Shkëndija i zë fushën, Dinamo përfundon te liqeni. Allmuça: Duam të evidentojmë 3-4 të rinj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2017 | 11:43

Shkëndija i zë fushën, Dinamo përfundon te liqeni. Allmuça: Duam të evidentojmë 3-4 të rinj

Dinamo vijon me seancat stërvitore për sezonin e ri. Por, prej tri ditësh, blutë kanë hasur vështirësi në stërvitje, pasi në orarin që ata duhet të stërviten në kompleksin “Dinamo” në orën 09:00-11:00, fusha ka qenë e zënë dhe lojtarët e drejtuesit teknik të ekipit janë detyruar të shikojnë terrene të tjera alternative.

Dinamo

Nisur nga ky fakt, grupi prej 10 lojtarësh të Dinamos është spostuar në kodrat e liqenit. Ndërsa fusha është zënë nga Akademia e Shkëndijës, të cilët do të qëndrojnë aty deri më datë 4 gusht, pasi kryejnë testime. Por, kjo problematikë pritet të marrë fund shumë shpejt, pasi Dinamo do i rikthehet këtij orari mbas përfundimit të këtij procesi.

Kështu kanë bërë me dije edhe autoritetet e Agjencisë së Sporteve që aktualisht administrojnë kompleksin, para se t’i kalojë plotësisht FSHF-së. Ndërsa drejtuesit e bluve, trajneri Igli Allmuça dhe ndihmësi i tij Brahja po vijojnë punën për evidentimin e lojtarëve të rinj, ku 3-4 të tillë më të mirët do t’i bëjnë pjesë të Dinamos për sezonin e ardhshëm.

ALLMUÇA

Në një prononcim për gazetën, trajneri Igli Allmuça flet në lidhje me sezonin e ri dhe përzgjedhjen e Brahjas si ndihmës.

“Po punojmë për të evidentuar dhe afruar 3-4 lojtarë të rinj. Mendojmë të marrim më të mirët, të cilët mund të na vlejnë për sezonin e ardhshëm, por edhe për më vonë. Sapo të përfundojë Shkëndija proceset e saj në fushën e kompleksit, ne do vijojmë me seleksionimet me lojtarët e rinj të disa akademive dhe klubeve.

Nga ana tjetër, puna me ndihmëstrajnerin Brahja po vazhdon mjaft mirë. Brahja u bë pjesë e Dinamos, pasi ka mjaft eksperiencë dhe është një ish-futbollist me vlera dhe me njohje të mëdha në këtë fushë, por nuk dua të harroj ish-ndihmësin tim, Alget Hudhra, i cili ka bërë një punë mjaft të mirë në ekip, ku ka qenë mjaft korrekt dhe ka dhënë shumë nga vetja e tij.

Hudhrës i doli një punë tjetër dhe për shkak të orareve ishte i detyruar të shkëputej nga Dinamo. Ne e miratuam dhe e respektuam vendimin e tij duke i uruar suksese në punën dhe jetën e tij profesionale. Tashmë ne vijojmë punën për formimin e një ekipi kompetitiv dhe konkurrues, për aq sa do kemi mundësi në çdo aspekt”, përfundon prononcimin e tij tekniku i skuadrës blu, Igli Allmuça. Blutë kanë probleme me fushën stërvitore prej vitesh.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"