Shorti emocionon Agollin: Nuk do të jetë e lehtë për mua, por shpresoj të përballem me Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2017 | 11:37

Shorti emocionon Agollin: Nuk do të jetë e lehtë për mua, por shpresoj të përballem me Kukësin

Ansi Agolli është emocionuar kur ka parë shortin e djeshëm dhe mundësinë e një përballjeje me Kukësin në turin e tretë kualifikues të Ligës së Kampioneve. Kapiteni i Kombëtares shqiptare e pranon se ka mbetur pak i suprizuar, por gjithsesi tregohet i matur si gjithnjë dhe nuk zhbalancohet në deklaratat që bën.

Agolli

Ai ka bindjen se Kukësi mund ta kalojë Sherifin dhe atëherë me shumë gjasë do të sfidonte në Champions një ekip shqiptar. Në një deklaratë ekskluzive për “Panorama Sport”, mbrojtësi i Karabakut flet me superlativa për kampionët e Shqipërisë, por nuk dëshiron ta teprojë me euforinë, edhe pse skuadra e tij ka fituar 5-0 ndeshjen e parë kundër gjeorgjianëve të Santredes.

DEKLARATA

“Pikë së pari kemi edhe një ndeshje kundër Santredes në Gjeorgji. Si profesionist më takon që të respektoj maksimalisht edhe ndeshjen e kthimit. Ne jemi të detyruar ta vlerësojmë në maksimum kundërshtarin, pavarësisht rezultatit të ndeshjes së parë. Në futboll nuk ka verdikte para se të luhet një ndeshje, ndaj do të doja që ekipi im të mos nënvlerësojë kundërshtarin.

Ndërsa, sa i përket shortit, e ndoqa me shumë interes dje dhe mund të them se do të ishte mjaft emocionuese të luaja kundër Kukësit. Personalisht e shoh interesante një përballje me një ekip shqiptar në turin e tretë. Do të doja me gjithë zemër që Kukësi të mund t’ia dalë mbanë kundër Sherifit, edhe pse nuk do të jetë e lehtë.

Mua nuk më ka ndodhur asnjëherë në karrierë që të përballem me skuadra shqiptare në kompeticionet e Champions-it apo Europa Ligës… Sa për Kukësin, unë mendoj se është një skuadër që ka bërë progres nga viti në vit, duke u kurorëzuar edhe me titullin kampion sezonin që lamë pas. Ky është një tregues i qartë se kemi të bëjmë me një klub ambicioz dhe të organizuar mjaft mirë. Unë nuk do të habitesha ta shikoja këtë skuadër në turin e tretë, sepse mundësitë i ka”, deklaroi Agolli për gazetën.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"