Shkurtaj ndjen keqardhje: Duhet të merrnim pikë me Partizanin, por ia dalim me Kastriotin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 24, 2018 | 21:17

Shkurtaj ndjen keqardhje: Duhet të merrnim pikë me Partizanin, por ia dalim me Kastriotin

Luftëtari, edhe pse nuk ia doli që të kthehej minimalisht me një pikë nga përballja me Partizanin, me performancën në fushën e stadiumit “Selman Stërmasi” tregoi se nuk e meriton pozicionin aktual në klasifikim. Ky është dhe mendimi i sulmuesit Vasil Shkurtajt dhënë për “Panorama Sport”. Shkurtaj foli edhe për dëmtimin e pësuar në minutën e 53-të në përballjen me të kuqtë.

“Ishte një dëmtim jo shqetësues, i cili s’ka lidhje me gatishmërinë për ndeshjen me Kastriotin. Më vjen keq për dëmtimin në minutat më të mira të skuadrës, pasi goli im nuk i shërbeu objektivit që kishim për këtë ndeshje. Në ndeshjen e radhës kemi vetëm një objektiv, rezultatin pozitiv”, tha autori i tre golave për Luftëtarin, vlonjati Shkurtaj.

vangjel cavo vasil shkurtaj

ANALIZA – Pas analizës së radhës me kontingjentin bluzi, të zhvilluar në ambientet e brendshme të stadiumit “Gjirokastra”, Luftëtari u ka dhënë “jetë” përgatitjeve për takimin me Kastriotin. Nga sa mësohet, për më shumë se 20 minuta, trajneri Gentian Mezani edhe një herë tjetër i ka mëshuar përqendrimit dhe vendosjes së të tijve veçanërisht në goditjet standarde.

Edhe pse me Mezanin Luftëtari ka ndryshuar fytyrë në lojë, sërish vlonjati nuk rresht së bëri të ditur gabimet që sjellin penalizimin në rezultat. “Futbolli luhet në 90 minuta dhe kërkon gatishmëri dhe vëmendje të plotë. Nuk kam kurrsesi argument të fajësoj askënd, pasi në futboll luhet gabimi, ndaj dhe dua të jeni vigjilentë në çdo situatë”, mësohet se u ka thënë Mezani të tijve para seancës së djeshme stërvitore.

PËRGATITJET – Në orën 16:00, nën drejtimin e stafit bluzi, gjirokastritët startuan përgatitjet për transfertën me Kastriotin. Nën urdhrat e trajnerit Mezani, bluzinjtë pas ushtrimeve me karakter shkrydhës dhe vrapimeve të lehta atletike u “argëtuan” me topin. Kuadrate në grupe me nga tre-katër lojtarë ishin axhenda e ngjeshur e seancës së parë stërvitore në kuadër të sfidës me Kastriotin që do të luhet në “Redi Maloku” të Fushë-Krujës të dielën në orën 14:00. Luftëtarit në sfidën me Kastriotin i rikthehet pas dëmtimit qendërmbrojtësi Nemanja Janiç, teksa Liçaj do të jetë mungesa e radhës për arsye skualifikimi.

Tomorr Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"