Shkëmbi zbulon planin: Po punojmë për golat, duam 3 vendet e para

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2018 | 21:58

Shkëmbi zbulon planin: Po punojmë për golat, duam 3 vendet e para

Me një startsezoni të ngjeshur, Teuta e sheh kreun vetëm 2 pikë larg. Tanimë nuk është surprizë fakti që “djemtë e detit” janë aty. Ndeshja e radhës në kampionat do të jetë ajo ndaj Kukësit, një rival i drejtpërdrejtë për Kupat e Europës, pa harruar dhe ndeshjen e Kupës ndaj Turbinës. Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri Shkëmbi flet për ecurinë e skuadrës së tij në tri javët e para dhe objektivat e klubit.

shkembi

Pas dy ditëve pushim, ekipi është kthyer sërish nën urdhrat tuaja, si është gjendja e ekipit?

Dita e parë e stërvitjes pas një pushimi dyditor është pak e vështirë për çdo ekip, por seanca stërvitore shkoi ashtu siç ne e kishim planifikuar.

Përveç Hakajt, i cili është i grumbulluar me Kombëtaren U-21, ka ndonjë mungesë në ekip?

Mungon Kamara, i cili ka një shqetësim të vogël, por e presim të kthehet brenda dy ditëve dhe do jetë në dispozicion për ndeshjet e ardhshme. Pjesa tjetër e ekipit është e plotë.

Si e vlerësoni startin e skuadrës në këtë sezon?

Është herët të flasim për ecurinë, por sinqerisht, si unë apo edhe klubi mendonim se meritonim diçka më shumë. Megjithatë, jemi të kënaqur, kampionati është i gjatë.

Në tri ndeshjet e para kemi parë një ekip stabël, ndeshja e radhës është ajo në Kupë, do ketë rrotacion në formacion?

Ndeshja e Kupës ka ende kohë dhe ne po punojmë për ta përgatitur, por gjithçka varet sesi do sillen futbollistët e mi gjatë seancave stërvitore për të vendosur në fund për formacionin.

Pak ditë pas ndeshjes së Kupës, do të jetë Kukësi, një rival i drejtpërdrejtë për Kupat e Europës, si e shikoni skuadrën verilindore?

Po punojmë për të ndërtuar çdo gjë në imtësi për të përballuar një kundërshtar si Kukësi. Gjithsesi, ka ende kohë. Ndeshjet vijnë njëra pas tjetrës.

Te Teuta mungon goli, sa e shqetëson Shkëmbin kjo statistikë?

Mendoj që mungesën e golit e vuajnë edhe ekipe të tjera, jo vetëm ne, por nuk e mohoj që nuk më shqetëson diçka e tillë. Do doja dhe besoj se ne do t’ia arrijmë, pasi po punojmë shumë për të arritur të shënojmë më shumë gola në javët e ardhshme.

Si e vlerësoni merkaton e Teutës?

Jam tërësisht i kënaqur me merkaton, kanë ardhur ata futbollistë, të cilët unë i kam kërkuar dhe tani “topi” është në anën time dhe të stafit tim për të shpërblyer këtë merkato.

Cili është objektivi juaj për këtë kampionat?

Kampionati është vetëm në fillimin e tij dhe rruga është e gjatë, por objektivi ynë kryesor është të jemi pjesë në treshen e parë duke siguruar Europën.

Amarildo Alia

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"