Shkumbini del blof në shtëpi, Bylisi i “ndërkombëtarizuar” i një merr pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2012 | 11:30

Shkumbini del blof në shtëpi, Bylisi i “ndërkombëtarizuar” i një merr pikë

SHKUMBINI-BYLIS  1-1
GOLAT: Mustafaji 51’/ Xhon 43′
SHKUMBINI: Kotorri, Lundraxhiu (Sulkja 55′), Salliu, Ramazani, Isaji, Pasha, Mustafaji, Kafazi(E.Magani 78′), Shenaj, Diop, Dervishi. Trajner: K.Mile
BYLISI: Frashëri, Kelmendi, Ristevski, Adigun, Olalekan (Shoshi 62′), Teqja, Kule, Meto (Izuçuku 55′), Popoviç (Jakob 72′), Xhon, Xhafa. Trajner: N.Shansoi
KARTONË TË VERDHË: Ramazani 16′, Lundraxhiu 53′, Isaji 90′, Mustafaji 94’/ Adigun 45′, Kelmendi 57′, Xhon 64′, Teqja 59′, Ristevski 87′
GJYQTARET K.Meta, R.Avdo, D.Agaraj (Tiranë)

MINUTAT
38′ Isaji kroson nga goditja e dënimit dhe Diop gjuan me kokë, por godet vetëm shtyllën pingule.
43′ Sulmuesi afrikan i ballshiotëve, Xhon Huan, e shfrytëzon mjaft bukur krosimin e Popoviçit, duke shënuar golin e avantazhit për skuadrën e tij, dhe 0-1.
45′ Mesfushori Shenaj i ka të gjitha mundësitë për të shënuar, gjuan fort, por topi përfundon jashtë.
51′ Peqinasit gjejnë golin e barazimit. Pasha kroson nga e majta, ndërsa Mustafaji në zonë e ndalon topin duke e dërguar
drejt e në rrjetën e Frashërit, 1-1.

Shkumbini nuk ka shkuar më larg se barazimi në ndeshjen e parë për këtë vit ndaj Bylisit. Emocione, kartonë të verdhë, por edhe tension, për shkak të vonesave të tepruara nga futbollistët ballshiotë. Kjo ka qenë tabloja e takimit të djeshëm midis Shkumbinit vendës dhe Bylisit mik. Duke parë situatën gjyqtari i ndeshjes, Meta, akordoi plot 9 minuta shtesë në fund të pjesës së dytë, të cilat nuk sollën ndonjë ndryshim rezultati. Kësisoj, barazimi i kënaqi më shumë ballshiotët.
Takimi Sfida mes dy skuadrave që ndodhen në mesin e renditjes ka nisur e shpejtë, por duhet thënë se terreni i rrëshqitshëm nuk i lejonte ato të dilnin në lojën e tyre më të mirë. Që në fillim ishin vendësit që e kërkonin golin me anë të sulmuesit Dervishi, goditja e të cilit ndalet nga portieri Frashëri. Me kalimin e minutave, ballshiotët bëhen të rrezikshëm duke depërtuar në zonën peqinase, por pa sukses. Trajneri Kristaq Mile ia kishte besuar mesin e fushës Shenajt dhe pikërisht ky bëhet promotori i aksioneve sulmuese të peqinasve. Kur dukej se pjesa e parë do të mbyllej pa gola, një aksion pa shumë pretendime i miqve shndërrohet në gol me anë të sulmuesit Xhon Huan. Ky i fundit e shfrytëzon mjaft bukur krosin e Popoviçit. Ai gjuan me kokë duke mposhtur portierin Kotorri. Ndërkaq, fraksioni i dytë i lojës nis me të njëjtën formacion si te pjesa e parë. Miqtë tërhiqen disi në mbrojtje të rezultatit, ndërsa bardhekaltrit kërkojnë me ngulm golin e barazimit, i cili nuk vonon shumë. Në minutën e 51-të, Mustafaji merr një pasim të saktë nga Pasha. Lojtari i gjendur në zonë nuk e ka të vështirë ta mposhtë Frashërin. Goli i barazimit i jep zemër skuadrës së Miles, e cila hidhet në sulm në kërkim të golit të avantazhit. Vendësit fitojnë shumë terren në lojën e tyre dhe duhet thënë se i afrohen shumë golit me anë të Sulkjes e Dervishit, por pa konkluduar në mënyrën e duhur. Nga ana tjetër, trajneri mik Shansoji, i cili shfaqet mjaft impulsiv, kërkon që skuadra e tij të luajë me anë të kundërsulmit të shpejtë. Në të 77′-ën është sërish sulmuesi Dervishi, i cili ka një rast të mirë për të shënuar, por pa sukses. Në minutën e 85-të takimi ndërpritet për rreth 3 minuta, për shkak të dëmtimit të portierit Frashëri. Por, pa kaluar as katër minuta, gardiani ballshiot shtrihet sërish në tokë duke qëndruar plot edhe pesë minuta të tjera. Këto momente sjellin acarim në radhët e peqinasve, të cilët ishin në kulmin e lojës së tyre drejt kërkimit të golit të dytë. Rinisja e lojës përkon edhe me dhënien e shtesës nga ana e gjyqtarit Meta, i cili akordon edhe 9 minuta të tjera. Vendësit kërkojnë me forca të shumta të shënojnë golin e fitores, por pa rezultat. Madje, në dy momente janë ballshiotët që mund ta mbyllnin ndeshjen me fitore, por Kotorri është i pakalueshëm.

