Shkëmbi: S’jam në garë me Duron, ndaj Kamzës më kënaq vetëm fitorja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2018 | 13:24

Shkëmbi: S’jam në garë me Duron, ndaj Kamzës më kënaq vetëm fitorja

Teuta ka zhvilluar paraditen e djeshme stërvitjen e fundit për takimin e radhës ndaj Kamzës. Seanca nisi me një fjalim të trajnerit Bledi Shkëmbi, i cili ka motivuar lojtarët në prag të sfidës. Pas stërvitjes trajneri foli për “Panorama Sport” në lidhje me pritshmëritë që ka ndaj Kamzës, kundërshtarit që fitoi ndeshjen e parë në krye të Teutës këtë kampionat, e cila pasoi me largimin e Bledar Devollit. Shkëmbi tregohet i matur kur flet për kolegun e tij, Klodian Duro.

shkembi teutaa

Bledi, ju pret një tjetër transfertë, këtë herë me Kamzën. Jeni i kënaqur me gjendjen e skuadrës?

Skuadra ka treguar një rendiment të mirë këto ditë në stërvitje dhe normalisht kjo ngjeshje krijon dhe ngarkesë të madhe, por kemi arritur të rikuperojmë energjitë për të përballuar takimin me Kamzën. Shoh që djemtë janë mirë nga ana fizike dhe shpresoj që të jemi në maksimumin e freskisë. Kjo është shumë e rëndësishme.

E keni studiuar Kamzën, çfarë ndeshje prisni?

Kamza është një kundërshtar i vështirë, sepse ka zhvilluar ndeshje të mira, pavarësisht pikëve që ka. Nuk nisemi fare nga diferencat në renditje, ndaj e respektojmë dhe e kemi vlerësuar maksimalisht. Nuk mund të flas tani për pikat e dobëta apo të forta të Kamzës, ne shkojmë për të zhvilluar një ndeshje të mirë dhe të marrim rezultat pozitiv.

Në prezantimin te Kamza afro dy muaj më parë, Duro ju ka “thumbuar” me një deklaratë, ndërsa sot shkoni në këtë sfidë me + 10 pikë. Çfarë do t’i thoshit kolegut?

Unë jam këtu me një synim, të bëjë sa më mirë më Teutën, me lojtarët e mi. Personalisht nuk jam në garë me asnjë dhe nuk e kam problem nëse dikush më thumbon apo acarohet me mua dhe punën time. Kam një tjetër mënyrë arsyetimi, kështu që nuk ka rëndësi se çfarë ka thënë Duro në drejtimin tim. Shoh vetëm skuadrën time dhe dua që ta përmirësoj nga java në javë dhe nuk merrem me replika apo diçka tjetër.

Kamza është e etur për pikë, i druheni këtij fakti?

Jo, nuk i druhem aspak. Nuk ka arsye, sepse unë mendoj që jemi ne më të etur për pikë. Vijmë nga një ecuri shumë pozitive, por nga një ndeshje që ndoshta nuk dhuruam lojën tonë më të mirë, por në fund morëm tri pikët, gjënë më të rëndësishme. Kjo na ka bërë mirë për anën psikologjike dhe moralin tonë. Në futboll e kam thënë shpesh që të duhet edhe fati dhe ndaj Tiranës ne e patëm. Kemi punuar dhe duhet të jemi me këmbë në tokë, sepse duhet të vazhdojmë me ecuri, që në fund të shkojmë aty ku ne duam.

Duket sikur u mësuat me takimet jashtë fushe…

Nëse ka diçka që më pëlqen jashtëzakonisht shumë, është që pavarësisht se luajmë jashtë apo në fusha asnjanëse, kemi treguar karakter të fortë dhe kemi arritur të marrim rezultate pozitive. Kjo tregon që ky ekip po konsolidohet akoma më shumë dhe nga ana psikologjike do të thotë që nuk mendon se në çfarë fushe do të luaj. Futemi me besimin e plotë në vetvete.

Ndaj Tiranës fitorja erdhi nga mbrojtja….

Pres nga të gjitha repartet dhe uroj që të shënojnë të gjithë lojtarët javë pas jave, që të mos kemi vetëm një pikë referimi sa i përket golit.

Edhe Kukësi u ndal në një barazim dje, a mund të themi tashmë se Teuta është e denjë për vendin e tretë?

E kemi nisur sezonin me objektivin e qartë, të jemi sa më konkurrues dhe pjesë e treshes së parë. Kam pasur besim të plotë se ky grup është i aftë të jetë pjesë e treshes dhe të luftojë për një vend në Kupat e Europës. Tani që po kalojmë një periudhë të mirë, ndoshta është momenti që ta themi dhe me një zë më të fortë që ne jemi aty, por kjo ka pak rëndësi, sepse kampionati është i gjatë dhe duhet të marrësh rezultate në çdo ndeshje.

Nëse do të merrni vetëm një pikë sot, do të ishit i kënaqur?

Ne shkojmë për të zhvilluar një ndeshje të mirë, me një lojë të bukur dhe në fund tri pikët. Pastaj, pas ndeshjes mund të them se çfarë më ka kënaqur, loja e zhvilluar dhe jo pikët apo e kundërta. Në futboll nuk parashikon dot se çfarë bën, por vetëm të zhvillosh një lojë të mirë, sepse kështu mund të vijë rezultati që të gjithë duam në fund.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"