Shkroi historinë me Milanin, Kaka zbulon prapaskenën: Kisha akord me Bajernin e Mynihut, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 29, 2021 | 15:43

Shkroi historinë me Milanin, Kaka zbulon prapaskenën: Kisha akord me Bajernin e Mynihut, por…

Ish-ylli i Milanit, Rikardo Kaka, tregoi për “Sport Bild” se si ishte pranë kalimit te Bajerni në vitin 2002. Mesfushori që shkëlqeu me kuqezinjtë në Itali mund të kishte përfunduar në Mynih nëse nuk do të kishte qenë për ish-presidentin e Bajernit, Uli Hënes.

KAKA

“Bajerni ishte një pikë kthese e rëndësishme në karrierën time. Kur isha me kombëtaren e Brazil U-21 në Katar fola me drejtuesit e Bajernit. Kisha bërë përgatitjet e duhura, madje kisha provuar dhe veshjet tradicionale bavareze. Kur erdhi momenti për të fluturuar nga Brazili në Mynih, gjithçka mbeti pezull.

Bajerni nuk bëri kurrë një ofertë konkrete te Sao Paolo. Bisedimet me skuadrën gjermane mbetën përgjysmë dhe gjithçka u sfumua në shumë pak kohë, – tregon Kaka. – Gjithsesi, nuk më vjen aspak keq që zgjodha Milanin, pasi aty fitova shumë trofe duke përjetuar momente të paharrueshme, edhe pse të luaja për bavarezët, do të kishte qenë me të vërtetë diçka e veçantë”.

Bajerni mund të kishte marrë shërbimet e brazilianit nëse nuk do të kishte qenë për ishpresidentin, Uli Hënes, i cili i kishte komunikuar lojtarit se kishte shumë futbollistë në skuadër që luanin në pozicionin e tij.

Sigurisht që pala që doli e humbur ishte Bajerni, pasi Kaka fitoi gjithçka në Milano duke u bërë një nga lojtarët më të mirë në botë.

Braziliani kaloi më pas te Reali Madridit, një aventurë që përfundoi ndryshe nga ajo e Milanos pas disa dëmtimeve në gju të brazilianit të cilat e detyruan atë të tërhiqej para kohe.

Me Kakanë Bajerni do të kishte qenë një skuadër akoma më e fortë, edhe pse në atë kohë skuadra ishte në nivele të larta, ashtu si dhe tani ku po dominojnë Bundesligën prej 9 sezonesh dhe fituar tripletën 2 herë në 10 vitet e fundit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"