Shkëmbi: “Më shumë se humbja, më shqetëson fakti që luajtëm dobët”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2016 | 10:03

Shkëmbi: “Më shumë se humbja, më shqetëson fakti që luajtëm dobët”

Një ndeshje e gjitha për t’u harruar dhe një start më shumë se zhgënjyes. Pas barazimit në Kupë, është sërish Vllaznia që shkakton “dramë” në Korçë.

shkembiKapiteni Bledi Shkëmbi e pranon se paraqitja nuk ishte aspak e denjë për një ekip kampion, por thekson se Skënderbeu nuk është në krizë.

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” mesfushori e thotë hapur që ai dhe shokët e ekipit i meritojnë që të gjitha kritikat, pasi me atë humbje i dhanë shans Partizanit.

I dhatë Partizanit shansin që t’ju bashkohej në krye. Sa djeg humbja në Shkodër?

Ishte një humbje e rëndë, e cila djeg shumë. Kemi kompromentuar situatën në renditje, duke u dhënë mundësinë kundërshtarëve të na rikuperojnë pikë.

Sërish Vllaznia që ju shokon, në fillim Kupa, tani kampionati…

Nëse ai barazim për Kupë ishte rezultat i keq për ne, por që na jep shanse që të rikuperojmë, humbja në kampionat është më e rëndë, pasi i dhamë mundësi Partizanit të na arrijë. Ky është ndryshimi mes këtyre dy takimeve pavarësisht rezultatit.

Josa ka pasur kritika për të gjithë. Po ju keni si kapiten?

Normalisht që trajneri dhe drejtuesit janë ata që kritikojnë, ndërsa unë si kapiten mund të them vetëm se ishte një lojë e dobët nga të gjithë. Një ekip kampion, sikundër jemi ne, nuk shpjegohet që nuk mori asnjë tentativë për të shënuar.

Pra, thoni se janë të merituara të gjitha kritikat?

Sigurisht që po, janë të merituara. Ashtu sikundër Vllaznia meritoi fitoren, pasi na bllokoi. Besoj se ishte një ndeshje e errët në një ditë e errët. Nuk di sesi ta shpjegoj atë paraqitje. Nuk do të më vinte keq nëse do të luanim mirë dhe të humbnim, por ne humbëm dhe luajtëm dobët. Kjo po që është për t’u shqetësuar.

Loja mungoi edhe në ndeshjen e parë në Shkodër, mos ndoshta jeni në krizë?

Mendoj se ishte thjesht ditë e errët. Nuk ka asnjë lloj shansi që një ekip si ne që bëjmë futboll të bukur, të harrojmë të luajmë për një javë apo një muaj. Megjithatë, këtë do ta vërtetojmë në vazhdim. Do të jemi po ne që do të dëshmojmë forcën tonë dhe do luftojmë bindshëm për të njëjtat objektiva. Pra, s’besoj se ka vend për panik.

Mos ndoshta largimi i Berishës dhe Olainkës ka lënë hapësira të mëdha që nuk u mbushën dot në merkato?

Jo, nuk mendoj se është kjo arsyeja kryesore. Natyrisht që të themi atë që mendojmë të gjithë, Berisha dhe Olainka ishin dy lojtarë mjaft të mirë të ekipit dhe që, për mendimin tim, ishin më të fortë. Por ndoshta pas ndryshimeve në merkato ekipi ende nuk ka ardhur në komoditetin e tij të plotë. Kemi kohë edhe për të bërë konsolidimin e ekipit, të lojtarëve të afruar me grupin ekzistues. Besoj se shumë shpejt do të jemi në gjendje.

Thatë që e rëndësishme është kthesa, besoni se do të vijë ndaj Kukësit?

Ne do bëjmë të pamundurën që t’u rikthehemi rezultateve pozitive, do të bëjmë të pamundurën që të vijmë sërish te rezultatet pozitive duke filluar që nga kjo fundjavë, në ndeshjen kundër Kukësit. Do të tregojmë se ishin vetëm dy rezultate të këqija dhe se Skënderbeu nuk është në krizë.

Pasi i dhatë shansin Partizanit, e ndjeni presionin e tyre?

Normalisht, i dhamë mundësi që të na barazonte dhe nuk e humbi rastin. Do të jetë një luftë e bukur deri në fund të kampionatit, ne kurrë nuk e kishim quajtur të mbyllur. Por, kam besim se, nëse rikthehemi shpejt ai ekip që të gjithë jemi mësuar të shohim, atëherë do të jemi sërish kampionë për të gjashtën herë radhazi.

Përgatiti: LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"