Shkëndija, projekt suksesi për… të gjithë shqiptarët. Akademi efikase, ekipet e moshave bëjnë ligjin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 15, 2017 | 22:18

Shkëndija, projekt suksesi për… të gjithë shqiptarët. Akademi efikase, ekipet e moshave bëjnë ligjin

Futbolli i ditëve të sotme kërkon gjithmonë e më shumë ide dhe projekte afatgjata për të sjellë sukses. Siç ka treguar edhe eksperienca botërore, investimet e stërmëdha nuk garantojnë gjithmonë sukses nëse nuk janë të studiuara dhe të goditura. Në Shqipëri, Skënderbeu është modeli se si ndërtohet një klub për të arritur në majat e suksesit.

Mirëpo, pjesa tjetër e futbollit vendës është një vakum i madh deri në mbërritjen e etapave ideale për mirëfunksionimin e një skuadre futbolli. Por, ka një shembull që po befason botën e futbollit shqiptar. Ka një ide të qartë suksesi se si mund të duhet të funksionojë gjithçka… Është Shkëndija. Ky klub ofron projektin ideal për të ardhmen, duke punuar në mënyrën e duhur me skuadrat e moshave që bëjnë “ligjin” në çdo kategori, që nga U-17, U-18 dhe U-19.

shkendija

AKADEMIA SHKËNDIJA – Me anë të një shkrimi në faqen zyrtare, klubi i Shkëndijës së Tetovës bën me dije ecurinë e të gjithë skuadrave të moshave në kampionatet respektive. “Kuqezinjtë shpallen kampionë të dimrit me tri gjenerata në Superligën e Maqedonisë, ndërsa të katërta gjeneratat janë kualifikuar në gjysmë- finale të Kupës së Maqedonisë”, nis shpjegimi i klubit në faqen zyrtare.

SHKËNDIJA U-19 – Për skuadrën e 19-vjeçarëve, një vit më parë u arrit fitimi i titullit dhe për këtë sezon, rrugëtimi është i njëjtë. Edhe pse me disa ndryshime në përbërje të ekipit, kjo për vetë largimin e disa futbollistëve që tejkaluan moshën, nën drejtimin e Bekim Osmanit, kryesojnë sërish kategorinë e tyre dhe, përveç titullit dimëror, janë pretendentë kryesorë për të triumfuar sërish dhe për të ruajtur titullin. “Shkëndija U-19, nga 14 ndeshje ka shënuar 11 fitore, 2 barazime dhe vetëm një humbje, duke lënë pas Vardarin. Me 35 pikë udhëheq bindshëm renditjen, ndërsa ka një golavarazh prej 39 të shënuar dhe vetëm 12 të pësuar. Alban Rasimi me 13 gola është sulmuesi më i mirë dhe ndiqet nga Ensar Luma me 10”, shkruan faqja zyrtare e klubit për këtë grupmoshë.

shkendija te rinjte

U-18 – Triumfi përballë Vardarit vijon edhe në këtë grupmoshë. “Skuadra e udhëhequr nga Berat Imeri zhvilloi gjysmë sezon shumë pozitiv, duke u ndalur në vend të parë para Vardarit në Superligën e Kadetëve. Me 11 fitore, 1 barazim dhe 2 humbje në 14 takime të zhvilluara, Shkëndija U-18 kishte ecuri më të mirë se rivalët në këtë kategori, duke zënë vendin e parë me 34 pikë. Në 14 ndeshje realizoi 29 gola, ndërsa rrjeta u tund në vetëm 9 raste. Albin Ramadani me 8 dhe Genc Gashi me 7 gola ishin futbollistët më të spikatur të kësaj gjenerate”, shkruan “kfshkëndija.com”.

shkendija

U-17 – Kur modeli është i duhuri, asnjë moshë nuk ka pse të bëjë dallim. Shkëndija është në krye edhe me skuadrën e 17-vjeçarëve. “Ecurisë së suksesshme të dy gjeneratave paraprake u bashkohet edhe Shkëndija U-17 që udhëhiqet nga Burhan Emrullahu. Ndoshta jo aq bindës, por gjithsesi duke arritur të balancojnë formën në fund të vitit, futbollistët e kësaj gjenerate arritën të sigurojnë vendin e parë deri në këtë fazë. Shkëndija U-17 me 30 pikë ndan këtë pozicion me Makedonija Gj.P., pasi nga 14 ndeshje të luajtura arriti 9 fitore, tre barazime dhe pësoi 2 disfata.

Me 36 gola të shënuar kjo gjeneratë ka sulmin më të mirë në këtë kategori. Abdulvahit Ajdini është më i spikatur me 8 gola të shënuar, ndërsa 6 ka realizuar Mirlind Dauti”, përfundon shkrimi i faqes zyrtare të Shkëndijës së Tetovës për ekipet e akademisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"