Shpalli Shqipërinë kampion të Europës, rusi Petrov: E prisja medaljen, kuqezi prej…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 16, 2020 | 18:11

Shpalli Shqipërinë kampion të Europës, rusi Petrov: E prisja medaljen, kuqezi prej…

Shqipëria arriti një rezultat historik në Kampionatin Europian të Gjimnastikës Artistike që u zhvillua në Mersin të Turqisë. Kombëtarja jonë e përfaqësuar nga një rus i natyralizuar shqiptar si Matvei Petrov dhe trajneri i tij Alon Hasa arritën të shpallen kampionë të Europës, duke shkruar historinë e gjimnastikës me medalje e artë.

matvei-petrov

Petrov grumbulloi gjithsej 14.566 pikë në disiplinën e kaluçit me doreza, duke lënë pas në vendin e dytë, kroatin Filip Ude dhe në të tretin turkun Ferhat Arican. Pas kësaj arritjeje historike gazeta “Panorama Sport” kontaktoi me Matvei Petrovin dhe trajnerin e tij Alon Hasa të cilët komentuan rezultatin e jashtëzakonshëm.

MATVEI PETROV – 30-vjeçari rus fillimisht foli për suksesin, duke treguar ndjesitë e të shpallurit kampion me një shtet tjetër: “Ndjesia është e mrekullueshme sepse Shqipëria më ka mbështetur. Është një kënaqësi dhe një arritje për mua personalisht dhe për çdo sportist të arrij një rezultat të tillë”.

I pyetur nëse e priste medaljen e artë në Europian, Petrov shprehet: “E prisja, sepse kombinacioni im është nga më të fortët në botë dhe çdo gjë varej prej meje. Nëse arrija ta realizoja me sukses çdo gjë, do të ishte në dorën time. Kështu që, jam shumë i lumtur për këtë sukses”. Petrov më tej ua dedikon triumfin dy trajnerëve të tij:

“Këtë rezultat ua dedikoj dy trajnerëve të mi. Trajnerit tim rus që ka punuar për 20 vite me mua dhe Alon Hasës për 4 vitet e fundit. Gjithashtu edhe të gjithë njerëzve që na kanë mbështetur”. Në fund kampioni i Europës tregon edhe arsyen përse ka zgjedhur Shqipërinë. “Zgjodha të përfaqësoj flamurin shqiptar për shkak të Alon Hasës, trajnerit tim në klubin çek. Trajneri Hasa më dha mundësinë që të rikthehem edhe një herë në sportin e gjimnastikës duke përfaqësuar Shqipërinë”, deklaroi kampioni.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"