Shmangin akomodimin dhe ushqimin, Elbasani merkato me lojtarë vendës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2019 | 21:10

Shmangin akomodimin dhe ushqimin, Elbasani merkato me lojtarë vendës

Elbasani i sezonit të ardhshëm mund të jetë 100 për qind autokton. Nëse brenda këtyre javëve nuk mbyllet përfundimisht çështja e aksioneve, rrjedhimisht do të mungojë edhe aspekti financiar, duke mos u dhënë mundësinë drejtuesve të bëjnë investime në merkato.

elbasani

Për këtë arsye, verdheblutë pritet të mbështeten vetëm te lojtarët vendës, të cilët kushtojnë më pak. Jo vetëm kaq, por hiqen kostot e akomodimit dhe ushqimit, të cilat rëndojnë jo pak në “xhepat” e një klubi që prej disa vitesh ka pasur probleme financiare, sidomos pas shitjes së aksioneve te një kompani angleze.

Një ekip “made in Elbasan” nuk është vetëm një hipotezë që vjen për shkak të problemeve financiare që po kalon klubi, por edhe si pasojë e një dëshire të të gjithëve. Duke nisur nga vetë drejtuesit dhe deri te tifozi më i thjeshtë, të cilët do ta mirëprisnin një skuadër të mbushur me elbasanas. Duke qenë se këtij qyteti nuk i mungojnë futbollistët, ku më shumë se një ekip i plotë është shpërndarë në skuadra të tjera, nuk duket i pamundur realizimi i një objektivi të tillë.

Në fakt, edhe gjatë sezoneve të kaluara është hedhur një hipotezë e tillë, por në fund gjithsesi drejtuesit kanë afruar lojtarë “jabanxhinj”, edhe pse shumë pak kanë qenë brenda pritshmërive. Problemi qëndron në faktin se një skuadër vetëm me elbasanas nuk do t’i garantonte ngjitjen në Superiore. Me elementët cilësorë që zgjedhin ekipe të investuara, për verdheblutë do të mbeteshin ata të dorës së dytë.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"