“Shkumbini im në 5-she”, Branica: Kemi edhe një surprizë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2019 | 23:25

“Shkumbini im në 5-she”, Branica: Kemi edhe një surprizë…

Trajneri i Shkumbinit, Sokol Branica, i rikthyer në stolin peqinas pak kohë më parë, është optimist për një start të mbarë të kampionatit. Ai shprehet se skuadra, të cilën ai drejton, do të kërkojë vetëm fitoren për ta nisur mbarë kampionatin. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, Branica flet në lidhje me afrimet e merkatos dhe objektivat që ka Shkumbini në këtë sezon.

Branica - Shkumbini

Branica, pak ditë nga starti i kampionatit. Si është gjendja e skuadrës suaj?

Rruga që kemi bërë nga fillimi i punës sime si trajner e deri më tani, ka qenë e ngarkuar, por fatmirësisht skuadra është në kushte optimale. Kemi arritur të afrojmë disa lojtarë cilësorë dhe me eksperiencë, të cilët në këndvështrimin tim si teknik, do të ishte mirë t’i kishim afruar më parë, në mënyrë që koha në dispozicion të ishte edhe më e madhe. Gjithsesi, lojtarët janë profesionistë dhe gjatë kësaj periudhe janë përshtatur me filozofinë e lojës së grupit dhe mendoj se jemi gati për startin e kampionatit.

Luani përballë Burrelit javën e parë, në fushën tuaj. A është avantazh për ju?

Për ne, pikësëpari çdo kundërshtar do të marrë vlerësimin maksimal, pavarësisht emrit apo fusha ku luhet ndeshja. Fakti që do të luajmë përballë sportdashësve tanë, do të jetë një motiv më shumë për ta nisur me fitore këtë sezon. Gjithashtu, vlen të theksoj se skuadra vjen me moral të lartë pas fitores në Berat, në kuadër të Kupës së Shqipërisë. Besoj se i kemi të gjitha mundësitë që ta nisim me sukses këtë kampionat.

A keni ndonjë peng nga merkatoja e verës?

Mendoj se në këtë aspekt, krahasuar edhe me sezonet e mëparshme në Kategorinë e Parë, është bërë një punë mjaft e mirë nga ana e klubit. Elementët e afruar janë studiuar dhe më pas i janë bashkuar skuadrës për t’i shërbyer asaj për cilësitë që këta futbollistë zotërojnë. Natyrisht, e mira s’ka fund dhe nëse do të kishim mundësi të tjera, mund të bënim edhe ndonjë përforcim tjetër, por gjithsesi jam i kënaqur. Jam munduar që të fus te të gjithë lojtarët ndjenjën dhe dëshirën për t’i shërbyer lojës së grupit dhe jo lojës individuale. Për mua kjo është thelbësore, sepse një ekip, sado futbollistë cilësorë të ketë, nuk bën gjë pa frymën e grupit. Megjithatë, edhe sa u takon përforcimeve nuk i dihet, ndoshta mund të ketë ndonjë surprizë të fundit.

Si e gjykoni faktin që në fushën tuaj do të luajë edhe Egnatia këtë sezon? A mund të ndikojë në cilësinë e tapetit?

Të gjitha vendimet merren bashkërisht dhe duke qenë se klubi ynë ka marrëdhënie të mira me klubin e Egnatias, menduam t’i hapnim dyert e stadiumit. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe ata për ne. Sa i takon tapetit të blertë, megjithëse nuk jam specialist i kësaj fushe, mendoj se deri diku mund të ndikojë, por të shpresojmë që Egnatia ta zgjidhë problemin e fushës në kohën e duhur.

Cilët janë objektivat e Shkumbinit këtë sezon?

Ne kemi si objektiv zhvillimin e një sezoni sa më dinjitoz në Kategorinë e Parë. Duhet t’i vlerësojmë të gjitha ndeshjet një e nga një dhe vetëm në këtë mënyrë do të mund të shikojmë më pas cilët do të jenë objektivat realë të Shkumbinit. Synimi ynë është të pozicionohemi në pesëshen e parë të grupit tonë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"