjendje e mirë.

Po tregohemi të durueshëm, me frymë pozitive, po mendojmë pozitivisht dhe shpresojmë që të zgjidhet sa më shpejt kjo situatë, sepse nuk është e mirë, sidomos me lojtarët e huaj, të cilët mund të vijnë dhe mund të bëhen pjesë e Vllaznisë. Me ata nuk mund të bëhen lojëra. Ata presin në datë të caktuar rrogën dhe, nëse nuk e marrin, pastaj ndodhin gjëra që besoj se edhe ju i keni dëgjuar në shumë ekipe në futbollin shqiptar.

Vllaznia ka pasur probleme shumë vitet e fundit me gjoba e borxhe të mbartura nga vitet e mëparshme dhe besoj se nuk është mirë t’i shtohen telashet.

Duke u nisur nga miqësorja e fundit me Kastriotin, cila ishte gjëja më pozitive e kësaj Vllaznie?

Unë jam një prej atyre trajnerëve që i besoj grupit. Ekipi funksionoi mirë, natyrshëm që ardhja edhe e Hasanit e Likës është pozitive dhe i japin një impuls tjetër ekipit. Vetë niveli, pjekuria dhe eksperienca e tyre i japin një tjetër ritëm ekipit. Është një impuls më shumë për skuadrën, por kemi ende nevojë për të ndërhyrë në sektorë të tjerë të fushës.

Gjithsesi, kjo është gjendja momentale, por duhet që të shpresojmë se do ta rregullojmë për të ardhmen. Jemi në pritje të zhvillimeve. Të shpresojmë se do të bëhet më mirë dhe gjërat do të rregullohen. Vllaznia meriton të jetë një ekip i konsoliduar dhe të mos ketë probleme.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"