Shkurtaj tremb Luftëtarin, ekipi i Kostiç më dobët se ai i Fernandezit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2018 | 12:52

Shkurtaj tremb Luftëtarin, ekipi i Kostiç më dobët se ai i Fernandezit

Vasil Shkuartaj “alarmon” Luftëtarin. Autori i golit të vetëm ndaj Laçit ka krijuar jo pak panik në fundin e ndeshjes, ndërsa doli nga fusha në limitet e kohës shtesë (në të 94-ën konkretisht). Shkaku i ndërrimit nga sa mëson gazeta vjen prej një shqetësimi. Megjithatë, burime pranë infermierisë gjirokastrite konfirmojnë se nuk ka vend për panik, pasi me 2-3 ditë stërvitje të diferencuar do t’i bashkohet grupit. Kur dihet që ndeshja e radhës luhet me datë 1 shtator, shpresat që ai të jetë në fushë janë maksimale. Dhe nëse ndodh kështu, atëherë shtatlarti do të jetë një forcë më shumë kundër Flamurtarit në fushë.

vangjel cavo vasil shkurtaj

STATISTIKAT- Luftëtari i Kostiç është më i dobët se ai i Fernandezit. Dhe këtë në fakt nuk e themi ne, por statistikat. Vjet, pas dy javëve të para, bluzinjtë edhe pse e nisën me humbje, në ndeshjen e dytë morën një fitore “të artë” në Laç, që asokohe “vulosej” prej Kristal Abazajt, ndërsa këtë fillimsezoni nuk kanë marrë asnjë pikë. Sikur të mos mjaftonte humbja me Kastriotin, i ardhur nga Kategoria e Parë, dy ditë më parë u mundën edhe me Laçin. Këtë herë nuk kishin të njëjtin fat si një vit më parë, që t’i mposhtnin kurbinasit në shtëpi. Në Gjirokastër pakkush e kishte perceptuar se Luftëtari i sezonit aktual do të kishte këtë start.

Dy humbje në po kaq ndeshje të luajtura, zero pikë të grumbulluara, një gol i realizuar dhe tre të pësuar. Shifrat nuk lënë vend për koment. Por, referuar takimit të luajtur në Laç, ku Luftëtarit i iku nga duart, minimalisht barazimi, të bën të besosh se gjirokastritët do të dinë të reflektojnë në mënyrën më të mirë javën e radhës. Atëherë, duhet pritur përballja me Flamurtarin për të “hedhur pas krahëve” startin negativ të bluzinjve. Për të shënuar kthesën, stafi teknik i Luftëtarit s’humbet kohë, teksa dje ka nisur përgatitjet për ndeshjen e javës së tretë. Flamurtari do të jetë sfiduesi i radhës për gjirokastritët, një kundërshtar “i “frikshëm” për Luftëtarin ndër vite. Nisur nga ecuria negative në start, si dhe nga potenciali i vlonjatëve, trajnerit Millosh Kostiç do t’i duhet të bëj mirë “hesapet”, teksa do të vuajë mungesën e brazilianit Xhekson Ferriera, i cili në minutën e 87-të të transfertës së Laçit u ndëshkua me karton të kuq.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"