Shkëndija komplikon gjithçka ndaj Trakait, mundet dhe mbyll ndeshjen me 9 lojtarë (Video)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2017 | 18:35

Shkëndija komplikon gjithçka ndaj Trakait, mundet dhe mbyll ndeshjen me 9 lojtarë (Video)

Shkëndija e Tetovës ka komplikuar kalimin në play-off të Ligës së Europës me një paraqitje me dritë-hije në Lituani ndaj Trakait vendas.

shkendija

Skuadra e drejtuar nga Osmani u tregua e brishtë në fillimin e ndeshjes, kur pësoi gol me aksionin e parë të vendasve duke mos arritur të bllokonte lojtarin e rrezikshëm të tyre, Maksimov, që në minutën e parë të sfidës. Pas disa minutave luhatje, loja e tetovarëve pësoi ngritje dhe ata filluan të shihnin gjithnjë e më shumë në portën kundërshtare duke arritur edhe të godisnin traversën e shtyllën. Goli i barazimit i Stenio Zhunior në minutën e 39-të ishte edhe pasojë e ritmit të lartë të lojës të kuqezinjve në këtë pjesë të ndeshjes.

Por në fillimin e pjesës së dytë, një tjetër pavëmendje e prapavijës së Shkëndijës i mundësoi Maksimov që të shënonte përsëri, duke çuar në 7 numrin e golave të realizuar në këtë edicion të Ligës së Europës.

Pak minuta më vonë, tetovarët shkatërruan çdo shans që kishin për të dalë me rezultat pozitiv nga kjo ndeshje, pasi fillimisht Stenio Zhunior e më pas Cuculi dolën nga loja me karton të kuq, duke lënë për thuajse 30 minuta skuadrën me 9 lojtarë.

cuculi

Kjo detyroi Shkëndijën të kthej në mbrojtje të kësaj humbjeje minimale në minutat e mbetura për të dalë nga fusha me një rezultat që të paktën i jep mundësinë të tentojë përmbysjen në takimin e kthimit, edhe pse do t’i mungojnë lojtarë të rëndësishëm si pasojë e pezullimeve.

Trakai-Shkëndija Tetovë 2-1
1′, 52′ Maksimov / 40′ Stenio Zhunior

Trakai: Plukas, Klimaviçius, Borovskis, Shyshka (80′ Jeriomenko), Janushevskij, Uakili (85′ Traore), Shilenas, Biçenok, Vorobjovas, Dorlei, Maksimov.

Trajner: O. Vasilenko

Shkëndija Tetovë: Zahov, Cuculi, Bejtulai, Çelikoviç, Alimi, Todorovski, Hasani (90’+4′ Murati), Totre, Ibraimi (72′ Bojku), Stenio Zhunior, Radeski (64′ Teqja).

Trajner: Q. Osmani

KV: Klimavicius, Shyshka / Cuculi. Hasani, Çelikoviç

KK: Stenio Zhunior, Cuculi

Gjyqtar: Neill Dojl (Irlandë)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"