Shkrihet ekipi prej trukimit ndaj Barcelonës B, e pëson portieri i kombëtares shqiptare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2017 | 0:10

Shkrihet ekipi prej trukimit ndaj Barcelonës B, e pëson portieri i kombëtares shqiptare

Të shikosh Barcelonën që fiton me shumë gola diferencë nuk është çudi e madhe në futboll. Por, e shtuna e kaluar pati me të vërtetë diçka të dyshimtë, kur ekipi i dytë i katalanasve fitoi me rezultatin 12-0. Ndeshja ishte e vlefshme për kategorinë e tretë të Spanjës, ku edhe militojnë, përballë rivalëve të Eldenses. Kaq mjaftuar që në ekip kundërshtar të shkaktohet një tërmet, i nisur me akuza për trukim dhe i përfunduar me shkrirjen e skuadrës.

Njëri prej futbollistëve të Eldenses ka akuzuar publikisht se katër prej lojtarëve që u aktivizuan në atë ndeshje e kanë trukuar takimin, për të humbur sa më thellë dhe për këtë gjë ka pasur një sherr në dhomat e zhveshjes. Më tej, klubi ka vendosur që të shkrihet dhe të mos jetë pjesë e këtij kampionati, duke e nisur edicionin pasardhës në një kategori më poshtë.

Por, këtu e pëson edhe një futbollist shqiptar. Bëhet fjalë për portierin e talentuar Alesio Abibi, i cili në fakt nuk ka luajtur fare.

Barcelona B - Elsense

Akuza

Sulmuesi Sheik Saad nuk ishte në fushën e lojës në ndeshjen e fundit dhe ai akuzon se ky vendim u mor për shkak se nuk ishte pjesë e grupit që toleronte në fushën e lojës. Për këtë, ai ka vendosur të bëjë publike gjithçka që ndodhi.

“Unë isha titullar deri 30 minuta para ndeshjes, por papritur vendosën që të luajë dikush tjetër. Janë të paktën katër futbollistë, emrat e të cilëve jam gati t’i bëj publike më vonë, që kishin vendosur të toleronin takimin, për të humbur sa më thellë. Sulmuesit tjetër që u aktivizua në vendin tim iu kërkua që të mos shënonte asnjë gol, nëse donte që të luante. Dyshoj shumë se edhe trajneri ka qenë në dijeni të trukimit, pasi nuk kishte pse të bëhej formacioni në atë mënyrë dhe që gjithçka ta merrnin në dorë katër persona”, tha fillimisht ai.

“Në dhomat e zhveshjes ka pasur një zënkë të madhe. Isha gati të sherrit me grushte me shokët e ekipit për atë që po bënin, por kjo nuk ndikoi aspak. Nuk më intereson tashmë se cilat janë pasojat, sepse ishte me të vërtetë shumë e rëndë”, shtoi Saad.

Saad: Fituan para, do t’i denoncoj me presidentin

Futbollisti që vendosi të akuzojë publikisht trukimin e ndeshjes së Eldenses kundër Barcelonës B nuk ka ndërmend ta lërë me aq. Ai ka deklaruar se do i shkojë deri në fund.

“Falënderoj Zotin që nuk luajta në atë takim, pasi do kishte qenë një turp i madh për mua. Së bashku me presidentin e klubit kemi vendosur që t’i denoncojmë. Nuk ishte thjesht një tolerim, por ata futbollist kanë përfituar para për këtë gjë. Ishte një trukim skandaloz”, u shpreh lojtari.

Në fakt, ai ka pasur debat edhe me trajnerin e ekipit në dhomat e zhveshjes. “Ke për të mbajtur përgjegjësi për këtë që po ndodh. Ke për ta paguar shtrenjtë”, i pati thënë, duke nënkuptuar se edhe ai ishte në dijeni të asaj që po ndodhte.

Elsense

Futbollisti që qau: Dita ime më e vështirë

Në përfundim të ndeshjes, futbollisti i Eldenses, Miki Fernandez nuk i ka mbajtur dot lotët, duke marrë edhe përqafime nga kundërshtarët prej atij momenti emocionues. Ai është i huazuar nga Valencia, por ka vënë një status që nënkuptonte se shokët e ekipit kishin bërë diçka të çuditshme.

“Ishte dita më e vështirë e karrierës sime futbollistike. Nuk di ta shpjegoj atë që ndodhi në fushën e lojës dhe pata një paaftësi për të reguar. Skuadra nuk e tregoi forcën e saj të vërtetë dhe e gjetëm veten duke pësuar 12 gola. U kërkoj falje të gjithëve, por ishte me të vërtetë turpëruese”, deklaroui Fernandez.

Klubi vendos të shkrihet: Hetoni bastet për ne!

Pas akuzave se humbja 12-0 ndaj Barcelonës B ishte e trukuar, klubi nuk ka pritur më që të shihet rezultati i hetimit. Në një komunikatë për shtyp, ata kanë njoftuar se tërhiqen në mënyrë të menjëhershme nga kampionati dhe se institucionet e futbollit duhet të nisin një hetim mbi bastet.

“Në një situatë kaq të vështirë për klubin tonë, kemi vendosur që të mos marrim pjesë në ndeshjet e mbetura të kampionatit. Humbja 12-0 ndaj Barcelonës B ishte e patolerueshme si në aspektin e rezultatit sportiv, ashtu edhe mbi dyshimet e vullnetit të lojtarëve për të dhënë maksimumin. Për këtë gjë, kërkojmë që organet përkatëse të nisin një hetim dhe të kenë në qendër të vëmendjes përfitimet e siguruara nga bastet. U kërkojmë falje tifozëve tanë, por besojmë se ky është vendimi i duhur që duhet marrë”, thuhej në komunikatë.

Në fakt, Eldense e kishte siguruar rënien nga kategoria, pasi pozicionohej në vendin e fundit të klasifikimit me vetëm 14 pikë në 32 ndeshje.

Alesio Abibi 2

Shqiptari
Pjesë e skuadrës së Eldenses është edhe një futbollist kuqezi. Bëhet fjalë për portierin 20-vjeçar Alesio Abibi, i cili nuk ka luajtur në ndeshjen e akuzuar për trukim. Madje, nuk ka pasur thuajse fare minuta në dispozicion gjatë këtij edicioni. Në të shkuarën, Abibi ka qenë pjesë e Kombëtares U-19 të Shqipërisë, ku është aktivizuar për disa minuta në një ndeshje miqësore ndaj Italisë. Pas vendimit për shkrirjes e skuadrës, tashmë ai ka mbetur pa ekip.

Alesio Abibi kombetarja

Kush është portieri shqiptar i Eldenses

Alesio Abibi është një portier i talentuar, i cili tashmë ka mbetur pa skuadrës pas vendimit të klubit për t’u shkrirë. Në fakt, 20-vjeçari nuk është aspak i përfshirë në skandalin e ekipit spanjoll, por e pësoi dhe tashmë është një lojtar i lirë. Futbollisti shtatlartë ka luajtur në të shkuarën në kategoritë inferiore të Italisë, ndërkohë që edicionin e fundit provoi të aktivizohet në Spanjë, ku në fakt nuk ka gjetur mjaftueshëm hapësira.

Në të shkuarën, ai ka arritur të fitojë edhe grumbullimin me Përfaqësuesen U-19 të Shqipërisë, gjatë kohës që drejtohej nga Altin Lala. Ai është aktivizuar si zëvendësues në minutat e fundit të miqësores ndaj Italisë, të cilët kuqezinjtë e humbën me rezultatin 3-2.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"