Shkurtaj qetëson Luftëtarin, gati për Kastriotin, por Mezani ka një mungesë në mbrojtje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2018 | 17:15

Shkurtaj qetëson Luftëtarin, gati për Kastriotin, por Mezani ka një mungesë në mbrojtje

Luftëtari e mbylli fazën e parë me humbje, teksa u mposht nga Partizani me rezultatin 2-1 në “Selman Stërmasi”. Përpos humbjes, të besuarit e trajnerit Mezani i përballuan denjësisht kualitetet e Partizanit kryesues. Që të humbasësh me Partizanin, nuk është fundi i botës, pasi me më shumë përqendrim dhe kujdes, veçanërisht në lojën mbrojtëse, Luftëtari mund dhe duhet të kishte marrë minimalisht një pikë.

Një ditë pas ndeshjes, trajneri Gentian Mezani është optimist, ku për “Panorama Sport” u shpreh: “Ndaj Partizanit prodhuam lojë dhe u treguam grintoz deri në minutën e fundit. Sa i takon kësaj pjese mbetem i kënaqur, ndaj besoj se në ndeshjen e radhës do dimë të dalim te rezultati pozitiv. Nëse lojtarët do të tregohen këmbëngulës dhe luftarak kundër Kastriotit, ashtu siç u shfaqën me Partizanin, unë shpresoj dhe besoj se rezultatet do të vijnë”.

luftetarii

SHKURTAJ- Sulmuesi Vasil Shkurtaj, autori i golit të vetëm të Luftëtarit ndaj të kuqve, pësoi kontraktim muskulor dhe me zëvendësimin e tij solli panik në radhët e stafit. Trajneri Mezani i pyetur nga “Panorama Sport” për shkallën e dëmtimit të Shkurtajt tha: “Dëmtimi i Shkurtajt nuk është shqetësues dhe gjithnjë kam qenë në kontakte me lojtarin në këto orë pas ndeshjes. Sulmuesi do të rrijë pushim për dy ditë dhe të mërkurën do të jetë në fushë dhe do të stërvitet normalisht me grupin”.

LIÇAJ- Ndonëse ka garanci që Shkurtaj do të jetë i gatshëm për Luftëtarin kundër Kastriotit, sërish trajneri Mezani do të ketë mungesa për ndërtimin e formacionit. Lejdi Liçaj do të jetë mungesë e sigurt për Luftëtarin në transfertë me Kastriotin. 31-vjeçari u ndëshkua me kartonë të verdhë ndaj Partizanit dhe kështu plotësoi numrin katër të kartonëve të verdhë. Kështu që Liçaj është i pezulluar nga kartonët. Por, ndërkohë pritet që të jetë i gatshëm për këtë javë shtatlarti i qendrës së mbrojtjes, Nemanja Janiçiç. Për shkak të dëmtimit që mori ndaj Skënderbeut, Janiçiç nuk luajti ndaj Partizanit.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"