Shkëndija drejt titullit, Pinari tregon sekretin e skuadrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 28, 2017 | 11:36

Shkëndija drejt titullit, Pinari tregon sekretin e skuadrës

Shkëndija e Tiranës është duke shkëlqyer në kampionatin U-19 të Kategorisë Superiore. Skuadra e drejtuar nga Luan Pinari renditet në vendin e parë me pikë ta barabarta me Partizanin, por me një ndeshje më pak. Me tetë fitore, dy barazime dhe asnjë humbje, skuadra kryeqytetase ka grumbulluar 26 pikë duke shënuar 21 gola dhe pësuar vetëm nëntë.

Shkendija

TRAJNERI – Në një prononcim për gazetën, trajneri Luan Pinari është i kënaqur për ecurinë e deritanishme dhe tregon shembuj se si futbollistë që kanë luajtur me këtë ekip, e kanë vazhduar karrierën jashtë Shqipërisë. “E kemi nisur herët stërvitjen me skuadrën dhe e prisnim që të kishim këtë ecuri të deritanishme.

Mendoj se jemi brenda pritshmërive që kemi pasur që në fillim. Unë i njoh shumë mirë se çfarë karakteristikash kanë dhe mendoj se deri tani jemi në rregull. Objektivi ynë është që të ruajmë këtë ritëm dhe të mbetemi në vendet e para të renditjes. Gjithashtu, synimi i lojtarëve është që të stërviten maksimalisht dhe të rrisin edhe më shumë nivelin për të qenë gati, më pas për të luajtur me ekipet e para ku do të transferohen”, shprehet fillimisht Pinari.

pinari

I pyetur më pas se çfarë ndodh me këta lojtarë kur mbyllet sezoni dhe e kalojnë moshën, trajneri përgjigjet: “Këta lojtarë janë nën vëzhgim gjatë dy viteve të fundit të shkollës. Ata shihen më vëmendje dhe së bashku me trajnerët dhe me drejtuesit e shkollës, ndihmojnë për të hedhur hapin e rëndësishëm që të kalojnë në ekipe të ndryshme.

Avantazhi i tyre në shkollë janë kushtet dhe kohën që i kushtojnë stërvitjes, që kur të shkojnë në ekipet e para, të jenë në formën e tyre më të mirë fizike dhe tekniko-taktike. Në këtë grup janë gërshetuar cilësitë teknike dhe dëshira e madhe e lojtarëve që duan të punojnë dhe japin kontribut maksimal”.

Lojtaret

Më tej, Pinari tregon edhe rastet kur lojtarë të Shkëndijës janë transferuar jashtë Shqipërisë dhe shanset që kanë. “Dy lojtarë, Jon Mersinaj dhe Lirim Kastrati, janë transferuar te Lokomotiva e Zagrebit në Koraci. Nëse janë lojtarë që spikasin, shanset janë që të transferohen edhe jashtë”, u shpreh Pinari.

Trajneri veçoi kapitenin Enis Çokaj si lojtarin më të spikatur këtë sezon, i cili është edhe golashënuesi i skuadrës. Ky brez është një prej më të mirëve të viteve të fundit dhe këtë e tregon edhe ecuria e deritanishme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"