“Shkojmë larg”, trajneri Stojku: Pres edhe ndonjë “surprizë” në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2022 | 23:33

“Shkojmë larg”, trajneri Stojku: Pres edhe ndonjë “surprizë” në merkato

Në një kohë që KF Elbasani nuk është regjistruar fare në kampionat dhe rrezikon të “zhduket”, një tjetër ekip është gati që të bëjë surprizën në Kategorinë e Dytë. Bëhet fjalë për Akademia e Futbollit, klub i krijuar gati një vit më parë nga bashkia. Qyteti të paktën nuk do të humbasë mundësinë që të shoh futboll, madje edhe cilësor. Verdheblutë janë një ndër skuadrat që ka kryer më shumë investime dhe merkatoja, ndaj pritshmëritë janë të mëdha.

Elbasani Stojku

Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri Gentian Stojku, flet për situatën në të cilën ndodhet ekipi pas një periudhe intensive përgatitjesh dhe takimesh miqësore. Ai vlerëson kontingjentin që ka në dispozicion dhe nuk fshihet nga objektivat.

“Gjatë gjithë kësaj periudhe jemi munduar të harmonizojmë ekipin, duke qenë se gjatë merkatos kemi pasur disa lëvizje lojtarësh. Në tërësi jam i kënaqur me punën e bërë, ku kemi provuar veten edhe në takimet miqësore.

Përveç ndeshjes me Vorën, ku kam mbetur i pakënaqur, në përballjet e tjera ekipi ka treguar cilësi. Nuk fshihemi nga objektivat, dihet që është ngjitja në Kategorinë e Parë dhe tani që u njohëm edhe me shortin shpresojmë ta nisim mbarë kampionatin”, u shpreh fillimisht tekniku elbasanas.

MERKATO – Në lidhje me ndonjë dëshirë të fundit në merkato, Stojku, edhe pse e sheh skuadrën të kompletuar dhe ka besim te grupi aktual, e mirëpret ndonjë afrim që mund të bëjë diferencën. “Deri në fund, çdo trajner dhe ekip shpreson të afrohen lojtarë, të cilët bëjnë diferencën dhe që mund të na ndihmojnë në arritjen e objektivave.

Megjithatë, edhe nëse nuk ndodh, ne jemi gati për ta përballuar sezonin me lojtarët aktualë. E rëndësishme është që t’i marrim ndeshjet me radhë dhe të japim maksimumin ndaj kujtdo”, u shpreh në prononcimin e tij për gazetën, trajneri i AF Elbasani. Ndeshjen e parë verdheblutë do ta kenë përballë AF Luftëtarit dhe me shumë gjasa kjo përballje mund të luhet në “Elbasan Arena”.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"