Shkodra e Toski, nga formacioni ideal, te më të dobëtit e kësaj jave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2016 | 21:26

Shkodra e Toski, nga formacioni ideal, te më të dobëtit e kësaj jave

Formacioni i lojtarëve që zhgënjyen më shumë në javën e tretë të Kategorisë Superiore përfshin disa lojtarë të cilët një javë më parë ishin mes “yjeve” të kampionatit dhe meritonin një vend në formacionin ideal. Ndërkaq, ky rreshtim popullohet kryesisht nga futbollistë të cilët dolën të mundur nga ndeshjet e kësaj jave.

formacioni i dobet, java 2

Një gjë të tillë e di mirë Shpëtim Moçka, i cili rezulton mes më të dobëtëve të javës, pasi me daljet jo edhe aq të studiuara ishte protagonist në humbjen 2-0 të Teutës përballë Partizanit. Në ditë për t’u harruar edhe për shokun e tij të skuadrës, Hila, i rreshtuar në mbrojtje, apo edhe për Priftin e Korabit, një tjetër futbollist që ka dalë me kokën ulur nga ndeshja e skuadrës së tij.

Ndonëse Tirana dhe Kukësi kanë ndarë nga një pikë në barazimin 2-2, paraqitjet e Teqjes në njërën skuadër dhe Demës në tjetrën u shkaktuan probleme të dy ekipeve përkatëse në mbrojtje, ndaj këta dy futbollistë janë ndër protagonistët në këtë rreshtim.

donjet shkodra

Në mesfushë, spikatin emrat e Donjet Shkodrës të Flamurtarit dhe Faton Toskit të Laçit. Të dy ishin ndër lojtarët më të dalluar të dy javëve të para të Superiores dhe kishin treguar klasin e tyre në ndeshjet e para të sezonit. Këtë javë, të dy kanë lënë shumë për të dëshiruar me atë që dhanë në fushë dhe rreshtohen në mesfushë, përkrah shokëve të skuadrës Galiç dhe Pinto.

Sulmi nuk kishte si të mos u përkiste lojtarëve të Korabit, Plaku e Adelaja, të cilët vazhdojnë të humbasin raste të pabesueshme para portë, edhe një penallti, si në rastin e Plakut.

Plaku

Ndërkaq, rreshtimin e zhgënjimeve të javës nuk kishte si ta drejtonte kush tjetër përveç Çezare Bexhit. Teuta u mund në shtëpi nga Partizani dhe trajneri i saj nuk u pa të bënte asgjë që të ndryshonte loja. Me gjithë përpjekjet në fushën e lojës, “djemtë e detit” çaluan në shumë aspekte dhe, në këtë rast, trajneri është ai që merr peshën më të madhe të përgjegjësisë. Jo vetëm për këtë ndeshje, por edhe për faktin që durrsakët kanë humbur shumë nga grinta e një edicioni më parë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"