Shkullaku largohet nga Pogradeci: Koha për një hap të rëndësishëm në karrierë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 11, 2017 | 15:15

Shkullaku largohet nga Pogradeci: Koha për një hap të rëndësishëm në karrierë

Gjashtë sezone me Pogradecin, shumë cilësi dhe gola pa fund. Hermes Shkullaku është një prej emrave më të lakuar në këtë merkato vere. Bëhet fjalë për një produkt shqiptar dhe lojtar që premton shumë. Mesfushori me tipare sulmuese së bashku me Jurges Liçkollarin kanë qenë një dyshe e frikshme për çdo ekip në Kategorinë e Parë.

Shkulaku

Gjatë kampionatit të kaluar, Shkullaku ka shkëlqyer me Pogradecin duke qenë shënuesi më i mirë. Në 18 ndeshje ai shënoi tetë gola, ndërsa ka lënë gjurmë thuajse në çdo sfidë. Pas gjashtë vitesh me liqenorët ku ka debutuar me ekipin e parë kur ende nuk i kishte mbushur 17 vjeç, Shkullaku mendon se ka ardhur momenti për një hap të rëndësishëm në karrierën e tij. Aktualisht, 23-vjeçari ka disa oferta nga Superiorja dhe konsiderohet një lojtar që premton shumë.

SHKULLAKU

Në një prononcim për gazetën, mesfushori me tipare sulmuese flet për ofertat që ka dhe të ardhmen që e pret. Sipas tij, një gjë është e sigurt, që ai do të largohet nga Pogradeci.

“Mendoj se ka ardhur momenti që të iki nga Pogradeci. Kjo është skuadra ku unë jam lindur dhe jam rritur, por duhet që të hedh hapa të rëndësishëm në karrierë. Për momentin mund të them se Luftëtari dhe disa ekipe të tjera të Superiores më kanë kontaktuar, por ia kam lënë gjithçka në dorë menaxherit Enton Marini. Ai më ka thënë se janë disa opsione, por kur të ketë diçka konkrete atëherë mund të flas më shumë”, është shprehur fillimisht Shkullaku.

Më tej, ai deklaron se e ka ëndërr që të luajë jashtë Shqipërisë. “Transferimi jashtë vendit do të ishte diçka perfekte. Atë e dëshiron çdo lojtar, pasi i shërben për t’u rritur ndjeshëm në karrierë. Synimi është që të iki nga Pogradeci, pasi është momenti i duhur për të bërë një hap të rëndësishëm. Gjithsesi, mendoj se në vazhdim do të ketë një gjë konkrete dhe mund të flas më gjatë. Për momentin kjo është situata”, përfundoi prononcimin e tij për gazetën mesfushori me tipare sulmuese, Hermes Shkullaku.

KARRIERA

Shkullaku e ka nisur gjithçka me ekipet e moshave të Pogradecit. I lindur në qytetin buzë liqenit, ai ka spikatur me talentin e tij që në fillim. Kur ende nuk i kishte bërë 17 vjeç, Shkullaku debuton me Pogradecin në Superiore. Në sezonin 2011-2012, liqenorët ishin për herë të fundit në elitë dhe në atë vit mesfushori u aktivizua në dy takime.

Më pas, në kampionatet e ardhshme ai u shndërrua në titullar të padiskutueshëm. Në sezonin 2014-2015 pësoi një dëmtim të rëndë që e la jashtë fushave. Në kampionatin e fundit ra në sy me lojën e tij. Tashmë, pritet të hedh një hap tjetër në karrierë.

BESAR BOZGO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"