Shkëmbi: Tifo për Partizanin në derbi, i mposhtim në Korçë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2016 | 10:00

Shkëmbi: Tifo për Partizanin në derbi, i mposhtim në Korçë

Bledi Shkëmbi e cilëson fitoren ndaj Tiranës me aromë titulli. Kapiteni, gjatë një deklarate të dhënë për gazetën, dje pas ndeshjes u shpreh se ky trepikësh ishte një detyrim dhe sidomos kur dihet që Partizani kishte mposhtur Kukësin. shkembi“Ishte një fitore e rëndësishme që na afron edhe më shumë me titullin. Dihet që Tirana është një ekip shumë i fortë, madje mendoj se me lojtarët që ka duhet të ishte pak më sipër në renditje.

Sot (dje) ka zhvilluar një ndeshje shumë të mirë, por për ne ishte tejet e rëndësishme që të merrnim këto pikë, të cilat erdhën pas një momenti jo të mirë që po kalonin. Kjo fitore na bëri realisht shumë punë, si nga ana e pikëve, ashtu edhe në aspektin psikologjik.

Fakti që kishte fituar Partizani, na vinte para përgjegjësisë që edhe ne të mos gabonim. Nuk mund ta quaj presion, por ishte detyrim që të ruanim avantazhin. Madje, në fushë nuk e vuajtëm presionin, përkundrazi bëmë një ndeshje të mirë.

Ndeshjen që u luajt në Kukës e pashë me copa, pasi ishim në udhëtim. Por rëndësi ka që ne fituam, pak rëndësi ka se çfarë ndodhi me kundërshtarët. Unë e kam thënë dhe do ta rithem, kampionatin në fund do ta marrë ai që ekip që e meriton.

Pra, kushdo që do të marrë titullin në finish, do ta meritojë. Unë, me aq sa pashë, në Kukës m’u duk një ndeshje e drejtë, nuk dua të aludoj. Boll merremi me kështu gjërash, pasi jemi një popull që paragjykojmë”, tha fillimisht Shkëmbi duke analizuar fitoren dhe komentuar ndeshjen e rivalëve.

Kur pyetet për derbin dhe sa përcaktues do të jetë ai takim për titullin, kapiteni përgjigjet:

“Nuk e di. Por duhet ta pranoj se është shumë pozitive që Partizani kur të vijë në Korçë, ne ta kemi siguruar titullin”. Shkëmbi e ka pranuar kurdoherë që është simpatizant i të kuqve, por duket se përtej llogarive të korçarëve, edhe këtë herë do vazhdojë që të bëjë tifo për ishskuadrën.

“Në derbi do vazhdoj të bëj tifo për Partizanin. Nuk besoj se na i prish planet, pasi sido që të shkojnë punët, ne do të fitojmë në Korçë në ndeshjen direkte dhe do të shpallemi kampionë”, përfundoi mesfushori i Skënderbeut.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"