Shkumbini në “greminë”, lojtarin agresor ndaj arbitrit Kola e pret ndëshkimi shembullor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2018 | 18:43

Shkumbini në “greminë”, lojtarin agresor ndaj arbitrit Kola e pret ndëshkimi shembullor

Shkumbini përfundoi në Kategorinë e Dytë, pasi humbjes në ndeshjen e “play-out”-it ndaj Veleçikut dy ditë më parë. Një takim që u vendos nga goli i kapitenit koplikas, Besard Çokaj, i cili shënoi nga pika e bardhë. Pas shumë vitesh, peqinasit do të provojnë të luajnë në Kategorinë e Dytë, ndërsa mbyllën në mënyrën më të keqe të mundshme këtë sezon.

Klajdi Kola

Sikur të mos mjaftonte humbja, në fund të ndeshjes së të shtunës u regjistrua edhe një incident dhune i turpshëm ku mesfushori i Shkumbinit, Albano Isaji, goditi me grushte arbitrin kryesor Klajdi Kola. Pritet që ndaj mesfushorit të ketë një dënim shembullor, pasi akti i dhunës ishte vërtet i turpshëm. Dënimin e rëndë ndaj Isajit e ka paralajmëruar edhe FSHF menjëherë pas dhunës së ushtruar nga lojtari ndaj gjyqtarit Kola.

VENDIMI – Sipas burimeve pranë FSHF-së, pritet që dënimi për lojtarin të jepet që në mbledhjen e radhës së Komisionit të Disiplinës, i cili do të mblidhet këtë javë. Burimet flasin për një dënim shumë të ashpër ndaj mesfushorit të Shkumbinit, i cili është njëkohësisht edhe djali i Shefit të Klubit të skuadrës, Astrit Isaji. “Dhunimi në fushë i arbitrit të takimit dhe veprimi antisportiv e tërësisht ekstrem i futbollistit peqinas është totalisht i dënueshëm dhe meriton ndëshkim të rëndë nga organet disiplinore. FSHF nuk do të tolerojë asnjëherë dhe askënd që provokon, nxit dhe ushtron akte dhune në fushat e futbollit”, thuhej në reagimin e FSHF-së.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"