Shkëmbimi i bujshëm, Çelsi ofron sulmuesin dhe miliona për Romelu Lukakun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 29, 2021 | 15:49

Shkëmbimi i bujshëm, Çelsi ofron sulmuesin dhe miliona për Romelu Lukakun

Pasi fitoi Ligën e Kampioneve, Çelsit i është hapur oreksit për të tjerë trofe. Kampionati dhe suksesi europian janë në objektivat e londinezëve, por për t’ia dalë mbanë, trajneri Tuhel ka kërkesa specifike. Një prej tyre ka të bëjë me rolin e sulmuesit dhe thuhet se Roman Abramoviçi është gati t’i plotësojë dëshirën. Synimet janë njëri mes Eling Halandit dhe Romelu Lukakut. Për norvegjezin e Borusias ishin gati 175 milionë euro, por vetë 21-vjeçari e ka konsideruar si të tepruar shifrën për një lojtar të vetëm. Ndoshta nuk e mendon kështu drejtori i Borusias, Vacke, i cili sidoqoftë e cilësoi si të pashitshëm yllin e skuadrës. Në këto kushte e me mbi 100 milionë euro për të investuar, Çelsi ka drejtuar radarët nga Milanoja zikaltër.

GJIMSHITI LUKAKU

DREJT LUKAKUT – Tashmë në shënjestër është Romelu Lukaku, për të cilin mund të investohen deri në 130 milionë euro. Shifra ekziston në arkat e bluve, por mediat angleze bëjnë të ditur se në bisedën me Interin do të tentohet përfshirja e Timo Vernerit. I blerë një vit më parë për thuajse 70 milionë euro, gjermani nuk e ka justifikuar besimin duke e shpërblyer me vetëm 12 gola në 52 prezenca. Ai ka rënë në sy më tepër për asistent, duke shërbyer 15 të tillë në të gjitha kompeticionet me ekipin që fillimisht u drejtuar nga Frenk Lampard përpara se të kalonte në duart e Tomas Tuhelit. As me patriotin e tij Verner nuk arriti të përsëriste bëmat që e bënë të njohur në kohët e Lajpcigut. Tashmë 25-vjeçari nuk konsiderohet i paprekshëm dhe drejtuesit anglezë janë gati ta sakrifikojnë për të siguruar Lukakun.

verner

MBRET NË MILANO – Duke parë problemet ekonomike, drejtori Marota edhe mund të pranojë ofertën e Çelsit, sepse sidoqoftë disa milionë dhe Verneri plus nuk janë një propozim i keq. Aktualisht përgjigjja është negative. Për hir të së vërtetës, Lukaku ka qenë i qartë në fjalët e tij teksa vetëm pak javë më parë i betohej për dashuri Interit. Ai ndihet mbret në Milano dhe komod në realitetin zikaltër. Për momentin pozicioni i tij duket po aq i palëvizshëm sa vetë sulmuesi kur është në fushë, megjithatë, në vitet e fundit kemi mësuar se milionat e eurove lëvizin këdo. Madje edhe një mal si “Big Rom”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"