“Shkurtoni stafin”, si Këshilli Bashkiak Shkodër kërkon uljen e shpenzimeve për Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2020 | 22:48

“Shkurtoni stafin”, si Këshilli Bashkiak Shkodër kërkon uljen e shpenzimeve për Vllazninë

Në rast se klubi Vllaznia nuk dërgon në Këshillin Bashkiak të Shkodrës buxhetin e rishikuar të vitit 2020, atëherë asambleja nuk do ta kalojë fondin. Jona Leqejza, kryetare e komisionit të kontrollit financiar të Këshillit Bashkiak, ka thënë për gazetën se që më 7 maj të këtij viti i ka dërguar një shkresë administratës së klubit.

keshilli_bashkiak_shkoder

“Kemi kërkuar modifikimin e pasqyrave financiare për t’u përputhur me standardet e kontabilitetit dhe ligjet shqiptare, gjë e cila ka qenë arsyeja pse është refuzuar miratimi i pasqyrave financiare në nëntor të 2019-ës.

Gjithashtu, është kërkuar modifikimi i buxhetit që është paraqitur për vitin 2020″, është shprehur ndër të tjera Leqejza (intervistën e plotë mund ta lexoni në “Panoramasport.al”). Ndërkohë, sot gazeta zbardh një pjesë të dokumentit, ku administratës së klubit i kërkohet të bëjë shkurtime në stafe jo primare, në mënyrë që të ulë shpenzimet.

KËRKESA 

Por çfarë thuhet më konkretisht në kërkesën e Këshillit Bashkiak për rishikim të buxhetit të klubit, dërguar administratorit Lici dhe kryebashkiakes Ademi, teksa mban firmën e kryetares së komisionit të kontrollit financiar, Jona Leqejza?

“Në gjykimin tonë është e domosdoshme të modifikohet ky buxhet për të reflektuar realitetin operacional në gjendjen e bllokimit të aktiviteteve sportive dhe për të siguruar përputhje ligjore të plotë me aktet normative pasuese të gjendjes së fatkeqësisë natyrore shpallur më 24 mars 2020. Ju lutem vlerësoni nëse është realist vlerësimi prej 34 milionë lekësh, duke qenë se ky zë mbulon shpenzimet operative të stadiumit dhe strukturave të tjera dhe nuk ka pasur aktivitet në muajt mars, prill dhe nuk dihet nëse do të ketë në vazhdim.

Si rregull ka edhe kosto operacionale të pandodhura nga mungesa e aktivitetit. Gjithashtu vlerësoni zërat 4 dhe 5 ‘Reklama dhe sponsor’ dhe ‘Të ardhura nga shitja e biletave’, që të reflektojnë në formë më realiste situatën, pasi nuk pritet të ndodhin për shkak të gjendjes së pandemisë dhe masave të distancimit social, të cilat janë burim primar i këtyre të ardhurave. Gjithashtu, ju sugjerojmë shqyrtimin e mundësisë së ndërprerjeve të marrëdhënieve të punës me staf jo primar dhe kalimin e tyre në skemat e asistencës për papunësinë.

Ky është një moment që duhet të tregohemi të rezervuar me financat publike dhe duhet të prioritizohen pagesat vetëm marrëdhëniet kontraktuale që mund të gjenerojnë penalitete dhe padi gjyqësore të mundshme kombëtare apo ndërkombëtare. Në gjykimin tonë, është e domosdoshme përgatitja e një buxheti realist dhe që adreson nevojat e menjëhershme të klubit pa i gjeneruar vonesa institucionale dhe penalitete financiare dhe morale.

Ky buxhet duhet të paraqesë vetëm detyrimet për shpenzime kontraktuale që lindin nga kontratat e lojtarëve dhe kontratat sipas Kodit të Punës dhe për shpenzime operative fikse që nuk mund të shmangen edhe në mungesë të aktivitetit.

Për rrjedhojë, një buxhet i tillë nuk do të ishte një reflektim i politikave apo gjykimeve tregtare dhe nuk do të ketë nevojë për shqyrtim nga një organ tjetër mbikëqyrës. Kërkojmë përgatitjen e përgjigjeve dhe evidencave në raportin e hetimit të posaçëm brenda muajit qershor 2020 për t’i raportuar asamblesë së aksionerëve mbi zbatimin e rekomandimeve të lëna nga ente të ndryshme audituese publike dhe private”, citohej ndër të tjera në dokument.

SENAD NIKSHIQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"