MË I MIRI
Një ndër futbollistët më të mirë në fushën e lojës ishin mbrojtësi Diop dhe sulmuesi Mustafaji të Shkumbinit. Mbrojtësi ishte në ditën e vet më të mirë, pasi qe i pakalueshëm. Ndërsa sulmuesi Mustafaji ka shënuar golin e barazimit për Shkumbinin, duke sakrifikuar në fushë për shkak të një dëmtimi.

MË PAK AKTIVI
Mesfushori ballshiot, Agim Meto, ishte larg formës së tij në sfidën e djeshme. Meto, i cili ka ardhur si përforcim te Bylisi në merkaton e dimrit, ka gabuar në pjesën e parë ndaj peqinasve. E kësisoj, duke parë paraqitjen e tij jo të mirë në fushë, trajneri i ballshiotëve, Naxhi Shansoji, e ka zëvendësuar me Izucukun.

Mile: U ndëshkuam nga një gabim i yni
Numri një i pankinës peqinase, Kristaq Mile, në konferencën për shtyp pas përfundimit të takimit u shpreh se e kishin vlerësuar atë në maksimum, pavarësisht se nuk shkuan më shumë se barazimi. “Ishte një sfidë, të cilën e kishim vlerësuar në maksimum, pasi përballeshin dy skuadra që pozicionoheshin në mesin e tabelës së klasifikimit. Mendoj se në pjesën e parë jemi ndëshkuar nga një gabim yni, i cili u shfrytëzua më së miri nga ballshiotët. Ndërsa në pjesën e dytë të lojës kemi qenë dominues, duke e gjetur shumë shpejt golin e barazimit. Në këtë fraksion loje kemi pasur mjaft raste për të shënuar, por lojtarët kanë gabuar përpara portës. Kjo ishte finalja jonë e parë në fazën e dytë, të cilën donim që ta mbyllnim me fitore, megjithëse tashmë na mbetet që të shikojmë përpara, pasi kemi plot ndeshje të tjera që na presin”, ka thënë trajneri i Shkumbinit.

Shansoji: Barazimi për ne nuk është keq
Naxhi Shansoji, trajneri i Bylisit, pas përfundimit të takimit në konferencën për shtyp u shpreh mjaft i kënaqur për pikën e marrë. Sipas tij, barazimi në start mund të konsiderohet pozitiv për ta. “Në pjesën e parë luajtëm si të barabartë, duke mos i lënë hapësira kundërshtarit. Kemi luajtur mirë taktikisht, çka bëri që në fund të pjesës së parë të shënonim edhe golin e avantazhit. Ndërkohë që fraksioni i dytë i lojës dihej se do të ishte i vështirë për ne. Më vjen keq që u ndëshkuam aq shpejt, pasi një gjë e tillë na prishi edhe planet. Gjithsesi, një barazim në startin e fazës së dytë mund ta konsiderojmë pozitiv. Në Peqin u luajt një futboll i fortë dhe burrëror. Mirëpo, unë mendoj se ka akoma punë për të ndryshuar mentalitetin e futbollit në Shqipëri. Gjithsesi, i uroj suksese skuadrës së Shkumbinit në këtë fazë të dytë që sapo ka nisur”, përfundoi trajneri i ballshiotëve.

Peqinasit acarohen me portierin Frashëri
Ndeshja midis Shkumbinit dhe Bylisit është ndërprerë disa herë në pjesën e dytë, për shkak se futbollistët ballshiotë kanë simuluar për ndërhyrje të rënda ndaj tyre. Këto ndërprerje të shpeshta, në një kohë kur bardhekaltrit ishin duke dominuar në fushë, i kanë irrituar vendësit. Acarimi i tyre ka arritur kulmin atëherë kur portieri Frashëri ka kërkuar ndihmën e mjekëve në dy raste. Në të 85′, ai është shtrirë në fushë për rreth 3 minuta, ndërsa në të 87′ ka qëndruar gati 5 minuta të tjera. Dhe me të drejtë, peqinasit kërkuan nxjerrjen e tij nga fusha e lojës. Mirëpo, trajneri Shansoji i kishte bërë të tria zëvendësimet. Këto ndërprerje e ulën ndjeshëm ritmin e lojës dhe pavarësisht shtesës së akorduar prej 9 minutash, rezultati i takimit nuk ndryshoi deri në fund.

DEPUTETËT
Ndeshjen e djeshme midis Shkumbinit dhe Bylisit, e cila përfundoi barazim, e kanë ndjekur deputetët Dashnor Sula dhe Enkeled Alibeaj. Të dy këta kanë qëndruar në tribunën VIP. Ndërkaq, skuadra ballshiote dje ka thyer një rekord më vete, pasi për fanellën e sa kanë luajtur jo pak, por plot pesë futbollistë afrikanë.
Fatmir Ahmeti

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"