Shorti për Europianin, grup i “argjendtë” për Shqipërinë. Sfidojmë kroatët dhe Austrinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 15, 2017 | 17:22

Shorti për Europianin, grup i “argjendtë” për Shqipërinë. Sfidojmë kroatët dhe Austrinë

Është hedhur të martën, në Bruksel, shorti për ekipet tona kombëtare të volejbollit për të rritur (meshkuj e femra), në pjesë- marrjen europiane për sezonin 2018-19. Federata e volejbollit shqiptar, kohë më parë, kishte konfirmuar pjesëmarrjen në Kupat e Europës për meshkuj dhe për femra.

Kombetarja e Volejbollit femra

Kështu që në mbledhjen e organizuar nga Federata Europiane e Volejbollit (CEV) të pranishëm kanë qenë edhe Presidenti i FSHV-së, Erlind Pëllumbi, së bashku me sekretarin e përgjithshëm, Albens Vokopola, të cilët kanë asistuar dhe kanë negociuar në mbledhjen e CEV-it si dhe në hedhjen e shortit. Komiteti ekzekutiv i FSHV-së e konsideron si shumë të rëndësishme këtë pjesëmarrje ndërkombëtare të volejbollit shqiptar.

Duke u nisur dhe nga rezultatet e dy edicioneve të fundit, të cilat kanë qenë shumë inkurajuese për volejbollin shqiptar, ekipet tona kombëtare, në vitin 2018, kërkojnë të bëjnë një hap më tej. Këtë vit, turneu i “Europa League” ka një format ndryshe nga ai i sezonit të kaluar, pasi në këtë edicion ekipet pjesëmarrëse janë ndarë në dy grupe të mëdha “Golden Europa League”, me pjesëmarrjen e 12 skuadrave dhe “Silver Europa League”, ku janë 8 skuadra e mes tyre është edhe Shqipëria e Kosova, por shorti i ka caktuar ato në grupe të ndryshme (kuqezinjtë në Grupin B).

volejboll shorti

Në këtë edicion do të luhet me sistem vajtje-ardhje duke zhvilluar 6 ndeshje secila skuadër, të cilat do të nisin më 20 maj. Faza finale e këtij evenimenti do të luhet më datat 15-16 qershor për femra dhe 16-17 qershor për meshkuj. Në fazën finale do të shkojë vendi organizator, dy ekipet e para të çdo grupi si dhe skuadra e dytë më e mirë nga të dyja grupet (në rast se nuk do të ketë kandidatë për të organizuar finalet, do të vazhdohet me ndeshjet gjysmëfinale dhe finale, sërish me sistemin vajtjeardhje).

Meshkujt volejboll

Shteti që do të fitojë “Silver Europa League”, do të luajë vitin 2019 në “Golden Europa League”. Pëllumbi e Vokopola kanë marrë sërish mbështetjen e institucionit më të lartë europian të volejbollit për punën e mirë që Federata Shqiptare e Volejbollit është duke bërë së fundmi, në zhvillimin dhe përhapjen e këtij sporti në Shqipëri dhe në rajon, duke i inkurajuar krerët e kësaj federate që të vijojnë në këtë rrugë.

Gjithashtu, edhe FSHV-ja ka falënderuar të gjithë krerët më të lartë të Federatës europiane të Volejbollit, për punën e tyre dhe mbështetjen që i kanë dhënë këtij sporti edhe në Shqipëri, duke pranuar kërkesën e pjesëmarrjes së ekipeve tona në këto aktivitete.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"