Shkumbini e largon, zhgënjimi i Isajit: Tallje me një të rënë lapsi! Një jetë në sport, dhe një ditë të bukur…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2019 | 19:02

Shkumbini e largon, zhgënjimi i Isajit: Tallje me një të rënë lapsi! Një jetë në sport, dhe një ditë të bukur…

Astrit Isaji nuk është më shefi i klubit të Shkumbinit. Nga dje drejtuesit peqinas kanë emëruar Florenc Hasbajramin në këtë post.

magani dhe astrit isaji

Lajmi u bë i ditur fillimisht nga vetë Isaji me një postim në profilin e tij në “Facebook”. Më pas, edhe kryebashkiaku Tosku ka konfirmuar ndryshimin në strukturën drejtuese të klubit. Duhet thënë se një numër i madh aktorësh të futbollit, si trajnerë, administratorë dhe ish-futbollistë të Shkumbinit kanë shprehur keqardhjen për këtë largim.

I pyetur rreth kësaj lëvizjeje në klub, kryebashkiaku Tosku, i cili mban edhe rolin e presidentit të Shkumbinit, ka pohuar se lëvizje të tilla janë normale dhe brenda kuadrit sportiv, duke synuar përmirësimin e aspektit administrativ. Emri i administratorit të ri nuk është i panjohur në ambientin sportiv peqinas, pasi Florenc Hasbajrami ka qenë trajner moshash te Shkumbini, madje ka arritur të zërë vendin e parë në klasifikimin rajonal në qark.

ISAJI – I kontaktuar nga “Panorama Sport” për largimin pas një periudhe 16- vjeçare si shef klubi i Shkumbinit, Astrit Isaji nuk e ka fshehur zhgënjimin e madh nga vendimi i beftë. Ai thekson se gjithë jetën ia ka kushtuar futbollit dhe papritur dikush, me një të rënë të lapsit, i tregon derën. Isaji nuk akuzon askënd direkt me emër, por më shumë merret me fenomenin që ndodh rëndom jo vetëm te Shkumbini, por në gjithë futbollin shqiptar aktualisht, ku njerëz që nuk kanë lidhje me sportin, vendosin të hedhin poshtë gjithçka sa hap e mbyll sytë. “Nuk di çfarë të them. Më komunikuan largimin nga detyra pa asnjë arsye”, thekson Astrit Isaji, shef klubi i peqinasve për 16 vjet dhe ish-lojtar dhe ishtrajner i Shkumbinit. Më tej, ai vazhdon: “Mund të ketë prapavijë politike, por nuk dua ta shoh politikisht. Nuk kam asgjë me administratorin e ri, absolutisht. Jam i zhgënjyer nga mënyra si veprohet dhe si merren këto vendime. Të sakrifikosh gjithë jetën për Shkumbinin, aq sa të gjithë njerëzit na mbajnë mend akoma me të mbathura futbolli dhe një ditë të bukur të të largojnë kështu… Problemi më i madh në futbollin e sotëm, jo vetëm te Shkumbini, është se dikush që nuk ka asnjë lidhje me futbollin, tallet me ata që i kanë kushtuar gjithë jetën këtij sporti”.

SAKRIFICAT PËR SHKUMBININ – Ish-shefi i klubit peqinas tregon më tej disa detaje për atë çfarë ka bërë këtë periudhë të gjatë te Shkumbini.

“I kemi kaluar të gjitha te Shkumbini, të mirat dhe të këqijat. Së fundmi ka pasur shumë vështirësi, edhe për sezonin aktual, ku ekipi u organizua me vonesë. Bashkë me drejtuesit e tjerë, trajnerë dhe futbollistë, kemi sakrifikuar kaq shumë. A dini çfarë ndodh? Ka edhe nga ata drejtues që më kanë thënë: “Mos e ço ekipin në ndeshje, sepse ka shpenzime”. Nuk e kanë idenë për pasojat. I kam dhënë gjithçka Shkumbinit si lojtar, trajner dhe drejtues klubi. Dashje pa dashje kam penalizuar edhe djalin tim që luan për këtë ekip, pasi ka vuajtur paragjykimet. Nuk e di ku duan ta çojnë sportin dhe futbollin kështu. Do të vijë një ditë që do të plasë, pasi nuk mund të vazhdohet kështu. I uroj me gjithë zemër suksese Shkumbinit, që është jeta ime. Ajo që më gëzon është se menjëherë pas lajmit të largimit tim, shumë njerëz më kanë ofruar mbështetje maksimale”, ka përfunduar për “Panorama Sport” Astrit Isaji.

FATJON RUPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"