Shkëmbi: Na duhet fat në Shkodër, nuk ka justifikime për mungesat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2019 | 10:49

Shkëmbi: Na duhet fat në Shkodër, nuk ka justifikime për mungesat

Trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi, para ndeshjes me Vllazninë është i qartë: Nuk lejohet hap fals, edhe pse luhet në transfertë. Trajneri korçar, gjithsesi, e vlerëson kundërshtarin e radhës dhe pret që lojtarët e tij të bëjnë më të mirën në fushë dhe të fitojnë.

bledi shkembi

MOMENTI JO I MIRË – “Po punojmë. Kemi punuar fort këto dy javë. E gjithë kjo lodhje shpresoj të na kthehet në sukses nesër (sot) dhe ta kalojmë këtë moment jo të mirë. Pastaj do të jetë më e thjeshtë për ne”.

ANALIZA POST-LUFTËTARI – “E kemi të qartë se çfarë duhet të bëjmë mirë. Nuk është diçka e vështirë, pasi duket qartë që kemi probleme të mëdha me finalizimin. Kemi probleme në 30 metrat e fundit të fushës dhe për këtë kemi punuar si dhe kemi folur me futbollistët. Patjetër që na duhet edhe pak fat për ta kaluar këtë situatë”. DY JAVË PUSHIM – “Nesër (sot) pas ndeshjes mund të jap përgjigjen më të mirë, nëse pushimi erdhi apo jo në kohën e duhur. Ishte një periudhë që na shërbeu për t’u qetësuar pas rezultateve jo të mira”. PRESIONI I REZULTATEVE – “Normal që ekipi e ndien presionin e rezultateve, por nuk ndodh vetëm te ne. Ndodh në çdo ekip futbolli kjo gjë. Ne e vuajmë, por nuk duhet të justifikohemi që ky presion na prish punë. E shikoj që ekipi ka presion, por personalisht unë dhe skuadra e shohim pozitivisht presionin”.

teuta

SULMUESIT, NGËRÇ APO… – “Unë mendoj që ka të bëjë më shumë me ngërçin psikologjik, sepse mendoj që kemi lojtarë me cilësi të mirë dhe duhet ta kalojmë sa më shpejt këtë bllokim. E them këtë, sepse edhe për ata, edhe për ekipin do të jetë më e thjeshtë”.

TRANSFERTA SHKODRANE – “Unë e thashë që ne kemi punuar. Me aq sa kemi kuptuar nga ndeshjet e tjera ku kemi probleme, jemi stërvitur për të qenë më konkretë te porta kundërshtare dhe te zona kundërshtare. Lojtarët nuk janë fajtorë, siç flitet dhe thuhet nëpër studio televizive. Unë mendoj që i gjithë ekipi duhet të ndihmojë sulmin dhe të bëjë maksimumin për të shkuar te porta kundërshtare dhe në fund për të shënuar. Jemi stërvitur në këtë mënyrë e do të shohim çfarë do të ndodhë nesër (sot)”.

MUNGESAT – “Patjetër që gjëja më e mirë do të ishte ta kishim ekipin të plotë. Por nëse e keni venë re, unë e kam thënë disa herë që personalisht s’duhet të gjej justifikime te mungesat, sepse kam shumë respekt për të gjithë lojtarët që kam në ekip. Gjithashtu, kam shumë besim te lojtarët dhe jam i bindur që ata lojtarë që do të luajnë do bëjnë shumë mirë”, ka deklaruar trajneri Bledi Shkëmbi.

renato arapi

RENATO ARAPI

Kapiteni Renato Arapi ka shoqëruar trajnerin e Teutës në konferencën e djeshme, duke komentuar situatën e ekipit dhe përballjen e radhës në transfertë me Vllazninë. “Për mendimin tim, ndërprerja e kampionatit na bëri goxha mirë. Pas atyre rezultateve jo të mira, kemi pasur kohën e mjaftueshme për të punuar mbi finalizimin, gjë e cila na ka munguar javët e kaluara. Oshilacione nuk mund të themi, pasi jemi ekipi që kemi pësuar më pak gola. Kemi dy humbje dhe jo përballë rivalëve direkt. Mendoj që problemi ynë kryesor ka qenë vetëm faza sulmuese, jo vetëm sulmuesit. Kur sulmojmë, duhet ta bëjmë të gjithë dhe të japim maksimumin që secili ta ndihmojë ekipin në fazën sulmuese. Unë besoj se objektivi ynë për nesër (sot), me gjithë respektin për Vllazninë që është duke bërë shumë mirë deri tani, janë tri pikët”, është shprehur kapiteni Arapi në konferencën për shtyp para transfertës shkodrane.

Zamir Qypi

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"