“Shpërdorojmë si amatorë, për të mos folur për golin e pësuar nga 70 metra”, Bubeqi: Besa, si “lopa”!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2021 | 11:36

“Shpërdorojmë si amatorë, për të mos folur për golin e pësuar nga 70 metra”, Bubeqi: Besa, si “lopa”!

Besa vazhdon të gabojë dhe Dorjan Bubeqi është më shumë se i irrituar. Priste trepikëshin përballë Butrintit, por nuk ka ndodhur kështu. Jo vetëm që nuk shënuan, por pësuan një gol fatal. Po lihen pikë nga java në javë dhe dukshëm kavajasit janë larguar nga objektivi “Superiore”.

bubeqi besa

Trajneri ndihet “i tradhtuar” nga të besuarit e tij, që shpërdoruan sikur të ishin U-17 dhe, më keq akoma, pësojnë një gol që mund të evitohej.

“Kur vjen nga një fitore plot sakrificë, logjikisht kërkon vazhdimësi. Pas asaj që dhamë me Tomorin, kisha bindjen se nga Saranda do vinim me 3 pikë. Ishte bindje absolute madje. Meçja shpërdoron një rast që në fillim, të cilin vetëm lojtarët amatorë e humbin. Megjithatë, duke parë dominimin tonë në lojë, asnjëherë nuk dyshoja te fitorja.

Por, kur humbja e rasteve po bëhej para syve tanë dhe në mënyrën më amatore, nisa të shqetësohesha. Në pushimin mes dy pjesëve, i fola ekipit dhe përsëri prisja golin nga ana jonë. Në vend të golit, vjen një pasim mbi 70 metra nga vendësit. Një top që largohej kollaj me kokë, por ndodhi ajo që nuk e besoja.

Ai aksion, me pak devijim nga mbrojtësi ynë, përfundoi në gol. E papranueshme në çfarëdo lloj situate pësimi i atij goli. Dominuam, krijuam raste ideale goli vetëm për vetëm me portierin vendës dhe në fund pësojmë humbjen. Kësaj i thonë ta bësh si ‘lopa’, që bën qumësht dhe më pas i bie enës me shkelm.

Ekipet e tjera janë të lumtura të krijojnë dy raste dhe arrijnë të fitojnë, ndërsa ne krijojmë shumë, por për ‘lumë’. Një situatë që po përsëritet shpesh dhe vërtet nuk di çfarë duhet të bëjë më shumë një trajner.

Detyra ime mbetet ta çoj ekipin disa herë te porta kundërshtare dhe Besa po e bën këtë më së miri dhe më shpejt se kushdo. Por, në vend të golave, sjell trishtimin… Nuk di çfarë të bëj, vetëm të zhvesh tutat e të hyj vetë në fushë”, deklaron jo pak i nervozuar numri një i stolit.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"