“Shollin e urreja si lojtar, më tha të njëjtën gjë kur e takova”, rrëfehet Altin Lala: Silvinjo i duhuri, ja ku gaboi Reja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2023 | 23:37

“Shollin e urreja si lojtar, më tha të njëjtën gjë kur e takova”, rrëfehet Altin Lala: Silvinjo i duhuri, ja ku gaboi Reja

Nga përballja kokë më kokë me gjigantët e Bajern Mynihut, te përballja me Portugalinë dhe një lojtar të ri shpërthyes si Kristiano Ronaldo, Altin Lala është një nga legjendat jo vetëm të futbollit shqiptar, por edhe në Gjermani, ku luajti për shumë vite me Hanoverin. Tani ai është një agjent lojtarësh, ku përfshihet edhe sulmuesi i huazuar te Gallatarasaj nga Noruiç Siti, Milot Rashica.

altin-lala

Përveç marrëveshjeve të merkatos dhe transferimeve, Lala ka ende kontakte të ngushta me futbollin shqiptar. Mesfushori thotë se e miraton vendimin ambicioz të Federatës Shqiptare të Futbollit për të emëruar ishmbrojtësin e Arsenalit dhe Barcelonës, Silvinjo, si trajner të Kombëtares. Braziliani ka zëvendësuar veteranin Edi Reja dhe Lala është i bindur se kjo lëvizje mund të jetë e suksesshme. Po jo vetëm këto, pasi dhe për shumë pjesë të tjera, Lala ka folur për “Tribalfootball.com”.

REJA DHE SILVINJO-” Mendoj se Edi Reja e kreu misionin e tij. Ai u dha mundësi shumë lojtarëve të rinj, sidomos atyre lojtarëve që kanë lindur jashtë Shqipërisë. Për mendimin tim, në përgjithësi ai ka arritur suksese, e vetmja kritikë që kam për të lidhet me ndeshjen kundër Polonisë, për shkak të disa zgjedhjeve të tij.

Për mua edhe në bazë të moshës së Rejës ndryshimi i tij me Silvinjon është një gjë e mirë, sepse sjell energji të re në ekip. Shpresoj që tani me trajnerin e ri të jetë një atmosferë ndryshe dhe e re rreth ekipit. Të gjithë shpresojmë për më të mirën dhe se Silvinjo do të arrijë ato rezultate që të gjithë duam”.

KOMBËTARJA- Ishkapiteni i Shqipërisë shikon shumë ndryshime te trajneri i ri Silvinjo. Ai thotë se suksesi për brazilianin do të varet nga lojtarët që do të thithin metodat e ish-trajnerit të Lionit. Lala më tej vazhdoi: “Unë mendoj se do të jetë një përzierje, për shembull askush nuk e priste që Maroku të arrinte në gjysmëfinale të Kupës së Botës dhe ata e arritën atë për shkak të dëshirës së tyre. Ne jemi gjithashtu një vend i vogël pa superyje në ekip, është fjala si Kroacia.

Duhet të përdorim këta dy shembuj se si ata sakrifikuan dhe luftuan deri në fund për të arritur rezultatin. Nëse nuk sakrifikon dhe nuk jep gjithçka, është e vështirë të arrish rezultate. Në këtë sport, është e vështirë të ndryshohesh nga një trajner nëse lojtari nuk dëshiron. Xhani de Biazi kishte këtë mentalitet dhe për këtë arsye ai arriti rezultate të mira.

Por me Kombëtaren është e vështirë, sepse karakteri i lojtarit është formuar tashmë. Ata duhet të dine se kur të hyjnë në fushë duhet të japin gjithçka. Këto gjërat duhet të kuptohen nga lojtarët e Kombëtares. Por unë mbetem pozitiv për të ardhmen”, tha ai.

EKSPERIENCA ME RALF RANGNIK- Sa i përket temës së trajnerëve, Lala shijoi përvojën e të luajturit për Ralf Rangnik në fillimet e karrierës së tij me Hanoverin. Ata kaluan tri vite së bashku dhe Lala ka vetëm fjalë të mira për të thënë për menaxherin aktual të Austrisë. “Rangnik ishte trajneri më i mirë me të cilin kam punuar ndonjëherë. Kur mbërrita në Gjermani, skuadrat luanin me atë që quhej libero dhe Ralf ishte i pari që luajti me katër mbrojtësit në vijë të drejtë”. Duke folur me Lalën për mentorin e tij të vjetër, biseda u zhvendos shpejt në përvojën zhgënjyese të Rangnik sezonin e kaluar me Mançester Junajtidin. Për Lalën, e gjithë situata duhet të ishte shmangur.

“Në çdo ekip në të cilin ishte ai arriti sukses, përveç Mançesterit dhe për mendimin tim ai nuk duhej ta kishte pranuar atë rol. Para ardhjes së tij ata ishin një ekip në mes të tabelës dhe me emërimin e tij u bënë më të mirë ditë pas dite dhe arritën rezultate të mira. Unë u befasova kur ai mori punën në Mançester Junajtid, sepse për të pasur sukses ai ka nevojë për lojtarë që janë ushtarë dhe jo si Kristiano dhe të tjerët që ishin pjesë e të kuqve.

Në filozofinë e tij ai ka nevojë për një lojtar që të jetë i disiplinuar taktikisht dhe të luajë si grup, dhe te Junajtidi ishte shumë e vështirë për t’u arritur, sepse skuadra në atë kohë ishte shumë e ndarë dhe jo kompakte.

Fokusi i tij kryesor në stërvitje ishte loja pa top dhe gjithashtu krijuam një automatizëm që na ndihmoi të lidheshim me njëri-tjetrin dhe të bëheshim më mirë. Shikoni, Rangnik është një trajner jashtëzakonisht i mirë. Për shembull, shikoni suksesin e ekipeve si Salcburgu dhe Lajpcigu. Arkitekti kryesor i kësaj ishte Ralf”, thotë ndër të tjera Altin Lala.

BISEDA ME MEHMET SHOLL- Lala luajti 14 vite në Gjermani me Hanoverin dhe një periudhë të shkurtër me Bajernin. Teksa po i vinte fundi i karrierës, ai pranoi të transferohej te Bajerni, në ekipin e dytë. Ai thotë: “Lojtari më i mirë me të cilin jam përballur ishte Mehmet Sholl. Ishte gjithmonë një lojtar shumë inteligjent dhe një nga mesfushorët më të mirë në botë.

Të gjithë e dinim se Real Madridi ishte i interesuar për të. Nëse ai nuk do të kishte pasur kaq shumë lëndime, do të kishte arritur shumë më tepër. Kur u largova nga Hanover, shkova të luaja për një vit me ekipin e dytë të Bajernit dhe trajner ishte Sholl. Kur u përshëndetëm për herë të parë, i thashë se ishte lojtari që e urreja më shumë dhe ai më tha të njëjtën gjë…”, përfundon Lala.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"