Shkodra harron polemikat me klubin: “Burgu” më solli në formë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2018 | 20:08

Shkodra harron polemikat me klubin: “Burgu” më solli në formë

Kukësi zgjidhi konfliktin për shkak të kontratës me Donjet Shkodrën, të cilit klubi i bëri një kontratë të re dhe e riktheu në ekipin e parë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori kosovar është shprehur se çdo gjë e mëparshme është harruar. Ai, njëlloj si klubi, është i kënaqur me konsensusin e arritur dhe se vetë është i etur për fitore. Shkodra tregon impresionet për ekipin B dhe zbulon sekretin për formën e tij.

Shkodra

Donjet, patët një konflikt me klubin, për çfarë shkaqesh erdhi dhe si e zgjidhët?

Ishte një mosmarrëveshje për shkak të kontratës, të cilën ne e zgjidhëm me konsensus, e të dyja palët jemi të kënaqur dhe pse jo të lumtur. Nuk dua të flas më për atë çështje, e cila është e ezauruar mes nesh. Çdo gjë është si më parë, ecim të dyja palët paralel dhe në mënyrën më të mirë të mundshme për të arritur objektivat. Jam shumë i përqendruar dhe kam shumë vullnet të arrij më të mirën me Kukësin.

Si jeni ndier gjatë kësaj kohe që jeni stërvitur me ekipin B dhe me trajner personal nga dy herë në ditë?

Realisht jam ndier mirë dhe tek ekipi B. Mund të tingëllojë çuditshëm, por unë ju them me bindje juve dhe kujtdo tjetër se ekipi i të rinjve të Kukësit është i mrekullueshëm, me lojtarë me mjaft të ardhme. Jam gjendur i respektuar atje nga të gjithë “çunat” dhe pse me një diferencë moshe të ndjeshme nga unë, por nga sjellja e tyre jam ndier shumë mirë dhe i impresionuar, për të mos harruar trajnerin. Jam në gjendje shumë të mirë fizike, pasi “dënimi” me dy seanca më ka bërë mjaft mirë. Ka qenë stërvitje ekstra për mua gjatë kësaj kohe.

Deri në janar me Kukësin, çfarë synoni të arrini?

Shpresoj dhe kam bindje të plotë se do e ndihmoj ekipin me sa të kem mundësi, jam gati për gjithçka dhe për çdo sfidë që më del para.

Në ndeshjen e kontrollit i shënuat dy herë ekipit të parë, pra ekipit tënd, si u ndjetë?

Mundësia, që m’u dha për t’u stërvitur ekstra, më bëri shumë mirë. Jam në gjendje të mirë siç e thashë dhe më lart, e ajo bëri që unë të shfaqesha në atë mënyrë. Ishte thjesht një ndeshje kontrolli, por natyrisht u ndjeva mirë. E njoh veten mirë, sapo të më jepet mundësia do jap më të mirën në ndeshjet zyrtare për ekipin tim.

Po gjatë kësaj kohe që keni qenë jashtë ekipit të parë, shokët apo miqtë çfarë ju kanë thënë?

Shokët e ekipit më kanë mbështetur shumë. Shpesh ma kanë shprehur mungesën time dhe kjo gjë mua më ka bërë që të motivohem më shumë dhe të vazhdoj të punoj sa më fort me qëllim që të rikthehem të luaj me shokët e mi sa më shpejt. Kemi një grup lojtarësh dhe njerëzish të mrekullueshëm.

Si e keni parë Kukësin këto dy javë që keni qenë jashtë tij?

I kam ndjekur me vëmendje ndeshjet. U ndjeva shumë mirë që fituam ndaj Tiranës, siç u mërzita që humbëm ndaj Flamurtarit e që nuk pata mundësi të ndihmoj në ato momente ekipin.

Po prurjet e reja si ju janë dukur?

Këto dy ditë që jam duke u stërvitur sërish me ekipin e parë, i kam parë prurjet e reja. Më janë dukur shumë lojtarë të mirë, të cilët do e ndihmojnë ekipin, pasi gara për titull është shumë e fortë dhe kampionati është shumë i gjatë.

Ndesheni kundër Teutës, si e shikoni këtë transfertë?

Në Durrës është gjithmonë vështirë, gjykoj se Teuta me trajnerin e ri, Bledi Shkëmbi dhe lojtarët që kanë afruar, kanë bërë që ky ekip të jetë konkurrues këtë sezon. Unë jam i bindur që Kukësi ka “stofin” e rëndë të kampionit e nënkampionit, e duke mos harruar grupin e udhëhequr nga trajneri Cungu, ne do shkojmë të marrim tri pikë në Durrës.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"